ANALIZË: Vlerësim për vitin ekonomik 2023 të Maqedonisë së Veriut
Një konflikt i ri i armatosur që solli rreziqe të reja për ekonominë globale. BPM-ja vazhdoi të “shtrëngojë” politikën monetare, e cila rezultoi në kamata të larta interesi bankare për kreditë. Inflacioni është “frenuar”, por ende mjaft i lartë për të “ngrënë” standardin e jetesës. Vlerësimi për vitin ekonomik 2023 përmes analizës së ekonomistëve dhe analistëve për Portalb.mk.
Viti 2023 – vit krize që nuk u shfrytëzua si “shans” për ndryshime…
Çmimet e ushqimeve po rriteshin, ndërsa përqindjet e rritjes ekonomike po “shkriheshin”. Edhe në vitin 2023 standardi i jetesës ishte nën sulm – vlerëson profesori universitar dhe një nga ish-ministrat e financave, Nikolla Popovski.
“Këto trende janë specifike edhe për Maqedoninë. Për të dytin vit radhazi kemi inflacion të konsiderueshëm, i cili kumulativisht është shumë i lartë dhe kjo sjell shumë probleme si në aspektin e prodhimit ashtu edhe në atë të konsumit. Ai prek veçanërisht ato pjesë të popullsisë që jetojnë me të ardhura mujore në bazë të punësimit, me ç’rast një pjesë e madhe e shpenzimeve të tyre shkojnë për nevojat e domosdoshme për ushqim, energji dhe nevojat e tjera elementare, e në këtë kategori bëjnë pjesë mbi tre të katërtat e popullsisë”, thotë për Portalb.mk profesor Popovski.
Edhe pse pati një lehtësim të “krizës së energjisë” në vitin 2023, rreziqet mbetën. Sipas gazetarit Mirçe Jovanovski, po lëmë pas një vit në të cilin munguan reformat, mirëpo në anën tjetër janë “shuar zjarret” si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë social.
“Këtu, mbi të gjitha, mendoj për luftën kundër ekonomisë gri, e cila është parakusht për taksimin më të drejtë të qytetarëve dhe kompanive, pa futur me këtë rast asnjë taksë “solidariteti”. Rezulton se në radhë të parë barra bie mbi ata që janë të ndërgjegjshëm, ndërsa të tjerët që, kushtimisht thënë, janë “në hije”, vazhdojnë të gërryejnë bazën ekonomike të shtetit. Fakti që ekonomia gri në vendin tonë është midis 25 dhe 40 për qind të PBB-së tregon se çfarë “rezervuari” i të ardhurave qëndron në luftimin e saj. Edhe një herë u dëshmua se deklaratat politike nuk ndihmojnë në këtë luftë, por se është i nevojshëm vullneti i fortë politik”, thotë Jovanovski.
Sipas vlerësimeve të ekonomistëve, këtë vit do ta mbyllim me një rritje modeste prej rreth 1,5%. Përqindja e inflacionit do të jetë njëshifror, por afër dyshifrores, ndërsa papunësia do të jetë 12-13%, që konsiderohet e ulët, por në të njëjtën kohë për shkak të shkallës së aktivitetit të popullsisë prej 65,6%, profesor Popovski mendon se po përballemi me një përqindje të lartë të “papunësisë së fshehur”.
“Kësaj i duhet shtuar edhe rritja e domosdoshme e përqindjeve të kamatave, që për shkak të rritjes së madhe relative, shumë subjekteve ekonomike, por edhe konsumatorëve u shkaktoi probleme serioze. Për një ekonomi me nivel zhvillimi si kjo e jona, lëvizjet e tilla nuk janë aspak inkurajuese. Nëse kësaj ia shtojmë faktin se deficiti tregtar në këtë vit 2023 do të arrijë një nivel mbi 2,6 miliardë euro, kemi një nivel relativisht të lartë të deficitit fiskal të pushtetit të përgjithshme prej rreth 4% të PBB-së dhe një nivel serioz të borxhit publik që vazhdimisht pretendon të arrijë nivelin kritik prej 60% të PBB-së”, vlerëson Popovski.
Sipas Jovanovskit, edhe pse ekonomia ishte në rrezik, kriza nuk është shfrytëzuar si “shans” për ndryshime.
“Sa i përket vlerësimit për vitin 2023, do të veçoja edhe një gjë – e ajo është se ne nuk e shfrytëzuam krizën si mundësi, gjegjësisht një shans, të cilin politikanët e përsërisin prej tre-katër vitesh. Gjithsesi, arsyetimi mund të gjendet në shumë faktorë të jashtëm të pafavorshëm, zinxhirët e ndërprerë të furnizimit, rënia e porosive nga partnerët tanë tradicionalë tregtarë, çmimi i energjisë, inflacioni i lartë, etj., por megjithatë, unë mendoj se çelësi qëndron në reformat më të guximshme ekonomike”, vlerëson Jovanovski.
Një pjesë e rreziqeve do të barten edhe në vitin 2024. Cilat janë parashikimet dhe pritjet e analistëve – në Analizën e re të radhës.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari