Besimi në mjekësi si mjet i ndikimit rus

Фото: zdravstvo.gov.mk

Besimi i krijuar më parë në shkencën dhe mjekësinë sovjetike dhe ruse përdoret si mjet i ndikimit politik, veçanërisht në lidhje me pandeminë Covid-19 dhe vaksinat.

 

Shkruan: prof.dr Mirjana Najçevska, eksperte për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut

 

Besimi është një mjet i fuqishëm në përhapjen e ndikimit rus në Maqedoninë e Veriut.

Në rastin e Rusisë, bëhet fjalë për besim që është ndërtuar prej dekadash dhe që mund, por nuk duhet të bazohet në elemente reale. Zakonisht është besim i bazuar në perceptimin e zhvillimit të lartë dhe arritjeve të mëdha në zhvillimin e shkencës, veçanërisht në mjekësi në Rusi (ish-BRSS). Besimi i bazuar në perceptimin (përsëri pavarësisht nëse ka të dhëna përkatëse dhe elemente faktike) se Maqedonia ka mbështetjen dhe ndihmën e Rusisë (pavarësisht sjelljes gjithmonë problematike dhe të dyshimtë të “Evropës” dhe vendeve/demokracive perëndimore në përgjithësi dhe “standardeve të dyfishita të tyre“).

Ky besim promovohet në rrjetet sociale nga profesorë të njohur në Maqedoninë e Veriut (dhe anashkalohen zhvillimet reale, të cilat nuk korrespondojnë me deklaratat e dhëna):

 Tweet nga prof. dr. Tanja Karakamisheva, bartëse e posteve të larta shtetërore në periudhën e shtetit të robëruar, me tekst për një iniciativë të sajuar ndërkombëtare kundër emrit të ri kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV): “Pritet pas nismës së Rusisë, Kinës dhe Turqisë për emërimin e Maqedonisë si Republika e Maqedonisë, e jo si RMV të qëndrojnë shumë shtete anëtare të OKB-së, të cilat do ta informojnë Qeverinë dhe Presidentin se do ta përdorin emrin Republika e Maqedonisë. SHAH-MAT ose …”

Një shembull interesant i një mënyre specifike të ndikimit të Rusisë në Maqedoni bazuar në besim është mbulimi mediatik i pandemisë në lidhje me përhapjen e Covid-19.

Edhe në këtë rast janë më së shumti informacione që shpërndahen në rrjetet sociale dhe në një numër të kufizuar portalesh dhe mediash, por ato gjejnë vend edhe në mediat e njohura (duke marrë parasysh nivelin e ulët të besimit të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në media në përgjithësi). Ndikimi që lajmet e tilla kanë në publikun e gjerë mund të dallohet në frazat, fjalët dhe shpjegimet që shpërndahen, të cilat në tërësi ose në shumë aspekte ngjajnë me ato të promovuara përmes portaleve që haptazi janë pro-ruse.

Kur bëhet fjalë për besimin ndaj Rusisë si një nga mënyrat për të përhapur ndikimin rus, ky besim duhet të lidhet me mosbesimin ndaj vendeve të Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara (si ana tjetër e medaljes) të ngulitur në vetë informacionet.

Në këtë rast, mund të identifikohen tre grupe informacionesh/tekstesh përmes të cilave mund të identifikohet ndikimi rus (të cilat duken madje kontradiktore me njëra-tjetrën, por në fund të fundit bazohen në besimin në Rusinë dhe çojnë në forcimin e këtij besimi).

 

Teori konspirative për pandeminë Covid-19

Grupi i parë i teksteve i referohet mohimit të pandemisë, ekzistencës së virusit dhe veçanërisht problematizimit të mënyrës së trajtimit të tij (bazuar në informacionin e shpërndarë nga mediat ruse ose referuar mjekëve/shkencëtarëve rusë).

Mohimi i pandemisë është shpesh i drejtpërdrejtë dhe shumë i hapur:

Pas Britanisë edhe Mjekësia ruse me të njëjtin qëndrim: Covid-19 nuk është infeksion i rrezikshëm – paniku është fabrikuar!

Por, shpesh nuk është i drejtpërdrejtë, por shumë delikate, megjithatë tregon shumë qartë qëllimin e “vendeve perëndimore” për të përdorur “gënjeshtra pandemike” me qëllim për të zvogëluar të drejtat dhe liritë e njerëzve:

Paniku nga virusi i ndryshuar “shumë i transmetueshëm” që përhapet nëpër vendet evropiane – përfshirë Gjermaninë, Danimarkën dhe Irlandën, ndër të tjera – ka bërë që qeveritë atje t’i mbyllin edhe një herë këto kombe.

Mohimi i ekzistencës së virusit është zbukuruar me kuazi-analiza, të cilat ofrojnë shpjegime politike për mënyrën se si pandemia përdoret në botë. Zakonisht kjo lloj “analize” përmendet nga një analist/shkencëtar nga Rusia (në shumë raste edhe me një emër ose mbiemër të shkruar gabimisht), për të cilin nuk ka asnjë provë, që është në ndonjë mënyrë e rëndësishme për fushën e caktuar:

Një analist i shquar në Qendrën Ruse për Kërkime Ushtarake-Strategjike në Shtabin e Përgjithshëm të Federatës Ruse – koloneli Vladimir Kvatkov, analizoi psikozën botërore të shkaktuar nga koronavirusi.

Pandemia, e cila nuk ekziston, është një operacion special strategjik global. Është ushtrim për komandim dhe kontroll në prapaskenë, për të fituar kontroll të plotë mbi njerëzimin. Kjo është prapaskena e shfaqjes së koronaviruseve. Bota e prapaskenave, veçanërisht ajo financiare, synon të reduktojë popullsinë e vendit. Sipas tyre, ne jemi shumë në planet. Duhet të ketë rreth njëqind milionë ose më shumë shërbëtorë, maksimumi rreth një miliard në tokë.

Retorika e publikimeve të tilla janë teori konspirative, të cilat portretizojnë pandeminë si mjet nga qendrat “perëndimore” të pushtetit për të vrarë një pjesë të popullsisë së botës, që të mbijetuarit t’i përdorin si “shërbëtorë” ose “skllevër”, nga faqet e autorëve anonimë dhe pronësi të fshehura, më pas kalojnë në diskursin politik.

 

 

Glorifikimi i rolit rus në luftën kundër pandemisë Covid-19

Grupi i dytë i teksteve paraqet glorifikim të arritjeve të Rusisë në luftimin e pandemisë, zbulimin dhe efikasitetin e vaksinës ruse dhe përparimin në zbulimin e një ilaçi kundër Covid-19.

Kjo linjë më tej zhvillohet në kritikat ndaj qeverisë, për shkak të vonesës për dorëzimin e një kërkese drejtuar Rusisë për vaksinat e tyre, madje edhe nga politikanët/deputetët aktualë:

Ej, a është e vërtetë që idiotët rusofobikë nga qeveria e injoruan ofertën direkte për vaksinat ruse, ndaj aplikuan përmes mekanizmit KOVAKS të OBSH-së. Dhe, op, ata ranë përsëri – vaksina ruse !? Çfarë paaftësie kolosale keni moj nënë!”, shkruan deputeti nga radhët partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev.

Në mënyrë të ngjashme, në rrjetet sociale, qeveria haptas quhet rusofobike, akuzohet se një marrëdhënie e tillë buron nga dëshira për të qenë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE) dhe se bëhet fjalë për:

… skllavëri servile ndaj NATO-s dhe BE-së.

Mesazhi përforcohet duke vënë në dukje vendet që e kanë bërë tashmë këtë (blerjen e vaksinës ruse), duke shprehur shqetësimin për heshtjen e shtetit, dhe në veçanti informacionin për veprimet e duhura të autoriteteve serbe dhe reagimin miqësor nga Rusia:

Nuk jam plotësisht në dijeni nëse një kërkesë për ndihmë ka ardhur nga Serbia. Sido që të jetë, nuk ka dyshim se kjo kërkesë nuk do të mbetet pa përgjigje, veçanërisht sepse është një vend i rëndësishëm, aleat dhe vëlla, tha Peskov.

Tensionet po rriten dhe po nxehen vazhdimisht me nxjerrjen e të dhënave për ndihmën “e madhe” dhe “vetëmohuese” që po e merr Serbia.

Në rrjetet sociale paraqiten përfaqësues të partive, që hapur shpërndajnë dezinformata dhe në të njëjtën kohë e promovojnë vaksinën “Sputnik V” si e vetmja e sigurt në përballjen me pandeminë:

Së pari, shumë vende në Evropë dhe në botë e kanë ndaluar përdorimin e vaksinës Astra Zeneka për shkak të pasojave katastrofike të marrjes së saj. Së dyti, të ashtuquajturat kovid-mekanizma është një sistem i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili merr vaksinën falas për ta shpërndarë në vendet e paafta, që nuk mund të menaxhojnë vetë.

Është interesante se edhe disa mjekë (ndoshta pa dëshirë) vendosen në mbështetje të vaksinës ruse:

Mendoj se vaksina Sputnik V nuk do të arrijë më në vend, ky është qëndrimi im personal për shkak të problemeve politike me Rusinë, tha dr. Nikola Panovski për Fokus.
Sipas tij, kjo vaksinë është dëshmuar si një nga më efektivet në luftën kundër koronavirusit dhe qytetarët që do të vaksinohen me “Sputnik V” mund të duhet të udhëtojnë sërish jashtë vendit për t’u vaksinuar me dozën e tretë.

Shumë media po sensacionalizojnë pretendimet për besim të lartë në këtë vaksinë (edhe në anglisht) dhe krijojnë përshtypjen se ajo është gjerësisht e pranishme në vendet fqinje, anëtare të BE-së:

Kroatët pushtojnë ambasadën ruse, duan të vaksinohen me Sputnik V

Faqja e agregatorit Time.mk me linke të artikujve (11.2.2021) bazuar në deklaratën e Ambasadës Ruse në Kroaci (08.2.2021), në të cilën përmendet se gjoja “kanë marrë një sërë pyetjesh” nga qytetarët në lidhje me blerjen e vaksinave. Shumë media maqedonase përdorin tituj sensacional si “Kroatët duan vaksinën ruse, djegin telefonat në ambasadën ruse në Zagreb”, “Ambasada ruse nën rrethimin e kroatëve për vaksinën”, “Kroatët pushtojnë ambasadën ruse në Zagreb…”. Në raportime të ndryshme alarmohet për “dhjetëra e dhjetëra”, deri në “qindra” e “mijëra” kroatë, mbështetur edhe me fotot e njerëzve. E vërteta është se nuk ka pasur asnjë tubim dhe fotografitë në të cilat shihen mijëra njerëz, janë nga një protestë kundër masave epidemiologjike në sheshin kryesor në Zagreb, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me ambasadën, të mbajtura një javë më parë (3 shkurt 2021).

Në artikujt në mediat maqedonase ose në rrjetet sociale, vaksina “Sputnik V” (prodhuar në Rusi) në asnjë moment nuk shoqërohet me ndonjë formë të qëllimeve negative, efekteve anësore apo mënyrave të imagjinuara të kontrollit (çipim, vrasje), gjë që është bërë në mënyrë të përsëritur me vaksinat e prodhuara në vendet e Evropës Perëndimore. Ky informacion ndahet veçanërisht përmes rrjeteve sociale:

Vaksina ruse Sputnik V ka vërtetuar tashmë sigurinë dhe efikasitetin e saj. Pas marrjes pothuajse nuk ka asnjë efekt të pakëndshëm, anësor, ndryshe nga vaksinat e tjera të përdorura në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Shumë pak media maqedonase raportojnë dhe shpjegojnë pse vaksina ruse nuk njihet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe autoritetet shëndetësore dhe qeveritare në një numër vendesh – sepse prodhuesi nuk ka ofruar informacion të plotë për prodhimtarinë dhe provat klinike në OBSH.

Mungojnë edhe shumë/informacione të detajuara për reagimet e mundshme negative nga vaksina ose pasojat afatgjate, ndryshe nga informacionet e tilla për vaksinat e tjera (të zhvilluara nga vendet e Evropës Perëndimore). Kjo nuk i pengon mediat të formulojnë mesazhe që mund të perceptohen si rekomandim në lidhje me vaksinën ruse.

Informacionet më tej përmirësohen dhe zgjerohen edhe në mediat që kanë vlerësim relativisht të lartë dhe kanë ekzistuar prej kohësh:

Vaksinat kryesore të prodhuara në Perëndim kanë pothuajse të gjitha probleme. Ose problemi është në procesin e prodhimit (dhe shpërndarjes), ose është përcaktuar se do të jenë të disponueshme më vonë (dhe Evropa nuk ka kohë për të vonuar), ose studimet e reja sugjerojnë se këto vaksina mund të jenë më pak efektive në krijimin e imunitetit ndaj variacioneve të reja të koronavirusit, që u shfaqën si pjesë e kësaj pandemie.
Papritur, vaksinat që “as nuk duhej të ishin përmendur” jo vetëm që janë të mira, por edhe të lavdëruara, veçanërisht Sinofarm e Kinës dhe Sputnik V e Rusisë (pas publikimit të sturimit në revistën mjekësore “Lanset”).

Madje këto media madje edhe nxirret përfundim se ka presion të drejtpërdrejtë ndaj Rusisë nga ana e Perëndimit:

Një gjë ka qenë konstante vitet e fundit, për gati dhjetë vjet – presioni i Perëndimit ndaj Rusisë.

Gjithashtu nuk është sekret se gjatë gjithë kësaj kohe Evropa ka qenë bartëse e politikës amerikane ndaj Rusisë, politikë që vjen deri te “izolimi dhe rrethimi” i Rusisë.

Por Evropa “dëshiron të ndërhyjë” në punët e brendshme të Rusisë.

Pa asnjë të dhënë reale, përhapen informacione se edhe vendet e Evropës Perëndimore (shtetet anëtare të BE-së) kërkojnë vaksinat Sputnik V (si më pak të dëmshme, por edhe me shumë të mira brenda vetes):

Disa anëtarë të BE-së drejtohen kah Rusia dhe Kina, madje edhe presidenti francez Macron, pyet nëse tani vaksinat AstraZeneca (dhe prodhuesit e tjerë perëndimor të vaksinave ) ia vlen të merren.
Duket se vështirësitë në dhënien dhe ruajtjen e vaksinës AstraZeneca-Oxford, të kombinuara me pyetjet pa përgjigje në lidhje me efikasitetin dhe sigurinë e vaksinës, po bëjnë që kërkesa të bie, jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, por në të gjithë Evropën.

Si rezultat i gjithë kësaj, një pjesë e madhe e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut janë pro vaksinës ruse, siç përshkruhet në artikullin me titull “Sputnik V, ku je?” Maqedonasit ëndërrojnë vaksinat ruse!

Pavarësisht se në vendin tonë një numër i madh i qytetarëve do të donin të vaksinoheshin me “Sputnik V”, siç tregon sondazhi i “Makfax”, sipas të cilit një e treta e qytetarëve të anketuar kanë zgjedhur vaksinën ruse, por edhe sipas informacioneve se maqedonasit që u vaksinuan në Serbi zgjodhën vaksinën e prodhuesit rus, për momentin autoritetet në Maqedoni nuk mund ta ofrojnë këtë, thuhet në artikull.

Pretendimi se “Sputnik V” është vaksinë më e mirë vazhdon edhe sot e kësaj dite, ndërsa plasohen edhe pretendime (plotësisht të pakonfirmuara) se kjo vaksinë mbron nga llojet dhe nënllojet e reja të virusit.:

Sputnik V ofron mbrojtje më të mirë kundër omicronit sesa vaksina Pfizer

E gjithë kjo përditësohet me artikuj që përshkruajnë barnat për Covid-19 të promovuara dhe të përdorura tashmë në Rusi, madje edhe të regjistruara zyrtarisht:

Rusia ka regjistruar një sprej kundër Covid-19, pacientët shërohen për vetëm tetë ditë

Mozaiku plotësohet nga një numër artikujsh që promovojnë gjetje specifike nga shkencëtarët rusë që ndihmojnë në luftimin e Covid-19, si p.sh. “Shkencëtarët në Universitetin Shtetëror të Shën Petersburgut: Vaksinimi kundër tuberkulozes mund të zvogëlojë përhapjen e Covid-19 dhe të lehtësojë përparimin e tij” dhe “Rusia po zhvillon një vaksinë unike kundër koronavirusit”.

Shkencëtarët rusë po punojnë për të zhvilluar një vaksinë unike që do të mbrojë njëkohësisht si nga gripi ashtu edhe nga koronavirusi, tha të mërkurën drejtori i përgjithshëm i Qendrës Kombëtare për Kërkime Mjekësore “Almazov”, Evgeny Shakhto.

Kjo kompletohet me informacione të pasakta ose të munguara (veçanërisht në fillim të pandemisë) për gjendjen reale me Covid-19 në Rusi, numrin e rasteve dhe vdekjeve.

Në përgjithësi, sipas vlerësimeve të presidentit rus Vladimir Putin, numri i rasteve me COVID-19 aktualisht është në rënie dhe “pandemia me të vërtetë gradualisht po hiqet”.

Grupi i tretë i teksteve ndërton/konfirmon besimin ndaj Rusisë në rastin e përballjes me pandeminë me pretendimin se Rusia kujdeset për njerëzit, jo për të ardhurat.

Prej atje njoftojnë se qytetarët e Maqedonisë mund të kenë qasje në vaksinën ruse nëse qeveria vendos të blejë vaksinën ruse dhe Fondi i Investimeve Direkte Ruse është i gatshëm të fillojë negociatat, duke përfshirë dërgimin e vaksinës, e cila “me siguri do të jetë në dispozicion me çmimin më konkurrues”.

Në media nuk ka asnjë informacion për shumën e fitimeve të kompanive farmaceutike në Rusi, shtetit apo individëve lidhur me vaksinën kundër Covid-19 (krijohet përshtypja se ky është një akt i vullnetit të mirë, ose tarifë minimale), për dallim nga numri i madh i informacioneve të tilla në lidhje me vaksinat e tjera.

 

Т Një postim në Twitter që nuk ka link me revistat shkencore të përmendura dhe tekstin: “Vaksina ruse Sputnik V është produkt i një instituti ushtarako-shkencor, jo i një kompanie farmaceutike. Thonë se vepron ndaj të gjitha llojeve të koronës. E fundit nga Lancet është se është 91% efekase dhe nuk ka efekte anësore të mëdha. “AstraZeneka britanike punon me rusët”.

Perceptimi se Rusia punon për të mirën e njerëzve, jo për përfitime, përforcon transmetimin e deklaratave të tilla si:

Shkencëtari theksoi se Rusia mund të jetë donator efikas dhe ekonomikisht fitimprurës i dërgesave të vaksinave në vendet që nuk kanë vaksinat e tyre, me qëllimin e vetëm për të mbrojtur popullsinë botërore nga Covid-19.

 

Keqpërdorimi i besimit si mjet për ndikim politik

Ndikimi që përdor besimin si mjet, mund të jetë shumë i fuqishëm dhe i vështirë për t’u zbuluar.

Pandemia dhe përballja me të hapi dyert për dy linja të ndikimit të Rusisë përmes mediave dhe rrjeteve sociale në Maqedoninë e Veriut.

Linja e parë fokusohet në forcimin e besimit ekzistues në Rusi dhe zgjerimin dhe përmirësimin e tij, duke përdorur promovimin e drejtpërdrejtë të përfshirjes së Rusisë në trajtimin e pandemisë, futjen indirekte të informacioneve plotësisht të paverifikuar për Rusinë në përpjekjet për të menaxhuar me pandeminë globalisht dhe akuzat e drejtpërdrejta ndaj Qeverisë aktuale të Maqedonisë së Veriut për mungesën e bashkëpunimit më të madh me Rusinë.

Megjithatë, shumë më problematike dhe më e frikshme është linja e dytë e ndikimit e cila bazohet në krahasimin e Rusisë dhe BE-së dhe SHBA-së, me qëllim për të ndërtuar elementë mosbesimi ndaj BE-së dhe SHBA-së bazuar në të dhëna të njëanshme, të paplota dhe/ose jo- ekzistuese, dehumanizimin e tyre dhe krijimin e dyshimeve të vazhdueshme, manipulimit dhe qëllimet e liga dhe/ose dëshirë e thjeshtë për të fituar.

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.