ANALIZË: (Pa)varësia financiare e fondeve shtetërore në RMV!

Фото: portalb.mk

Edhe vitin e ardhshëm dy fondet më të mëdha shtetërore do të mbështeten në para nga buxheti qendror. “Arka” e përgjithshme e Fondit Shtetëror të Sigurimeve Shëndetësore parashikohet në gati 600.000.000 euro, ndërsa e FSPIM-së pak më shumë se 1,3 miliardë euro. Të dy fondet për kryerjen e rregullt dhe të pandërprerë të funksioneve do të marrin para nga buxheti i shtetit. Gjithashtu është planifikuar krijimi i fondeve të reja përmes të cilave do të bëhen transferime financiare për komunat.  Cilat fonde sa para kanë në dispozicion dhe për çfarë?

 

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore vitin e ardhshëm do të ketë një buxhet prej 593,7 milionë eurosh, prej të cilave 11,3 milionë euro janë për rritjen e rrogave të të gjithë punëtorëve në shëndetësinë publike, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

“Prioritetet dhe synimet e Fondit në vitin 2022 synojnë ruajtjen e stabilitetit financiar të Fondit dhe stabilizimin financiar të sistemit të përgjithshëm shëndetësor, plotësimin e vazhdueshëm dhe cilësor të nevojës për barna, qasje më të lehtë dhe më të mirë të të siguruarve në shërbimet e nevojshme shëndetësore” – thuhet në Propozim–buxhetin për vitin 2022.

Nga buxheti qendror përmes zërit “Transferime në fondet jashtëbuxhetore” për vitin e ardhshëm janë planifikuar mjete në vlerën 110.000.000 për FSSH. Të dhënat nga dokumentet zyrtare të FSSH-së tregojnë se “varësia” nga niveli qendror i financimit është në rritje – në vitin 2020 shuma e totalit të transferimeve dhe donacioneve arriti në 76,2 milionë euro, që përfaqëson 13,1% të të ardhurave të përgjithshme të fondit. Vitin e ardhshëm, sipas planit buxhetor, në këtë fond shtetëror, numri i të punësuarve nuk pritet të rritet, gjegjësisht do të mbetet në të njëjtin nivel me këtë vit – 870 punonjës. Buxheti i FSSH-së vitin e ardhshëm krahasuar me këtë vit është rritur për 17 milionë euro.

Rrit ndjeshëm buxheti i Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, i cili në vitin 2022 do të arrijë në 1,34 miliardë euro, që krahasuar me këtë vit është një rritje prej 40,7 milionë euro.  Transferimet nga buxheti për FSPIM-në vitin e ardhshëm do të jenë në vlerën 490.000.000 euro.

“Qëllimet prioritare në punën e Fondit në vitin 2022 janë: pagesa e rregullt dhe me kohë e pensioneve dhe e të drejtave të tjera nga sigurimi pensional dhe invalidor, harmonizimi i pensioneve në përputhje me dispozitat ligjore, shpërndarja në kohë e kontributeve ndërmjet Fondit dhe fondeve private të pensioneve” – thuhet në buxhet.

Numri i të punësuarve në FSPIM vitin e ardhshëm duhet të jetë i njëjtë me këtë vit – 537. Ky fond shtetëror vazhdon të “mbështetet” në mjetet buxhetore – në vitin 2020 transferimet ishin në vlerë prej 484 milionë euro, ndërsa me ribalancimin e buxhetit për këtë vit, transferime e kalojnë vlerën 500.000.000 euro.

Zëri “transferime rrjedhëse në fondet ekstrabuxhetore” përveç FSPIM-në dhe FSSH-në e përfshin edhe Agjencinë e Punësimit, për të cilën është planifikuar një shumë prej 8,7 milionë euro.

Në kuadër të Planit të ri për rritje të përshpejtuar ekonomike, parashikohet krijimi dhe fuqizimi i fondeve të tjera që do të organizoheshin sipas sektorëve.

“Është planifikuar të futen dhe të përdoren burime të ndryshme të financimit me të cilat do të mund të financohej zbatimi i projekteve, me ç’rast janë planifikuar instrumentet e mëposhtme: Fondi për Efikasitet Energjetik, Fondi për Zhvillim Lokal dhe Rajonal, Fondi për Hulumtime dhe Zhvillim, Fondi Hibrid Strategjik i Investimeve të Gjelbra, Fondi i Fondeve, Kapitalit të Rrezikut, Financimit në Grup”- thuhet në dokumentin e buxhetit.

Mbetet për t’u parë se si do të formohen disa nga këto fonde, çfarë shumash do të kenë në dispozicion dhe si do të shpërndahen paratë.

Fondi për Inovacione me buxhetin e ri për vitin 2022 do të ketë në dispozicion mjete në vlerë prej 18,7 milionë euro. Si pjesë e “infrastrukturës së re buxhetore” janë dy fonde të reja përmes të cilave do të synohen komunat – Fondi i Performancës (suksesit) dhe Fondi i Barazimit.

“Fondi i Performancës do t’i shpërblejë komunat që kanë arkëtim më të mirë të të hyrave lokale, ndërsa Fondi i Barazimit do të ketë për qëllim zvogëlimin e dallimeve në përputhje me kapacitetin fiskal të komunave. Në fakt, komunat që tregojnë rezultate pozitive dhe kanë realizim më të lartë të të hyrave vetanake do të marrin më shumë mjete nga Fondi i Performancës, kurse nga Fondi i Barazimit, komunat të cilat kanë të hyra më të ulëta për shkak të kapacitetit të kufizuar të burimeve, por që kanë treguar përpjekje fiskale dhe rezultate të mira në mbledhjen e të hyrave të veta” – thuhet në buxhetin e ri.

Nga cilat burime dhe si do të plotësohen këto fonde?  Vitin e ardhshëm, pasi të fillojë rritja graduale e mjeteve të parashikuara për komunat, në Fondin e Performancës dhe Fondin e Barazimit do të shpërndahen nga 0.25%, respektivisht, ndërsa në Fondin Themelor 4,5%. Në vitin 2023, kur të ardhurat nga TVSH-ja do të rriten në 5,5% të TVSH-së së mbledhur të realizuar në vitin e kaluar fiskal, në Fondin e Performancës dhe Fondin e Barazimit do të shpërndahen nga 0,5%, respektivisht, ndërsa në Fondin Themelor 4.5%.

Megjithatë, në një paketë me këto fonde të reja, paralajmërohet edhe një rregullore që do t’i shtrëngojë kriteret për kontrollin e disiplinës financiare në nivel lokal.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.