ANALIZË: Mbledhja e tatimeve dhe shpenzimet për rroga dhe shërbime komunale në vitin 2023: Haraçina, Gostivari, Dibra dhe Kërçova (1)

Фото: Мета.мк

Një pjesë e madhe e komunave në vend dhe në vitin ekonomik 2023 nuk arritën t’i realizojnë planet buxhetore – ka dështim në mbledhjen e tatimit në pronë, tatimit mbi të ardhurat dhe tatimin në fitim. “Burimi” kryesor i të ardhurave të buxheteve lokale janë transferimet shtetërore. Nga ana tjetër, shpenzimet më të mëdha buxhetore janë për rrogat, kontributet, shërbimet komunale. Qindra mijëra euro shpenzohen edhe për “shërbime kontraktuale”, por edhe për “punësime të përkohshme”, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Të ardhurat dhe shpenzimet e komunave…

Shuma më e madhe në pjesën e të ardhurave të buxhetit të Komunës së Haraçinës janë “transferimet shtetërore”, të cilat janë zëri më i lartë i të ardhurave për të gjitha komunat. Nga tatimi në pronë, komuna në vitin 2023 ka arkëtuar 103.000 euro, që përbën 79% të shumës së planifikuar. Dështim më të madh ka në mbledhjen e tatimit mbi të ardhurat dhe tatimit në fitim – të hyrat janë realizuar me 37,2% krahasuar me parashikimin. Për sa i përket shpenzimeve, vetëm për rroga dhe kontribute janë shpenzuar 1,6 milionë euro, ndërsa për shërbime komunale, ngrohje dhe komunikim janë paguar fatura në vlerë prej gati 193.000 euro. Komuna e Haraçinës vitin e kaluar ka pasur gjithsej të hyra dhe shpenzime pothuajse të njëjta, në vlerë prej 2,6 milionë euro.

Të ardhurat dhe shpenzimet e komunave Haraçinë, Gostivar, Dibër, Kërçovë. Infografik nga Portalb.mk
Të ardhurat dhe shpenzimet e komunave Haraçinë, Gostivar, Dibër, Kërçovë. Infografik nga Portalb.mk

Në bazë të tatimit në pronë, Komuna e Gostivarit vitin e kaluar arkëtoi pothuajse 1.3 milionë euro, që përbën 83.5% të parashikimit vjetor. Ky zë i të ardhurave është më i madhi pas atij për transferimet shtetërore. Nga ana e shpenzimeve dhe te kjo njësi e vetëqeverisjes lokale, zëri dominues janë rrogat dhe kontributet, për të cilat janë shpenzuar 14,5 milionë euro, ndërsa një nga zërat me shumë më të lartë në vlerë prej 917.700 euro është “shërbimet kontraktuale”, ndërsa për punësimet e përkohshme janë paguar 372.500 euro. Përmes zërit “punë të tjera ndërtimore” janë shpenzuar 1,0 milion euro. Në vitin 2023, në arkën e komunës është arkëtuar dhe është shpenzuar një shumë pothuajse identike prej 18,9 milionë euro.

Komuna e Dibrës në vitin buxhetor 2023 ka arkëtuar të hyra në vlerë prej 6,7 milionë euro, kurse janë shpenzuar 6,4 milionë euro. Ajo ka mbledhur 218.000 euro nga tatimi në pronë, që paraqet një tejkalim të planit për 7,3%, kurse një shumë e konsiderueshme prej 1,4 milionë eurosh është arkëtuar përmes zërit “tatime për shërbime specifike”. Në anën e shpenzimeve për rroga dhe kontribute janë shpenzuar 4,3 milionë euro. Një shumë pak më e madhe prej 618,000 euro në anën e shpenzimeve është harxhuar për “objekte të tjera ndërtimore”, ndërsa për shërbime komunale janë shpenzuar 476.800 euro.

Shpenzimet për rroga dhe kontribute në komunat Haraçinë, Gostivar, Dibër, Kërçovë. Infografik nga Portalb.mk
Shpenzimet për rroga dhe kontribute në komunat Haraçinë, Gostivar, Dibër, Kërçovë. Infografik nga Portalb.mk

Komuna e Kërçovës në bazë të tatimit në pronë dhe tatimit mbi të ardhurat dhe tatimit në fitim ka mbledhur më shumë se sa që ka planifikuar. Konkretisht, nga tatimi në pronë në arkën e komunës janë derdhur 867.500 euro, që është për 1,7% më shumë se plani. Pas zërit dominues “transferimet shtetërore”, zëri me shumën më të lartë për sa i përket të hyrave është “tatimet për shërbime specifike” në vlerën prej gati 2,1 milionë euro. Vitin e kaluar, kjo komunë ka shpenzuar 10 milionë euro për rroga dhe kontribute bazë. Për sa i përket shpenzimeve, një nga zërat me kosto më të lartë në vlerën prej 2,6 milionë euro është “objekte të tjera ndërtimore”, ndërsa për shërbimet komunale, ngrohje, komunikim janë shpenzuar 932.000 euro. Vetëm në bazë të “shërbimeve kontraktuale” nga arka komunale janë derdhur 797.200 euro. Në vitin 2023, të hyrat e përgjithshme të Komunës së Kërçovës ishin 16,3 milionë euro, ndërsa shpenzimet ishin në nivelin 16,1 milionë euro.

Në vazhdimin e dytë të “Analizës”, do të shqyrtohen të dhënat e përmbledhura vjetore të Ministrisë së Financave për të hyrat dhe shpenzimet e komunave tjera si Tetova, Çairi, Struga…

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.