Arsimi në RMV, në vend të progresit shënon regres, vërejtje ka edhe nga BE-ja
Maqedonia e Veriut ka bërë progres të kufizuar në fushën e arsimit, vendi nuk ka realizuar pjesën më të madhe të rekomandimeve të Komisionit Evropian nga viti 2020. Përderisa nga MASH thonë se kanë iniciuar shumë reforma, ekspertët alarmojnë se arsimi në vendin tonë është lënë pas dore. Reforma urgjente janë të nevojshme në shkollimin fillor, kushtet në shkollimin e mesëm lënë shumë për të dëshiruar. Problem shtesë është fakti se vlerësimi arsimit në shkollimin e lartë në Maqedoninë e Veriut nga organizatat botërore me relevancë nuk është bërë nga viti 2016, shkruan Portalb.mk.
Maqedonia u kritikua në Raportin vjetor të Komisionit Evropian, i cili e vlerësoi si të kufizuar progresin në fushën e edukimit dhe kulturës.
“Për sa i përket arsimit dhe kulturës, Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur. Progres i kufizuar është bërë gjatë periudhës raportuese duke marrë parasysh edhe situatën COVID-19 e cila preku thellësisht sistemin arsimor. Prezantimi i objektivave dhe treguesve për strategjinë gjithëpërfshirëse të arsimit 2018-2025 po përparon ngadalë, si dhe zbatimin e një sistemi të duhur monitorimi”, theksohet në Raportin e progresit.
Ngecjen e reformave në sferën e arsimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) e arsyetojnë me komplikimet që krijoji pandemia globale COVID 19.
“Shpërthimi i pandemisë Covid 19 ka krijuar sfida në funksionimin e të gjitha sistemeve, përfshirë arsimin. Në atë periudhë prioritare ishte mundësimi i mbarëvajtjes së procesit edukativo-arsimor nëpërmjet organizimit të mësimdhënies online, me qëllim zvogëlimin e pasojave në aspektin e njohurive të nxënësve, pra realizimin dhe zotërimin e të gjithë materialit mësimor të ofruar në vitin shkollor. Tani sistemi arsimor është përshtatur me rrethanat e jashtëzakonshme”, thanë për Portalb.mk nga MASH.
Nga MASH thonë se kanë strategji specifike për arsimin 2018-2025, një program të ri pune, por edhe një sërë reformash të iniciuara që do të intensifikohen në periudhën në vijim. Raporti i progresit vuri në pah se rekomandimet që KE i bëri Maqedonisë në vitin 2020 janë plotësuar pjesërisht, kështu që pjesa më e madhe e tyre ri-rekomandohet të realizohet gjatë vitit 2022.
- Zbatimi i kornizës strategjike për arsimin dhe veçanërisht objektivat për arsimin parashkollor dhe reformën e Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP);
- Të përmirësojë mbështetjen për trajnimin dhe zhvillimin profesional të mësuesve dhe të sigurojë se ekziston një proces vlerësimi efektiv;
- Përmirësimi i qasjes në arsim cilësor për të gjithë, veçanërisht fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga komunitetet rome, dhe rritja e regjistrimit në arsimin parashkollor.
Edhe përkundër vërejtjes se vendi duhet të sigurojë më shumë mbështetje për kuadrin profesional arsimor nga MASH thonë se ata vazhdimisht po punojnë në këtë drejtim.
“Në këtë drejtim, në 4 vitet e kaluara pagat e mësimdhënësve janë rritur mesatarisht për 4 mijë denarë, në vazhdimësi ofrohen trajnime pikërisht për shkak se në arsimin fillor kanë filluar ndryshimet me të cilat fillimisht duhet të njihen mësimdhënësit. Janë publikuar thirrjet për avancim në titullin mentor, ku të gjithë mësimdhënësit që kanë aplikuar dhe kanë plotësuar kushtet, e kanë ushtruar këtë të drejtë dhe kanë fituar titullin mësues-mentor. Gjithashtu, me iniciativë të MASH, Qeveria ka propozuar ndryshime në Ligjin për mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë profesional në shkollat fillore dhe të mesme, i cili është në procedurë parlamentare, por fatkeqësisht diskutimi është bllokuar nga disa deputetë, edhe pse synimi është që me çdo rritje të pagës minimale të lejohet rritje e vazhdueshme e pagave, pagesa e shtesave të pagave që nuk janë paguar në të kaluarën për shkak se nuk ka pasur bazë ligjore. Ligji parashikon edhe transformimin e punësimit me afat të pacaktuar të të gjithë atyre që aktualisht janë të angazhuar me kontratë për një periudhë të caktuar, si dhe mbështetjen e vazhdueshme dhe avancimin në karrierë të mësuesve”, bëjnë të ditur nga MASH.
Reformat në shkollimin fillor janë më se të nevojshme dhe urgjente
Eksperti dhe studiuesi i çështjeve të arsimit, Artan Limani, vlerëson se sistemi i arsimit, i lënë në rend të fundit të prioriteteve të shtetit, me pandeminë jo vetëm që u gjunjëzua por edhe u thye tërësisht.
“Shkollimi i mirëfilltë ngelën të jetë katalizator për ndryshim në politikë, ekonomi, shoqëri, teknologji, ekologji, dhe më tej. Për fat të keq, në Maqedoninë e Veriut, shkollimi ngelën t’i takojë kohës Viktoriane. Përderisa shtetet e zhvilluara janë duke kthyer sfidat në mundësi për zhvillim, në shtetin tonë kjo jo vetëm që nuk ndodh por edhe nuk flitet aspak për një strategji zhvillimi. Pandemia e vendosi komplet sistemin e arsimit në një kurth të cilin vet sistemi e kishte krijuar ndër vite. Duke mos u angazhuar për të inicuar mësim te kombinuar (online dhe fizik) me kohë, sistemi i papërgatitur u fut në kurthin e vet”, u shpreh për Portalb.mk, profesori universitar Artan Limani.
“Në kontekst global, sipas Esposito dhe Tse, 65% e fëmijëve që tash janë në shkollë fillore do të punojnë diçka që ende nuk ekziston. Nga një studim të vitit 2017, i bërë nga platforma Upwork, shihet se njerëzit që punojnë nga shtëpia për një kompani për një vit të tërë dhe për një kompani tjetër vitin e ardhshëm, së shpejti do të përbëjnë shumicën e të punësuarve në SHBA. Si rezultat, Esposito dhe Tse sugjerojnë që filozofia e shkollimit duhet të bazohët në:
- Kodim apo aftësim digjital;
- Komunikim apo aftësi për të komunikuar në kontekst global;
- Kreativitet apo në zhvillim të potencialit kreativ që fëmijët e kanë; dhe
- Vetëbesim apo ngritje të vetëbesimit te nxënësit
Sugjerimet e Esposito dhe Tse janë më se të rëndësishme për ndryshimet që duhet të implementohen në çdo sistem të arsimit në botë, duke inkuadruar edhe shtetin tonë. Si rezultat, sugjerimi im është të bëhet një bashkë dyzim i sugjerimeve të Esposito dhe Tse me qasjen që implementon Finlanda, një shtet i cili rangohet ndër tre sistemet më funksionale në botë. Jam i vetëdijshëm që skeptikët do të përqendrohen te më e lehta dhe do të thuan se ne nuk jemi Finlanda! Për ato kam vetëm një sqarim dhe ju them që të gjithë fëmijët kudo në botë janë të barabartë pasi që krejt ata lindin me potencial të lartë“, shton më tej Artan Limani.
Shteti ndan shumë pak para nga buxheti për shkollat
Nga viti 2016 në RMV nuk është bërë vlerësim i Universiteteve
Situata aktuale duket pesimiste edhe sa i përket cilësisë së arsimit në shkollimin e lartë. Vlerësimi i Universiteteve në vendin tonë nga institucione relevante ndërkombëtare nuk është bërë nga viti 2016.
- Mësimdhënie;
- Mësim-nxënie;
- Hulumtim;
- Shërbimi i universitetit ndaj komunitetit.
Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari