ANALIZË: Çmimet e produkteve të qumështit dhe vajit kanë rënë më së shumti në tregun botëror – inflacioni në RMV është përgjysmuar

Фото: 该图片由Lisa LarsenPixabay上发布

Për të dhjetin muaj radhazi, Organizata Botërore e Ushqimit ka regjistruar rënie të çmimeve të ushqimeve në baza mujore dhe vjetore, me rënien më të madhe vjetore të produkteve të qumështit dhe të vajit të gatimit. Në vend, inflacioni i tetorit në nivel vjetor është 3,5%, një nga përqindjet më të ulëta të periudhës së kaluar, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Çfarë presin ekonomistët, a do të “lëshojë” presioni i çmimeve?

Paralele: Çmimet e ushqimeve në tregjet botërore dhe atë vendas…

Në tetor, një rënie e re e çmimeve të produkteve ushqimore bazë në tregjet botërore. Organizata Botërore e Ushqimit ka publikuar të dhëna të reja që tregojnë rënie në të gjitha ushqimet kryesore, si në nivel mujor ashtu edhe atë vjetor. Konkretisht, indeksi i çmimeve të produkteve ushqimore bazë në tetor ishte 20,6%, që paraqet një rënie prej 0,5% krahasuar me shtatorin dhe 10,8% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Çmimet e ushqimeve në tregjet botërore. Infografik nga Portalb.mk
Çmimet e ushqimeve në tregjet botërore. Infografik nga Portalb.mk

Të dhënat tregojnë se në tetor të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, rënia më e madhe e çmimeve është shënuar tek produktet e qumështit për 20,1% dhe tek vaji i gatimit për 20,7%. Por, edhe çmimi i drithërave ka rënë për një përqindje të konsiderueshme prej 18%. Jo vetëm në bazë vjetore, çmimet kanë pësuar rënie edhe në bazë mujore, kështu që krahasuar me shtatorin, çmimi i drithërave është ulur për 1%, i vajit për 0,7%, i produkteve të qumështit për 2,2%, i mishit me 3,4% dhe i sheqerit për 2,2%.

“Në tetor, çmimet ndërkombëtare të mishit të derrit ranë për të tretin muaj radhazi. Në të kundërtën me këtë, çmimet botërore të mishit të shpendëve u rritën lehtë. Çmimet ndërkombëtare të mishit të viçit dhe deles gjithashtu u rritën në mënyrë margjinale”, thuhet në analizën e tetorit të FAO-s.

Sipas parashikimeve të fundit të rishikuara të BPM-së, ky trend i rënies së çmimeve në suaza botërore pritet të vazhdojë.

“Pritet që inflacioni global të vazhdojë të ulet, gjegjësisht të ngadalësohet në 6,9% në vitin 2023, më pas në 5,8% në vitin 2024 dhe 4,6% në vitin 2025”- njofton BPM-ja.

A u përcoll ky trend i rënies së çmimeve në tregjet botërore në mënyrë përkatëse edhe tek ne? Në tetor, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, inflacioni total ishte 3,5%, ndërsa vetëm për ushqimet (përveç produkteve ushqimore bazë, duke përfshirë kafen, pijet joalkoolike, çajin) ishte 0,7%. Çmimet e produkteve ushqimore bazë në muajin tetor në krahasim me shtatorin kanë shënuar rënie (përveç peshkut dhe sheqerit, çokollatës…). Krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, rënien më të madhe të çmimeve e kanë vaji, ndërsa rritje ka te frutat, perimet, sheqeri, mishi dhe peshku.

Çmimet e ushqimeve në tregun e RMV-së. Infografik nga Portalb.mk
Çmimet e ushqimeve në tregun e RMV-së. Infografik nga Portalb.mk

Në tetor të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, indeksi i çmimeve të frutave është rritur për 11,2%, të perimeve për 4,5% dhe të peshkut për 6,8%.

Parashikimet e analistëve ekonomikë dhe të autoritetit monetar…

Analistët ekonomikë presin një ngadalësim të inflacionit, këtë vit në nivelin 9,5%, vitin e ardhshëm 5%, ndërsa në vitin 2025 parashikojnë përqindje inflacioni prej 3,2%.

“Si faktorë që mund të shkaktojnë presione në rritje mbi inflacionin, të anketuarit edhe më tej vazhdojnë të përmendin kohëzgjatjen dhe pasigurinë rreth përfundimit të luftës në Ukrainë, vazhdimin e sanksioneve dhe kufizimeve tregtare ndaj Rusisë, çmimet më të larta të mallrave të importuara, si dhe ndërprerjen e zinxhirëve globalë të furnizimit. Përkeqësimet e reja të mundshme në furnizimin me energji dhe rritja e çmimeve në tregun e rregulluar mund të çojë në presione shtesë inflacioniste” – vlerësojnë analistët në Anketën e fundit të Bankës Popullore. Ata konsiderojnë se këtë vit pritet një kontribut në ngadalësimin e inflacionit edhe për shkak të masave të Qeverisë dhe të BPM-së, por edhe për shkak të bazës më të lartë krahasuese nga viti 2022, veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit.

Sipas parashikimeve të fundit të rishikuara të BPM-së, ky vit do të mbyllet me inflacion prej 9,5%, ndërsa vitin e ardhshëm ai do të jetë ndërmjet 3,5% dhe 4%.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.