ANALIZË: Lehtësim për marrje të kredive, ato të miratuara rishtazi me kamata më të ulëta, kushtet do të “relaksohen”, kërkesa do të rritet

Фото: Мета.мк

Vetëm në bazë të kredive konsumatore qytetarët kanë gati 2 miliardë euro borxh. Kushtet e kredive, kryesisht nëpërmjet kamatave dhe komisioneve (provizioneve), do të lehtësohen. Me fillimin e këtij viti ekonomik, bankierët presin rritje të kërkesës për kredi si nga kompanitë ashtu edhe nga qytetarët, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Kamata mesatare e totalit të kredive në nivelin 5,55%

Viti i kaluar kaloi në shenjën e kredive “më të shtrenjta” për shkak të politikës së shtrënguar monetare të udhëhequr nga BPM-ja, por fillimi i vitit bankar 2024 tregon një ngadalësim të rritjes së kamatave. Në Anketën e fundit të BPM-së, bankierët deklaruan se presin lehtësim të kamatave për kreditë konsumatore, të cilat janë “më të kërkuarat” nga popullata.

“Ka një shtrëngim shumë më të dobët neto të kamatave për kreditë për banesa, krahasuar me anketën e tremujorit paraprak, me një lehtësim të lehtë neto të kamatave për kreditë konsumatore. “Komisionet për kreditë për banesa shënojnë një lehtësim neto më të fortë” – thuhet në Anketë.

Në muajin e parë të vitit, kamata mesatare e totalit të kredive ishte 5,55% dhe është rritur për vetëm 0,08% krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar. Por, në total, kreditë e miratuara rishtazi kanë “kamata më ulëta” – një përqindje mesatare prej 5,22%, e cila krahasuar me dhjetorin është rritur për një vlerë minimale prej 0,01%. Më saktësisht, të dhënat tregojnë se në muajin janar, krahasuar me dhjetorin, ka pasur rënie të kamatave për kreditë e reja të miratuara për kompanitë, për të cilat është regjistruar një përqindje mesatare prej 5,21%, që është në nivelin më të ulët që nga janari i vitit 2023.

Infografik 1 - Kreditë në Maqedoninë e Veriut
Kreditë në Maqedoninë e Veriut

Përveç lehtësimit në aspekt të kamatave, vihet re një lehtësim neto më i fortë edhe te komisionet për kreditë për banesa, të cilat gjithashtu zënë një pjesë të madhe në “borxhin kreditor” të popullsisë.

Sipas të dhënave të fundit nga BPM-ja, në muajin shkurt, krahasuar me janarin, totali i kredive është rritur për 0,9%, duke arritur një nivel prej gati 7,3 miliardë euro. Prej tyre, 3,4 miliardë euro janë borxhe të kompanive, ndërsa 3,7 miliardë euro të amvisërive.

Infografik 2 - Aktiviteti kreditor i RMV-së (shkurt 2024)
Aktiviteti kreditor i RMV-së (shkurt 2024)

“Kreditë konsumatore, si kategoria më e përfaqësuar, shënojnë rritje mujore dhe vjetore prej 0,7% dhe 6,3%.  Këtë muaj, kreditë për banesa shënuan rritje mujore prej 0,6%, ndërsa kreditë për vetura u ulën për 2,1% në muajin shkurt, ndërsa kreditë e miratuara për kartela kreditore në nivel mujor u ulën për 1,8%” – njoftojnë nga BPM-ja.

Sipas të dhënave, popullsia vazhdon të jetë më e ngarkuar me borxhe në bazë të kredive konsumatore, shuma e të cilave në muajin shkurt arriti në gati 1,94 miliardë euro. Më pas janë kreditë për banesa në vlerë prej 1,37 miliardë euro, ndërsa në vendin e tretë janë kartelat kreditore të cilave qytetarët u detyrohen 154,7 milionë euro.

Infografik 3 - Borxhi kreditor i Maqedonisë së Veriut
Infografik 3 – Borxhi kreditor i Maqedonisë së Veriut

 

Konkurrenca ndërbankare – faktori kryesor për lehtësimin e kushteve

Pavarësisht politikës së shtrënguar monetare që udhëhiqej vitin e kaluar, kreditimi ishte në rritje. Tendenca e ndryshimit të kushteve për miratimin e kredive për amvisëritë, e cila pritet të ndikojë në rritjen e kreditimit, kryesisht është rezultat i konkurrencës ndërbankare.

“Konkurrenca nga bankat e tjera është faktori kryesor që kontribuon në lehtësimin neto të kushteve të kreditimit, si për kreditë për banesa ashtu edhe për kreditë konsumatore, më fuqishëm se sa krahasuar me anketën e mëparshme (veçanërisht te kreditë konsumatore)” – thuhet në Anketë.

Lehtësimi i kushteve të kreditimit, sipas drejtuesve të bankave, pritet të shoqërohet me rritje të shtuar të kërkesave për kredi.

“Në tremujorin e parë të vitit 2024, bankat presin sërish një rritje të theksuar neto të kërkesës për kredi totale nga individët dhe një rritje neto më të fortë të kërkesës për kredi nga firmat”- vlerësojnë bankierët.

Ky vit nisi me përqindje më të ulëta inflacioni, me parashikimin se ai do të lëvizë brenda kufijve të moderuar, për çka pritet një zbutje e mundshme e politikave të Bankave Qendrore, gjë që duhet të çojë edhe në ulje të përqindjeve të kamatave për kreditë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.