Autostrada Shkup-Bllacë mbeti vetëm një premtim parazgjedhor
ARSYETIM:
Partitë qeveritare BDI-VMRO në të gjitha ciklet zgjedhore dhe programet e tyre premtonin ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë. Në vitin 2006 – VMRO – DPMNE njoftoi se në mandatin e vet katër-vjeçar do të realizojë këtë projekt. Vijojnë zgjedhjet në vitin 2008, sërish kjo rrugë është pjesë e programit zgjedhor. Pak më vonë me këtë premtim u bashkëngjit edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Në platformën zgjedhore të zgjedhjeve të vitit 2014 (faqe 249/11), BDI premtoi realizimin e këtij projekti duke dhënë vitin 2018 si afat të fundit për përfundimin e punimeve. Mirëpo, deri më tani (20.02.2017) ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret në realizimin e këtij projekti prandaj ky premtim është i parealizuar.
Projekti për ndërtimin e kësaj autostrade ishte premtim i BDI-së edhe në zgjedhjet e vitit 2014. Në prezantim të programit zgjedhorë, Musa Xhaferi nga BDI ka premtuar ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë si një nga projektet më të rëndësishme të BDI-së.
“Autostrada Shkup-Bllacë, rrugët Likovë-Gjilan, Llojan-Miratovcë, Stançiq-Bellanoc dhe Tanushë-Debëllde janë damarët që do të mbajnë të zhvilluar më mirë se kurdoherë lidhjet tona familjare, kulturore dhe ekonomike me Kosovën”. (burimi: Alsat-M, 26.03.2014)
Ndërkaq, një muaj pas ministri i euro-integrimeve, Fatmir Besimi para biznesmenëve të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, premtoi se nëse BDI fiton zgjedhjet partia e tyre do të punojë me përkushtim që të realizoj mes të tjerash edhe këtë projekt.
“Projekte strategjike që përmenden janë: Koridori 8, autostrada Shkup-Ohër-Strugë-Qafë Thanë dhe pastaj Shkup-Bllacë, që kanë qenë kërkesa edhe të OEMVP-së, rruga e Arbërit…”. (Alsat-M, 23.04.2014)
Në nëntorin e po të njëjtin vit, ish ministri i ekonomisë, Bekim Neziri, në mesin e projekteve të përbashkëta me Kosovën, shpalosi edhe autostradën në fjalë në konferencën për Ballkanin Perëndimor që u mbajt në Vjenë.
“Projekti i parë për të cilin ramë dakord si dy ministra është projekti infrastrukturor, rrugor i cili do të lidhë pikën kufitare Bllacë dhe Shkup”. (burimi: Alsat-M, 14.11.2014)
Një vit më pas, ish ministri i ekonomisë, Bekim Neziri premtoi edhe një herë që ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë mbetet prioritet për vitin e ardhshëm (2016).
“Sfidë ngelet përfaqësimi adekuat në këtë ministri dhe rruga Shkup-Bllacë për të cilën do të ketë ankand deri në fillim të vitit të ardhshëm”. (burimi: Portalb, 14.12.2015)
Edhe pse u premtua se në vitin 2016 projekti për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë do të jetë prioritet për BDI-në, në realitet nuk ishte ashtu. Në korrik të vitit 2016, nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve kishin deklaruar që projektimi i projektit është në rrjedhë.
“Në rrjedhë është projektimi i seksionit Shkup-Bllacë në gjatësi prej 12 km. Përmes një grandi nga ËBIF është nënshkruar marrëveshje për projektimin plotësues të firmës projektuese Mott MacDonald dhe IPF Consortium”. (burimi: Alsat-M, 24.07.2016)
Qeveria e Maqedonisë ka vendosur që kjo rrugë të ndërtohet me modalitetin privato-publik, por i gjithë projekti ende është në fazën fillestare. Deri më tani (20.02.2017) ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret në realizimin e këtij projekti, andaj sipas metodologjisë së Vërtetmatësit, sipas asaj që kemi arritur të vlerësojmë, këtë projekt e llogarisim si të parealizuar.
BURIME:
- Platforma zgjedhore e Bashkimit Demokratik për Integrim, zgjedhjet 2014 (faqe 249/11);
- |26.03.2014| BDI prezanton projektet në infrastrukturë, kryefjala te Korridori 8 (Alsat-M, shkikuar më 20.02.2017)
- |23.04.2014| BDI prezanton programin ekonomik para OEMVP-së (Alsat-M, shkikuar më 20.02.2017)
- |14.11.2014| Maqedonia dhe Kosova me projekte të përbashkëta ekonomike (Alsat-M, shkikuar më 20.02.2017)
- |14.12.2015| Neziri: Ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë prioritet për vitin e ardhshëm (Alsat-M, shkikuar më 20.02.2017)
- |24.07.2016| BDI dhe VMRO harrojnë rrugën drejt Kosovës (Alsat-M, shkikuar më 20.02.2017)
Vlerësoi: Rabie Abazi
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari