ANALIZË: Buxheti 2023: ulje në shëndetësi, mbrojtje sociale, bujqësi, më shumë para për transportin, mbrojtjen..

Disa nga ministritë me shpenzime të shtuara, ndërsa në disa të tjera shkurtime. Inspektoratet dhe agjencitë shtetërore vitin e ardhshëm do të kenë më pak para krahasuar me këtë vit. Buxheti për vitin 2023 ka hyrë në Kuvend. Portalb.mk analizon se cilat dikastere, agjenci, institucione shtetërore sa para do të kenë për të shpenzuar në vitin e ri buxhetor.

Më shumë para për gjyqësorin, më pak për disa nga inspektoratet…

Është rritur ndjeshëm buxheti për qeverinë, me ç’rast vitin e ardhshëm ajo do të mund të shpenzojë 301 milionë euro, dhe në këtë shumë përfshihen edhe masat ndihmëse dhe mbështetëse për shkak të krizës shëndetësore dhe ekonomike, për të cilat janë planifikuar 236 milionë euro.

Në vitin 2023, për herë të parë, janë planifikuar mjete për një organ të ri të pavarur – Këshillin fiskal. Ai do të ketë në dispozicion rreth 89 mijë euro, me gjashtë të punësuar dhe detyra kryesore e tij do të jetë të bëjë analiza ekonomike dhe vlerësime të situatës.

Më shumë para për të shpenzuar në krahasim me këtë vit do të ketë Gjykata Kushtetuese për të cilat nga buxheti janë planifikuar gati 1 milion euro, Qendra për Menaxhimin e Krizave me shpenzime prej 3,6 milionë euro, Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve do të ketë në dispozicion 20,5 milionë euro, Agjencia për Investime të Huaja do të ketë buxhet më të madh në vlerë prej 806.000 euro dhe Agjencia për promovimin e turizmit me një buxhet prej gati 1,4 milionë euro.  Më shumë para për të shpenzuar në krahasim me këtë vit do të ketë edhe Drejtoria e Zonave të Lira Ekonomike – me një buxhet prej 41,1 milionë euro.

Nga ministritë, buxhet më të madh vitin e ardhshëm  do të ketë Ministria e Sistemit Politik, me shpenzime të planifikuar prej 4,3 milionë euro, Ministria e Mbrojtjes do të ketë në dispozicion 276 milionë euro, buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme është rritur në 205,6 milionë euro, shpenzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme rriten në 29,2 milionë euro, të Ministrisë së Financave në 23,5 milionë euro kurse shpenzimet e Ministrisë së Financave – funksionet e shtetit janë rritur në nivelin e 20,5 milionë eurove. Më shumë para për të shpenzuar do të ketë edhe Ministria e Mjedisit Jetësor në vlerën prej 30,5 milionë euro, si dhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve buxheti i së cilës rritet ndjeshëm në 323,1 milionë euro. Ministria e Arsimit do të ketë shpenzime më të larta në nivelin 506 milionë euro, kurse buxhet më të madh do të ketë edhe Ministria e Kulturës.

Ulje të numrit të shpenzimeve ka në Ministrinë e Ekonomisë, e cila me buxhetin e ri do të ketë në dispozicion 18,8 milionë euro, në Ministrinë e Bujqësisë shpenzimet janë reduktuar në afro 33 milionë euro, e po ashtu janë zvogëluar edhe mjetet për Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë – Manastir në nivelin prej 1,2 milionë euro. Buxhet më të vogël prej 142,7 milionë euro do të ketë edhe Agjencia për Mbështetjen Financiare të Bujqësisë, e cila është kanali kyç për subvencionet në bujqësi. Ulje të shpenzimeve ka edhe në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, dikaster që ka një nga buxhetet më të mëdha, e që vitin e ardhshëm do të mund të shpenzojë 864,8 milionë euro. Shpenzimet janë ulur edhe në Ministrinë e Shoqërisë Informatike, e cila vitin e ardhshëm do të ketë në dispozicion në 26,2 milionë euro. Ulje ka edhe në Ministrinë e Shëndetësisë  për të cilën është parashikuar një buxhet prej 111 milionë euro.

Shpenzime buxhetore pothuajse të njëjta ose të reduktuara në mënyrë të parëndësishme në krahasim me vitin e kaluar ka Ministria e Drejtësisë, e cila do të ketë në dispozicion 9,1 milionë euro, shpenzimet e Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve do të jenë 260.100 euro, kurse të Drejtorisë së Policisë Financiare 1,2 milionë euro, minimalisht më pak se këtë vit.  Me buxhetin për vitin 2023, do të ketë ulje të mjeteve për Këshillin InspektuesAgjencinë për Zbatimin e GjuhëveDrejtorinë e Mbrojtjes Agjencinë e Sigurisë KombëtareAgjencinë e Mallrave RezervëInspektorati i Mjedisit Jetësor do të ketë buxhet më të vogël krahasuar me këtë vit, si edhe Inspektorati për Transport, Inspektorati për Ndërtim, Inspektorati Shtetëror i Arsimit, Agjencia për të Rinjtë dhe institucione të tjera. Te pushteti gjyqësor ka rritje të buxheteve, si dhe për Prokurorinë Publike dhe për Avokatin e Popullit.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.