ANALIZË: RMV, borxhe prej 1 miliard eurosh do të maturojnë çdo vit – po shqyrtohet shlyerja e parakohshme

Фото: Порталб

Euro-obligacione të reja, kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare, huamarrje në tregun e brendshëm, emetim i obligacioneve të reja civile dhe të gjelbra – të gjitha opsionet janë në tavolinë si burime të financimit të “minusit” buxhetor. Në Strategjinë e re të rishikuar fiskale 2023-2028, të miratuar në paketë me Buxhetin e ri 2024, theksohet edhe mundësia e shlyerjes së parakohshme të një pjese të borxheve, të cilat tashmë në vitin 2025 do të kalojnë vlerën 1 miliard euro, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Rritje më e lartë ekonomike, rroga më të larta, inflacion më i ulët… 

Skenari optimist ekonomik i qeverisë në Strategjinë e re fiskale – rritja e PBB-së do të jetë mbi 3%, punësimi dhe investimet do të rriten, ndërsa papunësia dhe inflacioni do të ulen. Konkretisht, rritja e PBB-së këtë vit është pozicionuar në 3,4%, por vitin e ardhshëm pritet të kalojë 4%, ndërsa në vitin 2026 madje edhe më e lartë se 5%.

Rritje më e lartë ekonomike, rroga më të larta, inflacion më i ulët... Infografik nga Portalb.mk
Rritje më e lartë ekonomike, rroga më të larta, inflacion më i ulët… Infografik nga Portalb.mk

Parashikimet janë optimiste për inflacionin, i cili jo vetëm që pritet të jetë njëshifror, por edhe të bjerë nën 3%. Këtë vit dhe në vitet në vijim, pritet rritje e mëtejshme e rrogës neto – në vitin 2024, për 8,4%, e më pas pritet një ngadalësim i rritjes nominale të rrogës neto. Këtë vit, që në muajin mars, pritet një korrigjim i ri i rrogës minimale, gjë që do të riaktivizojë spiralen për rritjen edhe të rrogave të tjera. Krahasuar me Strategjinë Fiskale fillestare për të njëjtën periudhë të analizuar, në atë të rishikuarën, projeksionet për rritjen e PBB-së në vitin 2024 janë ulur, ndërsa inflacioni dhe rritja e rrogave neto janë rritur.

Këtë vit për shlyerjen e borxheve më shumë se 700.000.000 euro… 

“Faza e konsolidimit fiskal” – thuhet në Strategjinë e re Fiskale. Qeveria parashikon një ulje graduale të deficitit buxhetor, parashikim i cili u përcaktua si objektiv në vitet e kaluara, por nuk u realizua për shkak të krizës energjetike dhe më pas edhe për shkak të krizës ekonomiko-inflacioniste.

Deficiti buxhetor. Infografik nga Portalb.mk
Deficiti buxhetor. Infografik nga Portalb.mk

“Në periudhën afatmesme, politika fiskale parashikon konsolidim fiskal të shkallëzuar, me ç’rast projeksionet e reja fiskale, niveli vjetor i deficitit buxhetor është në përputhje me parashikimet në Strategjinë e mëparshme fiskale. Në të njëjtën kohë, deficiti buxhetor si përqindje e PBB-së zvogëlohet në 4,8% në vitin 2023, 3,4% në vitin 2024, 3,0% në vitin 2025, 3,0% në vitin 2026, 2,8% në vitin 2027 dhe 2,5% në vitin 2028” – thuhet në Ministrinë e Financave.

Deficiti buxhetor do të financohet me kredi nga jashtë dhe nga vendi, ndërsa Qeveria e shqyrton mundësinë e shlyerjes së parakohshme të një pjese të borxhit – obligimet për kthim të borxheve vitin e ardhshëm do të kalojnë 1 miliard euro.

Shlyerja e borxheve. Infografik nga Portalb.mk
Shlyerja e borxheve. Infografik nga Portalb.mk

“Për të optimizuar pagesat dhe për të reduktuar rrezikun e rifinancimit, Ministria e Financave do të vazhdojë të emetojë obligacione shtetërore me maturim më të gjatë dhe lloje të ndryshme obligacionesh (p.sh. obligacione civile, obligacione projektesh etj.), duke e ulur kështu rrezikun e rifinancimit të borxhit. Për të menaxhuar në mënyrë efikase borxhin publik, Ministria e Financave në periudhën afatmesme do ta monitorojë edhe mundësinë e shlyerjes së mundshme të parakohshme të një pjese të borxhit, gjegjësisht arritjes së një afati, strukture valutore dhe kamate të borxhit më të favorshme” – thuhet në Strategjinë Fiskale.

Borxhi i përgjithshëm publik në fund të shtatorit të vitit të kaluar ishte 55,3%, ndërsa sipas objektivit të përcaktuar, borxhi shtetëror nuk duhet të kalojë 60% të PBB-së. Sipas vlerësimeve, borxhi publik këtë vit do të arrijë në 63,2%.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.