Bllokada e Bullgarisë ndaj eurointegrimit të RMV-së i konvenon Rusisë
Maqedonia e Veriut për gati dy dekada qëndron në dyert e Bashkimit Evropian, edhe pse jo rrallë herë ka flirtuar me forcat anti-evropiane dhe anti-demokratike, vendi asnjëherë nuk ka ndryshuar tërësisht kahjen evropiane të tij. Megjithatë, me mos-hapjen e negociatave të RMV-së dhe Shqipërisë me BE-në disa ditë më herët, BE-ja me ose pa vetëdije, ka lënë hapësirë që fuqi tjera, si ajo ruse t’i joshin këto vende ndërkaq në popullatë, të rritet euro-skepticizmi. Por, sa janë gjasat që Rusia të zë vendin e BE-së, Portalb.mk mori mendime nga ekspertë të çështjes.
Rusia vazhdimisht ka përdorur „dështimet” e Bashkimit Evropian për të joshur shtetet të cilat kushtimisht thënë, kanë qenë viktima të proceseve të tejzgjatura të BE-së, në mënyrë që të ndryshojë kahjen e tyre dhe t’i kthejë nga vetja.
Nuk është sekret që Kremlini ndër vite ka deklaruar se konsideron Ballkanin si zonë të “interesit strategjik” edhe pse asnjë prej gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik.
Deklarativisht, Rusia përmes medieve të saja vazhdimisht ka thënë se nuk e ka problem anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, por, ka reaguar fuqishëm kur Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut u anëtarësuan në NATO si dhe kur Bosnja dhe Hercegovina paralajmëroi që planifikon të anëtarësohet aleancën veri-atlantike.
Megjithatë, përkundër deklarimeve të Moskës se „nuk e ka problem që shtetet e Ballkanit të anëtarësohen në BE”, studime të ndryshme tregojnë që propaganduesit rus ndërvite propagandojnë kundër Bashkimit Evropian dhe vlerave që i paraqet kjo e fundit. Kështu, duke lënë të kuptohet që Rusia përveç që është shumë e interesuar që shtetet e Ballkanit Perëndimor të mos anëtarësohen në BE, ajo edhe punon në këtë drejtim.
Rikujtojmë që Bashkimi Evropian në samitin e saj në Selanik që nga viti 2003 kishte vendosur që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë perspektivën e anëtarësimit në Union, pas 19 viteve – vetëm Kroacia ia ka dalë të anëtarësohet, edhe atë në vitin 2013 kurse vendet tjera vazhdimisht zvarriten, kështu, sipas ekspertëve, BE-ja rrezikon që t’i humbas ato.
Përderisa nuk ka negociata, Moska në mënyrë indirekte, e ka bërë të qartë misionin e saj: Destruktivitet të qëllimshëm
Bllokimi i procesit të hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Bullgarisë i shërben jashtëzakonisht shumë qëllimit të Rusisë për Ballkanin Perëndimor, që sipas të gjitha studimeve të Fondacionit Metamorphosis është – të vritet besimi për BE dhe NATO.
Ka indikacione për ndikim rus në partitë politike nacionaliste në Republikën e Bullgarisë të cilat ishin ndër më të zëshmet për VETO-n. Këtë, edhe vetë kryeministri Kiril Petkov në mars e kishte paralajmëruar, duke deklaruar se „në vend ekzistojnë spiun rus, që punojnë të mos arrihet marrëveshje mes Shkupit dhe Sofjes”
Përveç kësaj, organizatat joqeveritare dhe fuqitë pro-demokratike në Bullgari ka disa vite tani që paralajmërojnë ndikimin rus në institucionet shtetërore bullgare. Për shembull, që nga viti 2017 presidenti i atëhershëm Rumen Radev quhej si pro-rus, mbështetjen e fitoi edhe nga Partia Socialiste Bullgare, pasardhëse e një partie komuniste. Në partitë e ekstremit të djathtë si VMRO-SMD, ka kuadro të cilat kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete përderisa Bullgaria ishte anëtare e Paktit të Varshavës, kështu konfirmoi edhe Filip Stojanovski nga Fondacioni Metamorphosis.
“Një ndër qëllimet më kryesore të fushatave në të cilat ka ndikime të jashtme antidemokratike është edhe tentativa për të ndaluar integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe NATO. Strategjia nuk është që të ngjallin ndjenja dashurie kundrejt regjimit të Putin (edhe pse kjo bëhet në disa shtete specifike, si Serbia) apo të nxitet ndonjë vullnet i mirë për bashkëpunim me Rusinë, por propaganda e tyre është e fokusuar drejt forcimit të urrejtjes kundrejt “Perëndimit” dhe të shkatërrohen proceset që kanë për qëllim reforma demokratike, të cilat në qoftë se rezultojnë të suksesshme, mund të ndikojnë që edhe vetë rusët të fillojnë të kërkojnë jetë më të mirë” shtoi Filip Stojanovski, duke spjeguar të dhënat e grumbulluara nga aktivitetet e ndryshme të Fondacionit Metamorphosis.
Përkundër përpjekjeve të aktivistëve pro-demokracisë në Bullgari përmes protestave dhe lobimit, sipas Stojanovskit ende ekzistojnë parti politike të cilat paguhen nga Moska për të shtyrë agjendën e tyre përmes skenareve destabilizuese dhe jo përparimtare.
“Aktivistët pro-demokraticsë në Bullgari, të cilët para disa ditëve organizuan protestë në mbështetje të qëllimeve pro-evropiane të Qeverisë së Petkov, mundohen që përmes rrjeteve-sociale të tregojnë rrezikun e kësaj. Për shembull, pas provokimit të deputetëtëve të partisë nacionalistë Bullgare, të cilët në parlament përdorën gjuhë të urrejtjes dhe parulla me anë të së cilave propagandohej pushtimi i Maqedonisë nga Bullgaria, disa aktivistë spjeguan se “të gjitha partitë nacionaliste në Bullgari janë të sponzorizuara nga Moska për destabilizim të brendshëm në Bullgari, të krijojnë grindje me fqinjët dhe të parandalojnë modernizimin e Bullgarisë”. Vuzrazdane është veçanarisht me ndikim në ambasadën ruse në Sofia, si parti e cila organizoi kundërprotesta të protestave kundër agresionit rus në Ukrainë, organizuan protesta gjithashtu para vizitës së ministrit të mbrojtjes së ShBA-ve, gjithashtu kundërshtuan ndryshimin e emrave të lagjeve në të cilat banojnë diplomatët rus në Bullgari” shtoi Stojanovski.
Kështu shkruan në „Twitter” për këtë parti politike një profil me ndikim në Bullgari, që menaxhohet nga disa bullgarë:
“Të dashur miq maqedonas, Vazrazhdane nuk është parti bullgare, është në varësi të drejtpërdrejtë të ambasadës ruse. Fakti që këta njerëz janë në parlament dhe jo në burg është rezultat i gjyqësorit tonë jofunksional”
Përkundër tentativave, Rusia nuk mund ta zë vendin e BE-së sepse nuk ka çfarë të ofrojë
Selim Ibraimi potencoi që si tani, edhe më herët persona të paguar nga Moska kanë punuar që të mos zgjidhet kontesti Shkup-Sofje, sipas tij, propagandues të tillë do ketë edhe pas zgjidhjes së kontestit sepse Rusisë i konvenon çdo konflikt i mundshëm në rajon.
“Inteligjenca ruse dhe ajo e rekrutuar nga njerëzit e saj në Ballkan dhe në të dyja vendet që më më herët janë kujdesur për të gjetur vrima dhe arsyetime që asgjë të mos lëvizet në kontestin Sofje-Shkup. Aktualisht ideologët rusë janë gjithkund të përqendruar. Tani mbetet topi tek pala maqedonase e cila pavarësisht se pret nga Franca përgjigje rreth kërkesave, duhet të tregohet elastike në futjen e bullgarëve në kushtetutë dhe përmbushjen e kërkesave nga marrëveshjet paraprake. E njëjta vlen edhe për Sofjen e cila tashmë e ka tërhequr veton dhe është në pritje. Elementët rusë pavarëisht përfundimit të këtij problemi do të vazhdojnë të qëndrojnë të fshehur qoftë në Shkup dhe në Sofje. Natyrisht se konfliktet e ngrira dhe çështjet e reja apo vetot shkojnë në favor të politikave të Moskës” tha njohësi i çështjeve të gjeopolitkës, Selim Ibraimi.
Sipas profesorit universitar Arsim Sinani, përpjekjet e Rusisë për të shmang vëmendjen nga agresioni në Ukrainë nuk e devijon orientimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.
“Maqedonia e Veriut duhet t’i zgjidh çështjet delikate me Bullgarinë sepse janë çështje serioze që Europës nuk i duhen brenda saj këto probleme. Kuptohet se Rusia e përdor Ballkanin Perëndimor për shmangjen e vëmendjes nga lufta në Ukrainë. Por aty është Perëndimi ta amortizojë këtë lojë. Forca pro-ruse ka edhe në Maqedoninë e Veriut, edhe në Bullgari, por, ato janë nën kontroll. Por lepuri rus brenda ndjenjave për vëllazërinë ruse mund të zgjohet, si në Shkup ashtu edhe në Sofje. Por orientimi i këtyre vendeve është drejt Europës” tha Arsim Sinani.
Nga ana tjetër, politologu Naim Iljazi potencoi që çdo „dështim” të Bashkimit Evropian, Rusia e sheh si mundësi për ndikim dhe potencial për de-europianizim të atyre zonave.
“Proceset politike, Evropa duhet t’i rendis me një strategji konkrete për të ardhmen e Unionit, të sigurojë stabilitet dhe të ndikojë në përparimin e Ballkanit Perëndimor. Shkurtëpamësia dhe bjerrakohësia e disa vendeve në Bashkimin Evropian më shumë dëmtojnë se sa ndikojnë në zhvillimin e politikave unitare. Padyshim që këto veprime janë në favor të Federatës Ruse. Sikur të ndalojmë për një moment të vetëm dhe të themi se mos-hapja negociatava të Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë me Bashkimin Evropian është veprim i duhur dhe i drejtë, atëherë vendoset në pikëpyetje e gjithë puna e Unionit për fillimin e negociatave. Në këtë rast duhet pyetur në formë autodidakte se apo vepron Bashkimi Evropian në mënyrën e duhur që të inkuadroi Ballkanin Perëndimor në gjirin e vet” tha Naim Iljazi, politolog.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian është organizatë politike dhe jo muze arkeologjik, “Andaj, nuk e di se ç’e gjeti Bullgarinë që të marr të drejtën dhe të pretendojë në bllokimin e Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë. Kufinjtë e izolimit të Ballkanit Perëndimor, nuk janë asgjë tjetër veç se shtrirje e politikës Ruse, aty ku mungon serioziteti i Bashkimit Evropian. Dhe kur mendon se nuk bëhet më keq, ndikimi Rus shpërndahet nga vende anëtare në Bashkimin Evropian, duke “shantazhuar” Ballkanin Perëndimor që e përjeton si një ëndërr të largët integrimin në Union”.
Politologu dhe Ballkanologu bullgar, Anton Pançev për Portalb.mk: Përderisa RMV-ja është në NATO, retorika e „rritjes së ndikimit rus” nuk vlen, kushtet e Bullgarisë janë të qarta
“Njëra prej pikave më absurde në propagandën e autoriteteve të Shkupit është se ngadalësimi i zhvillimit të Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian do të përforconte ndikimin rus në këtë vend. Me fjalë të tjera – këta politikanë dhe gazetarë maqedonas bëjnë përpjekje që t’u bëjnë “zhvatje” vendeve të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, që t’i bëjnë presion Bullgarisë. Çfarë do të bëhet nëse edhe Bullgaria do të përdorë këtë instrument – nëse Maqedonisë së Veriut nuk do t’i bëhet presion që t’i mbrojë të drejtat e bullgarëve atje, atëherë në Bullgari do të rritej ndikimi rus! Në një rast të tillë vendet perëndimore do të duhej të zgjedhnin cilin vend e dëshirojnë si aleat dhe cilin do të shkojë me Rusinë. Pra, mund të përllogaritet pesha ekonomike dhe ushtarake, pozita gjeogragike dhe në Bruksel/Vashington të shpallin preferimin e tyre! Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e NATO-s, që e garanton orientimin properëndimor të këtij vendi. Është për keqardhje se politikanë dhe gazetarë i vënë në dyshim mundësitë e NATO-s që t’i mbrojë vendet anëtare, dhe i vënë në dyshim ndjenjat evroatlantike të klasës politike dhe intelektuale në Maqedoninë e Veriut” tha Anton Pançev nga Sofja.
Sipas Pançev, vetëm përmes plotësimit të kërkesave bullgare, RMV-ja do të shmangte tërësisht ndikimin e mundshëm rus.
“Qëllimet e Bullgarisë janë të qarta – përfshirja e komunitetit bullgar në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, mbrojtja e të gjitha të drejtave të bullgarëve në këtë shtet, ku hyjnë e dhe të drejtat e identitetit, reformimi i thellë i Maqedonisë së Veriut, ku hyn hapja e dosjeve, dënimi i krimeve të komunizmit, fqinjësia e mirë etj. Vetëm kështu Maqedonia e Veriut do të largohet nga ndikimi rus dhe do të jetë në rrugën e vlerave evroatlantike” shtoi Pançev.
Ndryshe, përveç Rusisë, edhe Kina e Turqia presin te dera. Për dallim prej Moskës, Kina ndjek kryesisht vetëm interesat e saja ekonomike me anë të së cilave tenton të ndikojë në vend kurse Turqia vazhdimisht krijon marrëdhënie me politikanë aktiv të vendit tonë, sidomos ato konservatorë të cilët proklamojnë politika fetare, gjithashtu edhe Turqia kryesisht për qëllime ekonomike.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari