ANALIZË: Deponi, kopshte, tubacione, rrugë lokale, funksionarët qeveritarë dhe partiakë në terren, KSHPK-ja: Pa keqpërdorime
Zyrtarisht, fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare nuk ka nisur. Jozyrtarisht, kryetarët e partive, funksionarët aktualë në qeverinë teknike tashmë janë shpërndarë në terren – jo rrallë në shoqërinë e bashkëpartiakëve – kryetarëve të komunave, ministrave me të njëjtën “bluzë” partiake, drejtorëve, deputetëve. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka vendosur rregullat e “lojës” për fushatën zgjedhore, shkruan Portalb.mk.
Në letër, fushata zgjedhore nuk ka nisur, në terren “makineria” punon me vrull!
Rrugë lokale, kopshte, fabrika, tubacione vaditëse, deponi, universitete, takime me biznesmenë, me fermerë, me qytetarë. Në prag të fushatës zyrtare zgjedhore, e cila për zgjedhjet presidenciale fillon më 4 prill, funksionarët aktualë në Qeverinë teknike, si nga radhët e partive në pushtet, ashtu edhe të atyre në opozitë, tashmë kanë “aktivizuar makinerinë”. Kështu, kryeministri teknik Xhaferi shfaqet në kopshte, duke inspektuar rrugët rajonale, duke vizituar universitetet.
Nuk “pushojnë” as ministrat teknikë dhe zëvendës-ministrat plotësues nga radhët e VMRO – DPMNE-së.
“Kryeministri teknik Talat Xhaferi do të inspektojë punimet e ndërtimit në rrugën Izvor – Ura Garski” në komunën e Dibrës.
“Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Gjoko Vellkovski dhe kryetari i Komunës së Gazi Babës, Stefkovski, do të marrin pjesë në aksionin për pastrimin e deponisë…”
“Ministri i Transportit, Bllagoj Boçvarski në vizitë në komunën e Karbincit dhe të Shtipit” – takim pune me përfaqësues të kompanive të transportit”.
“Zëvendësministrja plotësuese e Financave Elena Petrova do të takohet me përfaqësues të sektorit afarist nga Shtipi”.
“Kryetari i LSDM-së, Kovaçevski, do ta vizitojë fabrikën në Zhelinë”.
“Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, do të takohet me përfaqësues të Dhomës Amerikane të Tregtisë.”
Kështu, në prag të fushatës zyrtare, duken aktivitetet shtetërore-partiake, të cilat tashmë kanë hyrë në një fazë të thellë zgjedhore. Në terren nuk janë vetëm ministrat në Qeverinë teknike, por edhe krerët partiakë të cilët jo rrallë janë në shoqërinë e kryetarëve të komunave, drejtorëve, bashkëpartiakëve që janë në funksion.
KSHPK-ja paralajmëron dhe kujton “rregullat e lojës”…
Me shpenzimet e kujt, për çfarë qëllimi, funksionarët e Qeverisë teknike dalin në terren gjatë orarit të punës, a shfrytëzohen burimet shtetërore për qëllime partiake, a përdoren veturat zyrtare për aktivitete partiake me shpenzime shtetërore? Këto çështje tashmë janë hapur në prag të zgjedhjeve të dyfishta që do të mbahen në prill dhe në maj.
KSHPK-ja ua kujtoi lojtarëve politikë rregullat e lojës – të mos ketë i keqpërdorin burimet dhe projektet shtetërore për promovim dhe propagandë partiake. Në vazhdim janë dhënë disa nga rekomandimet kryesore të KSHPK-së:
-nuk mundet të fillojë ndërtimi me para të shtetit i rrugëve, ujësjellësve, largpërçuesve, kanalizimeve, shkollave, kopshteve, përveç nëse paraprakisht janë parashikuar mjete nga buxheti për këtë qëllim, gjegjësisht nëse bëhet fjalë për zbatimin e një programi të miratuar në bazë të ligjit në vitin aktual
–nuk mundet të bëhen pagesa të rrogave, pensioneve, ndihmave sociale, subvencioneve, pagesave te tjera që nuk janë pagesa të rregullta mujore, të mos tjetërsohet kapitali shtetëror, të nënshkruhen kontrata kolektive.
–nuk mundet të fillohet procedurë e re për punësime të reja ose procedurë për ndërprerje të marrëdhënies së punës në institucionet shtetërore dhe publike, procedurat e nisura pezullohen, me përjashtim të rasteve të çështjeve urgjente dhe që nuk mund të shtyhen.
Pikërisht këto tre pozicione janë më të “rrezikshmet” për përdorim manipulues për qëllime partiake. Gjatë periudhës zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2021, në KSHPK u dorëzuan 210 kërkesa për mendime lidhur me punësime, avancime në punë, fillimin e ndërtimit të objekteve. KSHPK-ja formoi 54 lëndë për pretendime për veprime të paligjshme. Rregullat për fushatën zgjedhore përcaktohen edhe në Kodin Zgjedhor. Por, deri në fillim të fushatës duket se elitat partiake janë në “provë të përgjithshme”, duke e shfrytëzuar maksimalisht dhe me efikasitet hapësirën dhe kohën për veprim. Me rregullativën aktuale ligjore për shkeljen e rregullave zgjedhore gjatë fushatës parashikohen edhe dënime, përveç për mediat, parashikohen gjoba edhe për partitë, funksionarët, institucionet.
Zgjedhjet e shtata presidenciale do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj. Nëse do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.
Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj. Gjatë heshtjes për zgjedhjet presidenciale do të vijojë fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari