ANALIZË: Pasqyrë në rebalancin e buxhetit – më pak transferta për organizatat joqeveritare, shkurtime për shërbimet komunale!

Фото: Порталб

Shuma milionëshe nga shpenzimet kapitale janë shkurtuar për të siguruar para për rroga më të larta. Në të gjitha dikasteret dhe institucionet parashikohen buxhete më të larta për rroga, kontribute dhe kompensime, por nga ana tjetër ka shkurtime, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk

Ndryshime financiare në ministri…

Për Ministrinë për Sistem Politik parashikohet zvogëlim i mjeteve për udhëtime dhe mëditje, një ulje më e ndjeshme prej 81 mijë euro për shërbimet komunale, ngrohje, transport, një ulje prej gati 200 mijë euro ka për rrogat bazë dhe për kontributet në nënprogramin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë. Nga ana tjetër do të ketë më shumë para për rroga bazë, kontribute dhe kompensime për administratë në vlerë prej 31.600 euro.

Shuma shtesë në RMV për rroga, kontribute, kompensime
Shuma shtesë në RMV për rroga, kontribute, kompensime. Infografik nga Portalb.mk

Ka një numër më të madh të rishpërndarjeve në Ministrinë e Mbrojtjes, kështu që krahasuar me mjetet aktuale të planifikuara, ka një rënie prej 162.000 euro për shërbimet komunale, 32.500 euro më pak për shpenzimet e udhëtimit dhe mëditjen, ndërsa shuma për shërbimet kontraktuale është zvogëluar për 308.000 euro. Për të njëjtat baza, ulje të shpenzimeve ka edhe në armatë. Ulje të ndjeshme ka në zërin Integrim në NATO – blerje e pajisjeve dhe makinerive për madje 24.600.000 euro. Rritet shuma për rroga, kontribute dhe kompensime për 350 mijë euro, si dhe rriten rrogat edhe në ARM, për misione ndërkombëtare, shërbime kontraktuale në armatë.

Ministria e Arsimit do të marrë gati 220 mijë euro shtesë për rroga, kontribute dhe kompensime për punonjësit. Rriten rrogat dhe shuma për shërbimet kontraktuale në Këshillin Kombëtar të Arsimit të Lartë, si dhe në institucione të tjera që janë në juridiksionin e kësaj ministrie.  Do të ketë shuma milionëshe shtesë për arsimin fillor dhe të mesëm. Edhe universitetet shtetërore do të marrin më shumë para për rroga, për udhëtime dhe mëditje, për shërbimet komunale.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme zvogëlohen shpenzimet për shpenzimet kapitale përmes zërit Reforma në polici, për shpenzimet kapitale ka ulje për madje 2.500.000 euro, për rikonstruksionin dhe pajisjen e objekteve do të ketë 1.000.000 më pak. Do të ketë 10 mijë euro shtesë për rroga dhe kontribute për administratën, zëri për rroga dhe kontribute për policinë rritet për 1.300.000 euro, ndërsa shuma për kompensime rritet për 1.900.000 euro.  600 mijë euro shtesë janë paraparë për blerje automjetesh, ndërsa për blerje pajisjesh dhe makinerish ka rritje prej 2.900.000 euro për zërin Reforma në polici.

Me buxhetin e ribalancuar, Ministria e Drejtësisë do të marrë 34.000 euro më pak për rrogat bazë në pjesën administrative, ndërsa shpenzimet kapitale ulen për 30.800 euro, transfertat në organizatat joqeveritare për madje 102.000 euro. Nga ana tjetër, mjetet për kompensime rriten për 32.400 euro, për 27.000 euro për blerjen e pajisjeve dhe makinerive, e po ashtu ka pothuajse 27.000 euro për Këshillin e ri Kombëtar për Ndërmjetësim.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme mjetet për shërbime komunale zvogëlohen për 81 mijë euro, ndërsa për pothuajse 200 mijë euro ka ulje për rrogat bazë në zërin për misionet diplomatike dhe konsullore, dhe po aq janë ulur edhe shpenzimet kapitale. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme shkurtohen 324 mijë euro për shpenzime të tjera rrjedhëse që kanë të bëjnë me kryesimin e RMV-së me OSBE-në. Nga ana tjetër, shuma për rroga, kompensime, kontribute është rritur për 183.300 euro, ndërsa për objektet ndërtimore për gati 200.000 euro.

Rishpërndarje të mëdha ka edhe në Ministrinë e Financave, ku ka ulje dhe rritje të zërit për rrogat bazë dhe kontributet, ka ulje të mjeteve për blerjen e materialeve, për ngrohje, transport, shërbime kontraktuale. Nivelohen rrogat edhe në sektorët dhe organet që janë në juridiksionin e kësaj ministrie. Reduktohen për afro 50 mijë euro paratë për udhëtimet dhe mëditjet në Drejtorinë e Inteligjencës Financiare, ku ka shkurtim si për shërbimet komunale ashtu edhe për marrëveshjet kontraktuale.

Në Ministrinë e Ekonomisë dhe në organet që janë nën kompetencat e saj janë bërë një sërë rishpërndarjesh buxhetore – 50 mijë euro më pak për shërbime komunale dhe 46 mijë euro më pak për shpenzime kapitale. Zërat “subvencione për ndërmarrjet private” shkurtohen për 470 mijë euro, e po ashtu ka ulje të rrogave për diplomaci ekonomike, shërbime kontraktuale.  Për madje 810 mijë euro reduktohen edhe mjetet për “transferta të ndryshme” në zërin “Zhvillimi i energjisë”. Kompensimet dhe shpenzimet e udhëtimit dhe mëditjet në pjesën administrative janë rritur për 47 mijë euro. Rroga më të larta dhe më shumë para për mëditje do të ketë për punonjësit e Shërbimit Gjeologjik, Agjencisë për Mbështetjen e Ndërmarrësisë, Institutit për Standardizim etj.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e cila ka një nga buxhetet vjetore më të mëdha, me ribalancimin do të ketë disa ndryshime, por me shuma të mëdha. Reduktimet më të mëdha janë te zërat: transferta të ndryshme për 567.000 euro, për 924.000 euro për shpenzime kapitale (urbanizëm) dhe pothuajse 500.000 euro për investime në mjete jofinanciare. Nga ana tjetër, do të jenë gati 70 mijë euro më shumë për rroga, kontribute dhe kompensime. Për subvencione kapitale për ndërmarrjet dhe organizatat joqeveritare, përmes disa zërave, shuma është rritur për 1.250.000 euro.

Me rebalancin e buxhetit, propozohet që të shkurtohen rreth 300.000.000 euro nga shpenzimet kapitale për të siguruar rritje të pagave. Opozita konsideroi se buxheti i propozuar në këtë mënyrë paralajmëron zgjedhje parlamentare.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.