A do sjellë vjeshta dozë të tretë të vaksinës kundër Kovid-19?

Фото:maxpixel.net

Gjithnjë e më e sigurt është se Maqedoninë po e pret një vjeshtë e stuhishme dhe një valë e re, e katërt e koronavirusit. Raportet ditore të Ministrisë së shëndetësisë tregojnë për një rritje të numrit të të sapoinfektuarve. Situata është veçanërisht kritike në Tetovë, ku tashmë spitali ka filluar të mbushet me pacientë të rinj. Mjekët alarmojnë tek autoritetet kompetente shëndetësore që të ndërmarrin masa mbrojtëse kundër përhapjes së koronavirusit, por ministri Venko Filipçe është i bindur se për momentin vaksinimi është prioriteti më i madh, shkruan Vërtetëmatësi.

Gjithnjë e më të zëshme po bëhen njoftimet se në vjeshtë do të vendosen  kufizime për njerëzit e pavaksinuar, ndërsa Komiteti për imunizimin po shqyrton rekomandimin e një doze të tretë të vaksinës për të imunizuarit me dy doza. Arsyeja për këtë opsion është skenari gjithnjë e më i sigurt se pas llojit delta do të shfaqen edhe mutacione të reja të koronavirusit, si dhe fakti se në dispozicion ka mjaftueshëm vaksina.  

Ekziston mundësia që të jepet edhe një dozë e tretë, por ka mundësi edhe që vaksina të bëhet sezonale

Një nga skenarët e mundshëm në lidhje me vaksinimin kundër Kovid-19 është që autoritetet shëndetësore të japin rekomandim për një dozë të tretë, por edhe që vaksina të bëhet sezonale, njoftoi së fundmi Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe. Ai shpreson se interesi për imunizim nuk do të zbehet.

“Në mënyrë intensive i ndjekim dhe analizojmë rekomandimet në lidhje me vaksinimin. Një skenar i mundshëm është rekomandimi për dozën e tretë të vaksinës, skenari tjetër i mundshëm është që ajo të kalojë në vaksinë sezonale. Është e qartë që shfaqja e llojeve të reja nuk do ndalojë dhe ka shumë të ngjarë që lloji delta të mos jetë lloji i fundit e këtij virusi. Kjo do të thotë se sfidat vazhdojnë edhe më tej”deklaroi Filipçe.

Varësisht nga situata epidemiologjike, do të diskutohet vendosja e mundshme e kufizimeve, të cilat, siç theksoi ministri, së pari do tu adresohen të pavaksinuarve.

Disa vende tashmë kanë filluar me aplikimin e dozës së tretë

“Disa vende nga rajoni dhe bota kanë filluar me aplikimin e dozës së tretë kundër koronavirusit. Shtabi i krizave në Serbi ka ardhur në përfundimin se dozën e  tretë të vaksinës kundër koronavirusit duhet ta pranojnë personat të cilët kanë probleme me gjendjen imunologjike dhe me sëmundje të ndryshme kronike”, deklaroi ministrja e punës, punësimit dhe çështjeve sociale në Serbi, Darija Kisiq Tepavsheviq.

“Njerëzit që kanë pasur transplante, ata që janë në hemodializë, njerëzit me sëmundje malinje që marrin terapi, njerëzit me sëmundje kronike të mëlçisë, veshkave dhe mushkërive janë njerëzit tek të cilët imuniteti pas vaksinimit është më i shkurtër,” tha Kisiq Tepavsheviq.

Ajo deklaroi se Shtabi i krizave ka ardhur në përfundimin se këta individë duhet të pranojnë dozën e tretë gjashtë muaj pas pranimit të dozës së dytë të vaksinës.

Izraeli ka filluar të administrojë një dozë të tretë të vaksinës kundër koronavirusit për njerëzit me sistem imunitar të dobësuar. Ministria izraelite e shëndetësisë deklaroi se për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, personave me imunitet të kompromentuar u lejon që të marrin një dozë të tretë të vaksinës „Pfizer”. Në mesin e personave të parë të cilët pranuan dozën e tretë ishin presidenti i Izraelit Yitzhak Herzog dhe gruaja e tij, Michal.

Edhe presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se grupet vullnerable dhe të moshuarit ka të ngjarë të kenë nevojë për një dozë të tretë të vaksinës kundër Kovid-19.

“Ka mundësi që të ketë nevojë për një dozë të tretë, por jo për të gjithë njëherësh, por fillimisht për grupet më vullnerable dhe të moshuarit”, deklaroi Macron.

“Gjermania do të fillojë me aplikimin e dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit për grupet vullnerable në shtator dhe do të vaksinojë fëmijët mbi moshën 12 vjeçare, tha Ministri i jashtëm gjerman Jens Spann pas një takimi me ministrat e shëndetësisë nga të gjitha krahinat gjermane. Është planifikuar që doza e tretë të jepet nga vaksinat „Pfizer” dhe „Moderna”, dhe nuk ka pse të jetë e njëjtë me atë që tashmë është aplikuar”, raportoi „Reuters“.

Në Danimarkë, personave të cilët kanë pranuar dy vaksina të ndryshme do ju ofrohet edhe një dozë e tretë e vaksinës që të mund tu pranohet statusi si persona të vaksinuar edhe jashtë zonës së shengenit, ku vlejnë rregulla të tjera.

Ministria daneze e shëndetësisë ka njoftuar se atyre që kanë pranuar vaksina të ndryshme do ju ofrohet një dozë e tretë sapo të përfundojë programi kombëtar i vaksinimit. Arsyeja për këtë është se disa vende jashtë BE -së dhe zonës shengen gjatë hyrjes në vend nuk i pranojnë si plotësisht të vaksinuar njerëzit që janë vaksinuar me vaksina të ndryshme. Kjo mund të shkaktojë probleme udhëtimi për pothuajse 150,000 shtetas danezë të cilët kanë pranuar dy vaksina të ndryshme.

OBSH bëri thirrje për një moratorium të aplikimit të dozës së tretë kundër Kovid-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri thirrje për moratorium të aplikimit të dozës së tretë të vaksinës kundër Kovid-19, të paktën deri në fund të muajit shtator, deklaroi i pari i OBSH-së, Tedros Adanom Gebrejesus. Kjo duhet të mundësojë vaksinimin e të paktën 10 përqind të popullsisë në secilin vend, tha Tedros.

“E kuptoj shqetësimin e të gjitha qeverive që duan të mbrojnë njerëzit e tyre nga lloji delta. Por ne nuk mund të pranojmë që vendet që tashmë kanë përdorur një pjesë të madhe të vaksinave të përdorin edhe më shumë”, shtoi Tedros.

Në fillim të dhëna dhe fakte, pastaj vendim për një dozë të tretë

Mjeku Aleksandar Stojanov, drejtor i Qendrës së shëndetit Publik-Shkup, në një deklaratë për „Vërtetmatësin“ thotë se është ende herët të thuhet nëse në vend do të jetë e nevojshme të aplikohet një dozë e tretë e vaksinës kundër Kovid-19.

“Po lexojmë informacione të ndryshme, ja, Serbia dhe vendet e tjera këmbëngulin për një dozë të tretë, OBSH në asnjë mënyrë nuk rekomandon një dozë të tretë dhe tani ne nuk e dimë se në cilin informacion të bazohemi. Duhet pak kohë, të shihet numri i antitrupave të zhvilluar tek njerëzit që kanë marrë vaksinën, të fitohen disa të dhëna dhe fakte, dhe pas kësaj të merret vendimi. Ne kemi nevojë për testime më masovike për të fituar rezultate relevante, por për këtë është ende shumë herët, sepse nuk ka kaluar as edhe vit nga fillimi i vaksinimit masovik në vendin tonë”, tha dr. Stojanov.

Sipas tij, nuk është problem pranimi i një doze të tretë, madje nëse është e nevojshme edhe e një të katërte, sepse me vaksinën nuk mund të mbidozohemi.

“Ne kemi vaksina që  fëmijëve ua japim në disa doza, për shembull, vaksina e poliomielitit jepet në pesë doza, për hepatitin në tre doza etj. Vëmendje e veçantë duhet tu kushtohet kategorive vullnerable të njerëzve, të moshuarve dhe të sëmurëve kronikë, ata që nuk kanë një përgjigje të mirë imunologjike si të rinjtë. Do të ishte mirë që ata të merrnin një dozë të tretë. Sidoqoftë, ne kemi nevojë për të dhëna për ta arsyetuar një vendim të tillë. Pse të pranoni një dozë të tretë nëse jeni të mbrojtur mirë nga dy dozat e para? Nuk keni nevojë”, shtoi Dr. Stojanov.

Ai tregon se në fillim të procesit të imunizimit, Instituti i imunologjisë ka bërë testime me rreth 3.000 vullnetarë tek të cilët ka pasur një zhvillim të kënaqshëm të antitrupave.

“Ne nuk bëjmë testime as për fëmijët, a janë të mbrojtur nga vaksinat, sepse cila nënë do të donte që fëmija e saj të shpohej për disa analiza. Por, në mënyrë indirekte, ne shohim që me rritjen e numrit të personave të vaksinuar, bie numri i të infektuarve, pra nuk ka sëmundje. Kështu ndodh edhe me koronavirusin. Na duhet kohë për të parë se çfarë do të ndodhë. Kjo periudhë është tepër e shkurtër për të pasur çfarë do përvojash dhe të dhënash”,përfundon drejtori i QSHP-Shkup.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.