ANALIZË: Importi i fuqisë punëtore – Kroacia ka pranuar 120.000 punëtorë, Maqedonia e Veriut vetëm 5.000

Për çdo vit, Kroacia lëshon 120.000 leje pune për të huajt. Shtetet e rajonit me një strategji dhe plan jo vetëm për import, por edhe për integrimin e punëtorëve nga vendet e huaja, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Çfarë po bën Maqedonia në një situatë kur një numër i madh i sektorëve alarmojnë se ka mungesë të punëtorëve dhe se mund të vihet në pikëpyetje funksionimi i kompanive?

Punëtorët e huaj – një pashmangshmëri për kompanitë e Maqedonisë…

Nuk ka ekonomi në rajon dhe në Evropë që të mos ketë mungesë punëtorësh, por pyetja është se si dhe nëse shtetet mobilizohen në kohë për të importuar fuqinë punëtore përmes kanaleve legale. Edhe në vend po bëhet aktuale çështja e mungesës së punëtorëve dhe problemi është i dukshëm në disa industri. Sipas ekspertëve dhe sektorit të biznesit, edhe ne do të duhet të përballemi me këtë çështje dhe të kërkojmë zgjidhje.

“Vendet fqinje janë shumë përpara në organizimin e tërheqjes së fuqisë punëtore të huaj në mjediset e tyre të punës dhe po punojnë në mënyrë aktive drejt integrimit të plotë të kësaj fuqie punëtore në vendet e tyre. Vendet evropiane (Greqia dhe Bullgaria) integrojnë nga 45.000 punëtorë nga jashtë për çdo vit, kryesisht në sektorë intensivë të punës. Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi i kanë lehtësuar dukshëm proceset për marrjen e lejes së përkohshme të punës dhe qëndrimit për të huajt” – thotë Zoran Koçoski nga Agjencia për Punësim “Kouzon”.

Sipas analizës krahasuese të agjencisë, numri i lejeve të punës që jepen për të huajt po rritet ndjeshëm në vendet e rajonit. Kështu, në Greqi numri i vizave të punës për të huajt ka kaluar shifrën 167.000, në Bullgari vetëm vitin e kaluar janë dhënë gati 40.000 viza pune, në Serbi 35.000, ndërsa në Shqipëri afro 20.000 viza pune për të huajt.

Numri i vizave të lëshuara të punës
Numri i vizave të lëshuara të punës

Me projektin “Behtel dhe Enka” në vend, është rihapur çështja e nevojës për import të fuqisë punëtore, në rastin e punëtorëve të ndërtimit. Këtë situatë e ka konfirmuar edhe Qeveria me një njoftim se po mendohet për mënyra se si të realizohet kjo. Jo zyrtarisht, në vend tashmë janë aktivizuar kanalet “e zeza” për hyrjen e punëtorëve nga vendet e huaja. Pikërisht për këtë duhet të ndërtohet një strategji për të mundësuar qëndrimin e ligjshëm, ndërsa në fazën tjetër edhe për integrimin e punëtorëve të huaj në vend, thonë ekspertët.

“Nuk ka vend perëndimor të zhvilluar që të mos ketë një fuqi punëtore të huaj të integruar. Tendenca e “importimit” të fuqisë punëtore në rajonin tonë është një proces që vazhdon prej gati 5 vitesh. Objektivi janë vendet e botës së tretë dhe vendet e pazhvilluara nga Lindja e Largët. Pa organizuar një strategji kombëtare që do ta përcaktojë në mënyrë të përhershme interesin e shtetit dhe të biznesit, ne në Maqedoni do të përballemi me vështirësi të mëdha në mbajtjen e bizneseve dhe mbi të gjitha me nivelin e shërbimeve që qytetarët i përdorin në baza ditore.

Shembulli i Kroacisë duhet të jetë motiv që edhe ne të organizohemi në një nivel të ngjashëm” – thotë Koçoski.

E çfarë po ndodh në Kroaci? Vetëm këtë vit ky shtet evropian ka dhënë 120 mijë leje pune për të huajt.

“Pothuajse nuk ka sektor në Kroaci në të cilin nuk është e punësuar  fuqia e huaj punëtore. Për vitin e ardhshëm 2024, Kroacia është gati të lëshojë 200.000 leje pune, ndërsa Maqedonia vetëm 5.000. Rekomandimi im personal është që politikanët tanë të gjejnë guxim dhe t’i pranojnë përvojat e vendeve të tjera” – thekson Koçoski.

Maqedonia çdo vit lëshon mesatarisht rreth 5.000 viza pune për të huaj, mirëpo jo zyrtarisht numri i punëtorëve të huaj është shumë më i lartë. Biznesmenët vendas, sidomos nga sektorët e ndërtimit, industrisë së përpunimit dhe tekstilit, hotelerisë, paralajmërojnë se ka mungesë të punëtorëve dhe se gjendja është alarmante. Në anën tjetër, në fund të gushtit në vend kishte 104.729 të papunë.

Numri i të papunëve në RMV
Numri i të papunëve në RMV

Në tregun e punës, sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, numri i vendeve të lira të punës varion nga 7.000 deri në 10.000. Por, nëse analizohet struktura e të papunëve sipas arsimit dhe moshës, do të vihet re se ka një pjesë të madhe të fuqisë punëtore të pakualifikuar që nuk i plotëson nevojat e tregut të punës – pothuajse 43.000 të papunë janë të moshës prej 50 deri në 60 vjeç, ndërsa pothuajse 62.000 janë pa arsim ose vetëm me arsim fillor.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.