ANALIZË: Buxhetet e Komunave, më së shumti shpenzohet për rroga, pozicioni kryesor i të hyrave janë transferet

Фото: Порталб

Komuna e Sarajit me shkallën më të lartë të realizimit të të hyrave në bazë të tatimit të pronës në periudhë gjysmëvjeçare. Një pjesë e komunave kanë të hyra më të mëdha nga arkëtimi i taksave dhe kompensimeve. Rrogat, kontributet dhe kompensimet janë pozicion dominues i të dalave në buxhetet e komunave, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Të hyrat dhe shpenzimet në Strugë, Tetovë, Çair, Saraj dhe Likovë…

Komuna e Strugës në gjysmën e parë të këtij viti ka arkëtuar nga tatimi i pronës 568.400,00 euro që paraqet 35,6% të të hyrave të planifikuara për të gjithë vitin mbi këtë bazë. Ana më e madhe e të hyrave janë transferet të cilat në gjashtë muajt e parë kanë qenë në shumë prej 6.354.500,00 eurosh. Shuma më e madhe prej 1.500.000,00 eurosh është derdhur në buxhetin e komunës nëpërmjet pozicionit “tatime për shërbime specifike”. Në anën e shpenzimeve për rroga, kontribute dhe kompensimet janë paguar 5.900.000,00 euro që është pozicioni më dominues i shpenzimeve. Në bazë të “objekteve të tjera ndërtimore” janë paguar 785.000,00 euro ndërsa në gjashtë muajt e parë kjo komuna për blerjen e automjeteve ka shpenzuar 52.000,00 euro. Në bazë të punësimeve të përkohshme janë shpenzuar 30.000,00 euro. Në anën e të hyrave realizimi rezulton 44,8% ndërsa në anën e shpenzimeve 44,3%.

Të hyrat dhe shpenzimet e buxheteve të disa komunave në RMV. Infografik nga Portalb.mk
Të hyrat dhe shpenzimet e buxheteve të disa komunave në RMV. Infografik nga Portalb.mk

Njëra nga komunat më të mëdha, ajo e Tetovës, në gjysmëvjetorin e parë ekonomik nga tatimi i pronës ka arkëtuar 1.012.000,00 euro që paraqet 49% në raport me planin dhe është një nga pozicionet më të larta në raport me gjendjen e arkëtimit tek komunat e tjera të analizuara. Nëpërmjet transfereve në llogarinë e buxhetit komunal janë derdhur 10.792.000,00 euro. Në anën e të hyrave nga shitja e tokës janë arkëtuar 127.400,00 euro, ndërsa nga taksat dhe kompensimet 248.100,00 euro.

Në anën e shpenzimeve të buxhetit për pagesën e rrogave, kontributeve dhe kompensimeve, për gjashtë muaj, janë paguar 9.800.000,00 euro që është pozicioni më i lartë i shpenzimeve të buxhetit komunal. Nëpërmjet shërbimeve të kontraktuara janë paguar 1.131.000,00 euro ndërsa për punësime të përkohshme 406.000,00 euro. Për gjashtë muaj realizimi i të hyrave është 46% ndërsa i shpenzimeve është 43,2%.

Komuna e Çairit në Shkup nga tatimi i pronës ka arkëtuar 675.000,00 euro që paraqet 55,9% në raport me planin vjetor, që e vendos në grupin e pushteteve lokale me shkallë më të lartë të realizimit për periudhë gjysmëvjeçare. Nëpërmjet transfereve në llogarinë e kësaj komune janë paguar 5.512.000,00 euro ndërsa nga taksat dhe kompensimet janë arkëtuar rreth 162.000,00 euro. Në anën buxhetore të të dalave, për rroga, kontribute dhe kompensime janë shpenzuar 4.602.000,00 euro. Për “objekte të tjera ndërtimore” janë shpenzuar rreth 570.000,00 euro, ndërsa për shërbime të kontraktuara rreth 500.000,00 euro. Për gjashtë muaj për blerje të pajisjeve dhe materialeve janë shpenzuar rreth 44.000,00 euro. Të hyrat buxhetore janë realizuar me 42,8% ndërsa të dalat buxhetore me 41,9%.

Vjelja e tatimit në pronë të disa komunave në RMV (gjysmëviti i parë ekonomik). Infografik nga Portalb.mk
Vjelja e tatimit në pronë të disa komunave në RMV (gjysmëviti i parë ekonomik). Infografik nga Portalb.mk

Komuna e Sarajit është në vendin e parë në raport me komunat e analizuara në bazë të përqindjes së realizimit të të hyrave për tatimin e pronës, për gjashtë muaj janë arkëtuar 68,4% ose 164.400,00 euro. Nëpërmjet transfereve kjo komunë ka marrë 3.060.000,00 euro ndërsa një nga pozicionet më të larta të të hyrave është “tatimet e shërbimeve specifike” në shumë prej 406.000,00 euro. Për rroga, kontribute dhe kompensime për gjysmë viti janë shpenzuar rreth 2.600.000,00 euro, nëpërmjet pozicionit “objekte të tjera ndërtimore” janë paguar 374.500,00 euro ndërsa për “subvencionim të ndërmarrjeve publike” 260.000,00 euro. Nëpërmjet pozicionit buxhetor “shërbime kontraktuese” për gjysmë viti janë paguar 102.500,00 euro. Në anën e të hyrave realizimi buxhetor është 35,6% ndërsa në anën e të dalave 34,3%.

Komuna e Likovës në rajonin e Kumanovës nga arkëtimi i tatimit të pronës ka siguruar të hyra në shumë prej 111.300 eurosh që paraqet 55.5% në raport me planin dhe e vendos në grupin e atyre komunave me realizim më të lartë se 50%/. Të hyrat në bazë të transfereve në gjysmën e parë të vitit kanë qenë 2.760.000,00 euro. Për “Objekte të tjera ndërtimore” janë paguar 205.000,00 euro ndërsa për shërbime kontraktuese rreth 90.000,00 euro. Kjo komunë është me një nga nivelet më të ulëta të realizimit të të hyrave të përgjithshme, për gjashtë muaj 30,4% ndërsa realizimi i të dalave buxhetore është 29,4%.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.