ANALIZË: Çmimet e ushqimeve në Maqedoni i janë afruar atyre “evropiane” – viti 2022 përfundon me cunami çmimesh!

Фото: pixabay.com

Një sinjal nga tregjet botërore, në korrik çmimet e ushqimeve dhe të lëndëve të para po bien – por sa do të ndikojë ky trend tek konsumatorët e fundit. Për momentin, Maqedonia dhe vendet e rajonit po përgatiten në mënyrën e tyre për të përfunduar vitin ekonomik 2022 në një mjedis të presionit të fortë të çmimeve dhe krizës energjetike. Megjithatë, vende të ndryshme luftojnë me inflacionin në mënyra të ndryshme. Shqipëria dhe Kroacia kanë njoftuar ngrirje të çmimeve të energjisë elektrike, kurse disa ekonomi po vendosin kufizime të çmimeve për ushqimet, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Inflacioni në vend 14,2% – pritjet deri në fund të vitit…

Ekonomitë evropiane i rritën parashikimet e tyre për inflacionin nga 5,7% në 8,1% për këtë vit dhe nga 3,2% në 4,5% për vitin e ardhshëm. Inflacion më i lartë pritet në të gjithë partnerët tregtarë të vendit, veçanërisht në Gjermani dhe Kroaci. Megjithatë, tashmë vërehen shenja të ngadalësimit të rritjes së çmimeve të drithërave, çmimet e metaleve janë në rënie, e po ashtu edhe çmimet e derivateve të naftës.

“Vlerësimet për rritjen e çmimeve të drithit dhe grurit në vitin 2022 janë rishikuar kryesisht në drejtim të rënies së tyre. Për vitin 2022 pritet një rritje më e ulët për grurin dhe drithin, me vlerësime më të favorshme për prodhimin e ardhshëm, shqetësime për kërkesën në të ardhmen dhe perspektiva të përmirësuara në lidhje me furnizimin nga Ukraina” – theksojnë nga Banka Popullore.

Ndërsa, parashikimet flasin për zbutjen e presionit të çmimeve, kostot e jetesës në Maqedoni po shtrenjtohen – në gusht, në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kostot e jetesës janë rritur për 16,8%, ndërsa në baza mujore për 1,3%. Në dyqane edhe më tej vazhdojnë të vërehen rritje çmimesh, vetëm tek ushqimet dhe pijet u shënua rritje vjetore e kostove për 25%.

Banka Popullore e Maqedonisë
Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut

Çmimet në rajon…

Nga rajoni, çmimet e ushqimeve në Kroaci janë më të lartat. Qeveria tashmë ka ndërmarrë një hap për të mbrojtur standardin e jetesës – kufizimin e çmimeve të ushqimit dhe energjisë elektrike.

“Kushdo që shpenzon më pak do të paguajë çmimin më të ulët. Pjesa e parë e paketës së masave synon zbutjen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Kur bëhet fjalë për amvisëritë, do të kufizojmë çmimet dhe masa do të jetë e vlefshme nga 1 tetori deri më 1 mars” – deklaroi kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç.

Janë “ngrirë” edhe çmimet e produkteve ushqimore bazë, kështu që  vaji i gatimit do të kushtojë 2,1 euronjë litër qumësht 0,98 euronjë kilogram sheqer 1,06 euro ndërsa çmimi i miellit do të jetë rreth një euro për kilogram. Në Kroaci, çmimet e mishit janë dukshëm më të larta se në vendet e tjera të rajonit – një kilogram mish derri ose një pulë ka pothuajse të njëjtin çmim prej 25 eurosh.

Në Shqipëri, në korrik u regjistrua një nga përqindjet më të ulëta të inflacionit krahasuar me vendet e rajonit, në nivelin 7,5%. Sipas autoriteteve, që nga fillimi i pushtimit ushtarak të Ukrainës, vetëm çmimet e ushqimeve janë rritur me më shumë se 13 për qind. Në kulmin e krizës energjetike që po e trondit Evropën, kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi “ngrirjen” e çmimeve të energjisë elektrike për familjet me një koment:

“Ne morëm një vendim që nuk e di nëse është i zgjuar apo i çmendur, çmimi i energjisë elektrike për familjet të mbetet i njëjtë. Çështja është sa do të zgjasë kjo, sepse edhe sikur të keni para nuk ka energji për ta blerë”- tha Rama.

Serbia fqinje vlen si një vend në të cilin çmimet e produkteve ushqimore bazë janë më të ulëta. Kështu një kilogram miell kushton rreth 0,60 euro ndërsa sheqeri 0,85 euroçmimi i qumështit është afër 1 euro kurse i vajit të gatimit 1,6 euroNjë kilogram mish pule shitet me një çmim prej përafërsisht 4,2 euro ndërsa mishi i viçit kushton rreth 9,8 euro për kilogram.

Serbia këto ditë ka ndaluar eksportin e qumështit, por Maqedonia dhe Shqipëria janë të përjashtuara nga ky kufizim.

A po vjen një valë “ulje çmimesh”?

Ndërsa bota po përballet me inflacion në rritje – disa ekonomistë thonë se presioni i çmimeve megjithatë do të duhet të “zbutet” – kërkesa për produkte po zvogëlohet për shkak të frikës nga kriza dhe recesioni, kështu që qytetarët tashmë po zgjedhin se nga çfarë do të heqin dorë dhe cilat produkte do t’i blejnë, gjë që ndikon drejtpërdrejt në prodhimin, gjegjësisht në kompanitë.

Organizata Botërore e Ushqimit, FAO, ka publikuar të dhëna inkurajuese, çmimet e ushqimeve dhe të lëndëve të para për përpunim janë ulur në muajin korrik për 8,6% në bazë mujore – kryesisht si rezultat i rënies së çmimeve të vajrave bimore dhe drithërave. Por, në nivel vjetor ushqimet janë bërë më të shtrenjta për 13,1%. Në korrik, FAO regjistroi një rënie të indekseve të çmimeve për produktet ushqimore bazë:

FAO (indeksi i çmimeve korrik/qershor)

Drithërat                                           -11.5%

Vaji bimor                                         -19.2%

Sheqeri                                              -3.8%

Produktet e qumështit                      -2.5%

Mishi                                                  -0,5%

Për disa produkte, rënia e parë mujore e çmimeve në gjashtë muajt e kaluar deri në një vit, është regjistruar në korrik. Mbetet e hapur pyetja se sa do të ndihet kjo tendencë e rënies së çmimeve nga konsumatorët e fundit, duke qenë se pasiguria nga kriza luftarake në Ukrainë është ende një kërcënim për ekonominë globale.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.