BE-ja nuk e vendos kredinë sociale të Kinës për të kontrolluar dhe gjurmuar njerëzit

Фото: Принтскрин видео

Sistemi i kreditimit social të Kinës është mjaft i ndryshëm nga propozimi ligji për inteligjencë artificiale i Bashkimit Evropian. Bota demokratike është e tmerruar nga praktika e Kinës për përdorimin e biometrikës dhe njohjes së fytyrës për kontrollin e popullsisë. Askund në ligjin e propozuar të BE-së për inteligjencën artificiale nuk thotë se çdo njeri do të shënohet dhe kontrollohet, aq më pak do të shkatërrohet. Përkundrazi, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe privatësisë theksohet në të gjitha pjesët e ligjit

 

Recensojmë një postim në rrjetin social Facebook, në të cilin pretendohet se Bashkimi Evropian do të vendos kredinë sociale kineze, ndërsa çdo person do ta shënohet, kontrollohet dhe shkatërrohet. Kjo është një gënjeshtër e pamenduar.

Në postim thuhet:

BE totalitarizëm. Kredia sociale kineze në BE. Çdo e mirë në formë njerëzore do të shënohet, kontrollohet dhe shkatërrohet. 

Zombifikimi është vetëm fillimi. 

Ndërsa GJITHÇKA ishte vetëm teori konspiracioni.

Në postim shpërndahet gjithashtu video të një fjalimi të eurodeputetit rumun, Christian Terhes, në të cilin ai pretendon se kredia sociale e Kinës po vjen në Evropë dhe po krijohet sistem për të monitoruar, kontrolluar dhe kufizuar të drejtat e qytetarëve evropianë.

Kjo nuk është e vërtetë. BE ka përgatitur një projektligj për inteligjencën artificiale, por nuk ka pika as pika të përafërta me kredinë sociale të Kinës. Vendet demokratike janë tmerruar nga kredia sociale e Kinës dhe në kundërshtim me pretendimin e autorit, projektligji i propozuar për inteligjencën artificiale (IA) ndalon përdorimin e IA për mbikëqyrje masive dhe vlerësime të kredisë sociale.

Çfarë në fakt paraqet kredia sociale e kinës?

Sistemi i kredisë sociale i Kinës është sistem i madh i të dhënave për gjurmimin dhe formësimin e sjelljes së biznesit dhe qytetarëve, dhe ai arrin përtej kufijve të Kinës.

Sistemi, përdoret për gjurmimin masiv, një seri procesesh të mundësuara nga të dhënat e mëdha dhe inteligjenca artificiale që në mënyrë efektive u japin subjekteve vlerësim të kredisë sociale bazuar në sjelljen e tyre sociale, politike dhe ekonomike.

Personave me rezultate të ulëta mund t’u ndalohet qasja në shërbime të caktuara, duke përfshirë fluturimet dhe udhëtimet me tren, ose të futen në listën e zezë, ndërsa ata me rezultate të larta mund të kenë qasje në privilegje.

Kritikët e sistemit të kredisë sociale të Kinës thonë se ai është një mjet i mbikëqyrjes sociale dhe shtypjes politike, por qeveria kineze thotë se është mënyrë për të rritur efikasitetin administrativ dhe për të inkurajuar besimin dhe sjelljen morale midis qytetarëve të saj.

Njerëzit mund të futen në listën e zezë për shkelje të tilla si pirja e duhanit në trena, përdorimi i biletave të skaduara ose mospagimi i gjobave, si dhe përhapja e informacionit të rremë ose shkaktimi i telasheve në fluturime, sipas deklaratave të lëshuara nga Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës i Kinës në mars. Qytetarët me rezultate të larta krediti mund të kenë qasje në hotele, shtëpi me qira dhe madje edhe shkolla; ndërsa atyre me rezultate të dobëta krediti mund t’u ndalohet përkohësisht ose përgjithmonë të udhëtojnë me aeroplanë ose trena, siç ndodhi me 6.15 milionë njerëz në 2017, sipas të dhënave të vetë qeverisë, raporton Guardian në tekstin e saj të botuar në qershor 2018.

Çfarë përmban projektligji për inteligjencën artificiale i BE-së?

Përkundër kredisë sociale të Kinës, ligji i propozuar i BE-së për IA ndalon përdorimin e inteligjencës artificiale për mbikëqyrje masive dhe vlerësime të kredisë sociale.

Përdorimi i softuerit të inteligjencës artificiale për të gjurmuar dhe renditur në masë sjelljet shoqërore së shpejti mund të ndalohet në Evropë, sipas projektligjit. Në dokumentin prej 81 faqesh thuhet se:

Vëzhgimi pa kriter i personave fizikë duhet të ndalohet kur zbatohet në mënyrë të përgjithësuar për të gjithë personat pa dallim.

Në tetor 2020, Parlamenti Evropian miratoi një numër rezolutash në lidhje me inteligjencën artificiale, duke përfshirë etikën, përgjegjësinë, të drejtën e autorit, inteligjencën artificiale në çështjet penale dhe inteligjencën artificiale në arsim, kulturë dhe sektorin audiovizual.

Për vlerësimin e kredisë sociale, i cili përdoret tashmë në Kinë për të parandaluar njerëzit të udhëtojnë nëse kryejnë “krime sociale”, projektligji thotë: “Sistemet e inteligjencës artificiale të përdorura për vlerësimin social për qëllime të përgjithshme duhet të ndalohen”, njoftoi CNBC në prill 2021.

Rezoluta e Parlamentit Evropian për kuadrin e aspekteve etike të inteligjencës artificiale, robotikës dhe teknologjive të ngjashme rekomandon në mënyrë specifike Komisionin të propozojë veprime legjislative për të shfrytëzuar mundësitë dhe përfitimet e inteligjencës artificiale, por në radhë të parë dhe vendimtare për të siguruar mbrojtjen e parimeve etike, thuhet në projektligj.

Inteligjenca artificiale nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por një mjet që duhet t’i shërbejë njerëzve me qëllimin përfundimtar të rritjes së mirëqenies njerëzore. Rregullat mbi inteligjencën artificiale të disponueshme në tregun e BE-së ose që prekin ndryshe qytetarët e Unionit duhet t’i vënë njerëzit në qendër, në mënyrë që ata të mund të besojnë se teknologjia po përdoret në mënyrë që është e sigurt dhe në përputhje me ligjin, duke përfshirë respektimin e të drejtave themelore të njeriut.

Më 28 shtator 2022, Komisioni përmbushi objektivat dhe kërkesën e Parlamentit Evropian me Propozimin për Direktivën e Përgjegjësisë për Inteligjencën Artificiale (AILD).

Para miratimit të projektligjit, publiku ishte i përfshirë. Konsultimet ishin të hapura nga 18 tetori 2021 deri më 10 janar 2022, për të mbledhur pikëpamjet nga të gjitha palët e interesuara, duke përfshirë: konsumatorët, organizatat e shoqërisë civile, industrinë, shoqatat, bizneset, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe autoritetet publike. Pas analizimit të të gjitha përgjigjeve të marra, Komisioni shpalli rezultat përmbledhës.

Projektligji është rezultat i analizës 4-vjeçare dhe përfshirjes së ngushtë të aktorëve, përfshirë akademikë, biznese, shoqata të konsumatorëve, shtete anëtare dhe qytetarë. Puna përgatitore filloi në vitin 2018 me krijimin e Grupit të Ekspertëve për Përgjegjësi dhe Teknologji të Reja. Grupi i ekspertëve prodhoi një raport në nëntor 2019 që vlerësoi sfidat që paraqesin disa veçori të inteligjencës artificiale për rregullat kombëtare të përgjegjësisë civile.

Përdorimet e dëmshme të IA që bien ndesh me vlerat e BE-së (siç është vlerësimi social nga qeveritë) do të ndalohen për shkak të rrezikut të papranueshëm që ato paraqesin, thuhet qartë në faqen zyrtare të Parlamentit Evropian.

Vitin e ardhshëm, Bashkimi Evropian mund të miratojë një ligj për inteligjencën artificiale që duhet të inkurajojë inovacionin dhe nga ana tjetër të parandalojë devijimet. Propozimi ndalon sistemet “qëllimi i të cilëve është të manipulojnë sjelljen, opinionin dhe vendimet” e qytetarëve.

Teksti parashikon kufizimin e programeve të vëzhgimit, me përjashtim të fushave të luftës kundër terrorizmit dhe shqetësimit për sigurinë publike.

Pra, sistemi i kredisë sociale të Kinës është mjaft i ndryshëm nga propozimi i IA të Bashkimit Evropian. Bota demokratike është e tmerruar nga praktika e Kinës për përdorimin e biometrikës dhe njohjes së fytyrës për kontrollin e popullsisë. Askund në ligjin e propozuar të BE-së për IA nuk thotë se çdo njeri do të shënohet dhe kontrollohet, aq më pak do të shkatërrohet. Përkundrazi, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe privatësisë theksohet në të gjitha pjesët.

Është absurde të pretendosh se “zombifikimi” po fillon. Zombi është term që përdoret për të treguar një person të vdekur të rikthyer në jetë me mjete magjike. Përdoret në mënyrë figurative për të treguar një person nën hipnozë, i pavetëdijshëm, por ende i aftë për të lëvizur dhe për t’iu përgjigjur stimujve të jashtëm. Kjo shprehje përdoret shpesh në teoritë konspirative, është përdorur në pandemi, veçanërisht për vaksinim.

Për shkak të fakteve të mësipërme, këtë postim e vlerësojmë si të rremë.


Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Promovimi i qasjes në lajme të besueshme për të luftuar dezinformatat, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre


 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.