ANALIZË: Presioni i çmimeve – karburante, metale, produkte të importuara më të shtrenjta (Infografik)

Inflacioni do të rritet, por norma mesatare nuk do të kalojë 3%. Këto janë pritjet e analistëve të listuar në anketimin e ri të Bankës Popullore. Është e qartë se Maqedonia nuk është e kursyer nga “cunami” i çmimeve – karburante, metale, produktet të importuara më të shtrenjta, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. A është kjo valë e një natyre të përkohshme dhe a ka Qeveria një plan për të zbutur pasojat e rritjes së mundshme të inflacionit?  

Karburantet me çmime “piku” – një pjesë e kompanive të transportit me “dry” në derë

“Sa i përket inflacionit, pritjet për vitin 2021 tregojnë një normë mesatare prej 2.8%, krahasuar me 2.3% në anketimin e mëparshëm. Pritshmëritë për 2022 dhe 2023 janë gjithashtu më të larta, domethënë të anketuarit presin që norma e inflacionit të jetë 2.5% në 2022 (2.1% në anketën e mëparshme) dhe 2.3% në 2023 (2.0% në anketën e mëparshme)”- thuhet në Anketën e re për pritjet e inflacionit dhe pritjet për lëvizjen e PBB -së reale të publikuara nga Banka Popullore.

Presioni i çmimeve intensifikohet. Javën e kaluar, çmimet e karburantit arritën nivel të ri rekord – Eurosuper BS 95 u shit për 75.5 denarë për litër dhe Eurosuper BS 98 për 77.5 denarë për litër. Çmimi i karburanteve së bashku me çmimin e energjisë elektrike janë një nga inputet kryesore nga të cilat varen çmimet e ushqimeve bazë. A do të shtrenjtohen çmimet e transportit? Shoqata e Transportuesve “Makam -trans” thonë se ata po përballen me probleme të mëdha – nga njëra anë për shkak të pandemisë KOVID nuk mund të rrisin çmimet dhe nga ana tjetër kompanitë e transportit po numërojnë humbje, disa madje edhe po mbyllen.

“Shumë kompani transporti po përpiqen të mbijetojnë. Kur çmimet e karburantit ranë në Evropë,  tek ne u rrit akciza. Në atë kohë ne nuk ishim në gjendje të reagonim me rritjen e çmimit të transportit për shkak të pandemisë. Tani çmimet e karburantit po rriten në të gjithë botën – ne nuk mund të reagojmë përsëri për disa arsye.  Disa nga kompanitë ende nuk po punojnë me kapacitet të plotë, kështu që ka ofertë më të madhe në treg sesa kërkesa për shërbime transporti. Për më tepër – shumë nga shoferët tanë profesionistë tashmë kanë shkuar jashtë vendit – duke punuar për kompani të huaja. Në kushte të tilla, ne nuk mund të rrisim çmimet, edhe pse përdoruesit e transportit, gjegjësisht kompanitë, tashmë po llogaritin dhe përfshijnë rritjen e çmimit në produktet përfundimtare”- thotë Biljana Muratovska nga Makam-trans për Portalb.mk.

Paralajmërojnë se disa kompani tashmë po vënë drynin “derës”.

“Sektori i transportit po përballet me probleme të mëdha. Ka kompani që mbahen gjallë vetëm për shkak të rimbursimit të TVSH -së, por ka kompani që tashmë po mbyllen sepse nuk mund të mbijetojnë, nuk ka punë dhe ajo që kanë nuk është fitimprurëse. Shoferët dhe pronarët e bizneseve shpenzojnë para personale duke i investuar ato për të mbajtur kompanitë në këmbë. Në nivel vjetor, edhe nga 10% të kërkesave që kemi, nuk mund t’i mbledhim”- thotë Muratovska.

Për nëntë muaj inflacion në nivelin 2.8% – tani për tani BPRM pa ndërhyrje..

Ndërsa transportuesit po përpiqen të mbijetojnë pa rritur çmimet – produktet përfundimtare, veçanërisht ato të importuara, tashmë po bëhen më të shtrenjta. Por ka një rritje të çmimeve për produktet vendase – në industritë e qumështit, furrës dhe vajit.

Nga janari deri në shtator të këtij viti, në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kostoja e jetesës (inflacioni) u rrit më së shumti për vajrat dhe yndyrat deri në 23.2% dhe për karburantet e lëngëta me 24.1%.

Infografik, rritja e kostove
Infografik, rritja e kostove

Në periudhën e analizuar, nga janari deri në shtator 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2020, kostoja e jetesës sipas Entit të Statistikor u rrit me 2.8% – ose ky është inflacioni. Çmimet me pakicë në periudhën e analizuar u rritën me 3.7%.

Ekonomistët gjejnë disa faktorë që kontribuojnë në rritjen e inflacionit.

“Të anketuarit shpjegojnë pritjet e tyre për inflacionin kryesisht me stabilizimin gradual të situatës të shkaktuar nga pandemia KOVID-19, e cila do të çonte në rritjen e kërkesës së brendshme, si dhe çmime më të larta të mallrave të importuara, siç janë çmimet e ushqimit dhe energjisë. Të anketuarit gjithashtu besojnë se masat monetare dhe fiskale dhe rritja e pagave do të kontribuonin në inflacion më të lartë” thanë analistët në Anketën e BPRM-së.

Situata me presionin e çmimeve po monitorohet nga afër, por tani për tani Banka Kombëtare nuk do të marrë masa për “shtrëngim” të mundshëm të politikës monetare.

“Ecuria e inflacionit është pak më e lartë se sa pritej dhe së bashku me rishikimet në rritje të çmimeve të importit tregojnë rreziqe të një inflacioni mesatarisht më të lartë se 2.2 përqind e parashikuar” thonë nga BPRM-së, duke njoftuar një rishikim në rritje të normës së inflacionit. Sidoqoftë – tani për tani nuk do të merren masa.

“Në mungesë të presionit nga ana e kërkesës, lëvizjet e moderuara rritëse të inflacionit tani për tani janë për shkak të faktorëve në anën e ofertës. Prandaj, tani për tani, nuk ka nevojë për një reagim monetar ndaj këtyre lëvizjeve të çmimeve, por ne do të vazhdojmë t’i monitorojmë nga afër, njoftoi Banka Kombëtare, roli kryesor i së cilës është të ruajë stabilitetin e çmimeve dhe kështu stabilitetin e valutës vendase.

Vendet në rajon dhe në botë po përballen me një cunami çmimesh, por edhe një krizë energjetike – ekonomistët vendas besojnë se presioni i çmimeve është i përkohshëm dhe se pasi të stabilizohet pandemia, me fundin e dimrit, çmimet pritet të stabilizohen. Qeveria njoftoi një ribalancim të mundshëm të Buxhetit për rishpërndarjen e fondeve që do të zbusnin pasojat e valës së çmimeve.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari