ANALIZË: Benzina më e shtrenjtë, inflacioni në RMV “i ndezur”!

Фото: portalb.mk

Në fillim të shtatorit, një litër Eurosuper 95-oktan shitej për 72 denarë, kurse një litër Eurosuper 98-oktan për 74 denarë për litër. Në vitet e fundit, këto janë praktikisht çmimet më të larta të derivateve të naftës në vend. Në gusht të këtij viti, në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, u mat një nga përqindjet më të larta të rritjes së çmimeve prej 4,9%, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Ushqime, perime, duhan më i shtrenjtë…

Ushqime, produkte bujqësore dhe industriale më të shtrenjta, shërbime më të shtrenjta – në gusht u regjistrua një përqindje e konsiderueshme e rritjes së çmimeve. Konkretisht, në muajin e tetë të këtij viti, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, Enti Statistikor regjistroi rritje të çmimeve të shitjes me pakicë për 4,9%.

Pothuajse gjithçka është shtrenjtuar, nga ushqimi deri tek produktet industriale.

Në korniza globale, rritja e çmimeve të produkteve ushqimore është rezultat i rritjes së çmimeve të produkteve primare ushqimore, rritjes së kërkesës për grurë në disa nga ekonomitë kryesore si Turqia, Irani, India nga njëra anë dhe rënia e prodhimit, veçanërisht në Amerikën e Veriut, gjë që kontribuoi në rritjen e çmimit të grurit i cili është produkt ushqimor bazë.

Karburantet po bëhen më të shtrenjta – shpenzimet e transportit rriten

Në periudhën e kaluar, çmimet e karburanteve janë rritur në vazhdimësi, duke arritur nivelet më të larta në vitet e fundit. Kështu, në fillim të shtatorit, një litër Eurosuper 95-oktan shitej për 72 denarë për litër, kurse një Eurosuper 95-oktan për 74 denarë për litër. Vetëm për krahasim, vitin e kaluar në të njëjtin muaj çmimet ishin 60 denarë, gjegjësisht 62 denarë për litër.

Rritja e mëtejshme e çmimeve të naftës pritet në të gjithë botën.

“Pritet një rritje shumë më e fortë e çmimit të naftës në vitin 2021 sesa që pritej në prill, që është kryesisht rezultat i kërkesës së fortë, kryesisht për shkak të reduktimit të masave kufizuese në nivel global, kur në të njëjtën kohë ka rezerva të zvogëluara të naftës dhe kufizim të prodhimit të naftës nga ana e OPEK-ut”- vlerësojnë nga BPRM-ja.

Stabilizimi i çmimeve të derivateve të naftës pritet vitin e ardhshëm, dhe ndërkohë, sipas parashikimeve, inflacioni në vend do të rritet, por do të ngelë brenda kornizës së parashikuar për këtë vit, jo më i lartë se 3%.  Ajo që është me rëndësi është se një pjesë e rritjes së çmimeve është “importuar” – gjegjësisht, rritja e çmimeve në vend është pasojë e inflacionit me të cilin përballen vendet e tjera në rajon dhe në Evropë, e që janë partnerët tanë strategjikë tregtarë.

“Rishikimi për vitin 2021 me një trend rritës është si rezultat i pritjeve për rritje më të lartë të çmimeve në pothuajse të gjithë partnerët tanë të importit, veçanërisht në Gjermani, Serbi dhe Kroaci, ndërsa në vitin 2022 pothuajse të gjitha vendet kanë një kontribut të ngjashëm në korrigjimin me trend rritës” – thonë nga Banka Popullore dhe shtojnë:

“Inflacioni i realizuar në periudhën janar-korrik, me një mesatare prej 2.5%, i tejkalon pak pritjet në parashikimet e ciklit të prillit, gjatë rishikimeve me trend rritës të pritjeve për rritjen e çmimeve të importit, lëvizja e të cilave është jashtëzakonisht e paqëndrueshme dhe e pasigurt, e me këtë edhe ndikimi i tyre në çmimet e brendshme”.

Çmimet rriten – e po ashtu rriten edhe shpenzimet e jetesës, edhe atë më së shumti tek transporti për 13,5% në gusht të këtij viti në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, tek hotelet dhe restorantet shpenzimet e jetesës u rritën për 4,8%, ndërsa për ushqimin, alkoolin, duhanin rritja është pak më shumë se 4%.

Sipas vlerësimeve të fundit të Ministrisë së Financave, inflacioni këtë vit nuk do të kalojë 2,1%. Në Eurozonë, inflacioni arriti në 3% në gusht, dhe sipas analizës së Eurostat-it, ndikim më të madh në rritjen e inflacionit në Eurozonë ka rritja e çmimeve të energjisë në gusht prej 15,4 për qind në nivel vjetor.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.