ANALIZË: 32,4 milionë euro për punësimin e të rinjve në RMV – a kanë masat efekte afatgjata?

Фото: Влада на РСМ

Shuma më të larta, milionëshe, për “vetëpunësim” dhe për “vende të reja pune”, që i synojnë të rinjtë e papunë të moshës nga 15 deri në 29 vjeç. Plani i ri Operativ për vitin 2024 parasheh punësimin e 11.622, kryesisht të rinjve. Megjithatë, grantet shtetërore janë të kushtëzuara – rikthim të parave nëse biznesi dështon ose nëse punonjësit mbeten të papunë për shkak të pushimit nga puna ose dorëheqjes vullnetare, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Planifikohet punësimi i 11.622 personave, kryesisht të rinjve – nevojitet kontroll sistemor…

Masa më e popullarizuar për të cilën është paraparë shuma më e lartë prej 13,2 milionë euro është “Vetëpunësimi”. Sipas planit, me këtë masë pritet që 1.995 persona të hapin apo të formalizojnë biznesin e tyre. Shuma e grantit shtetëror varion nga 5.990 euro deri në 11.980 euro, varësisht nga numri i themeluesve të kompanisë. Por, nëse kompania mbyllet, dhe punonjësit çlajmërohen nga marrëdhënia e punës në dy vitet e para, do të duhet t’ia kthejnë paratë shtetit deri në shumën maksimale prej 80%.

Sipas ekonomistëve, kur shteti ndan grante në mënyrë të synuar, të rëndësishme janë dy pyetje, nëse masat kanë efekt dhe nëse ka kontroll sistemor për atë se si, kujt dhe sa herë ndahen fondet. Sipas profesorit Llazar Jovevskit, masat e tilla janë të arsyeshme, por pyetja është nëse efektet janë të dukshme.

“Jemi dëshmitarë se momenti ekonomik dhe financiar nuk është më një faktor kyç për largimin e të rinjve jashtë vendit, e bile edhe për të gjithë qytetarët.  Bëhet fjalë për një sërë arsyesh që janë direkt ose indirekt arsyeja e largimit, mossundimi i ligjit, mungesa e lidershipit politik, krimi, korrupsioni. Thelbi nuk janë më vetëm financat, por edhe cilësia e shëndetësisë, arsimit. Në mënyrë që të hapni kompaninë tuaj, keni nevojë për siguri ekonomike dhe politike, e ne nuk e kemi këtë tani.  Prandaj, për mendimin tim, masat e tilla për përkrahjen e punësimit të të rinjve janë të “padukshme”, me punësimin e 12.000 personave, tabloja në vend nuk do të ndryshojë” – thotë profesor Jovevski.

Një nga masat më të njohura është “Mbështetja për krijimin e vendeve të reja të punës”. Përmes saj parashikohet punësimi i 1.273 personave. Shuma totale për këtë model është 10,3 milionë euro, ndërsa mjetet janë të destinuara për subvencionimin e punësimeve, për rritjen e kompanive, kurse pjesa më e madhe, ose gjysma e shumës totale, janë për punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Objektivi janë personat e papunë afatgjatë deri në 29 vjeç, por edhe të papunët mbi 50 vjeç. Shteti siguron 22.000 denarë në muaj si subvencion për rrogën e punëtorit për një periudhë 6 mujore. Përmes masës për rritjen e kompanive, mbështetja financiare për një punësim shkon deri në maksimum 17.800 euro.

Disa nga ekspertët e konsultuar nga “Portalb”-i thonë se zbatimi i drejtë dhe adekuat i masave kërkon kontroll sistemor. Kjo do të thotë se duhet të dihet saktësisht se për cilët individë dhe kompani, mbi çfarë baze janë dhënë mjetet financiare.

Subvencionet e RMV-së për punësimet e reja. Infografik nga Portalb.mk
Subvencionet e RMV-së për punësimet e reja. Infografik nga Portalb.mk

Masa e tretë sipas shumës së grantit shtetëror është “Ekonomia e kujdesit” për të cilin këtë vit është paraparë një fond prej 2,1 milionë euro, me të cilat duhet të sigurohen 650 vende pune. Ky është një nga programet më të reja për punësimin e njerëzve në nivel lokal në sektorët e synuar – shërbimet sociale dhe shëndetësore. Shteti së bashku me pushtetin lokal sigurojnë 13.754 denarë për person në muaj. Një pjesë e mjeteve janë të destinuara edhe për trajnime – 11.000 denarë për person, ndërsa kompania që do të punësojë persona tashmë të kualifikuar do të përfitojë subvencionim në shumën bruto prej 30.780 denarë në muaj për punonjës.

Këtë vit është planifikuar një buxhet prej 32,4 milionë euro për zbatimin e të gjitha masave nga Plani Operativ 2024.  Në ndërkohë pritet raporti për rezultatet e Planit Operativ për vitin 2023.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.