“Shtypi i lirë është ai në të cilin është në rregull të nxirrni një konkluzion deri te i cili keni arritur përmes provave.” (Bill Moyers)

Sot është 3 maji, Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Medias, e cila mbahet për herë të 27-të, dhe çdo vit festimi i kësaj dite shoqërohet me sfida të ndryshme. Këtë vit kemi përballemi me përhapjen e pandemisë Covid-19 dhe në këtë moment qasja ndaj raportimit dhe informacionit të besueshëm është edhe më kritike.

Fondacioni Metamorfozis i falënderon të gjithë kolegët gazetarë, miqtë, partnerët dhe donatorët, për mbështetjen e tyre në mbrojtjen e lirisë së medias dhe sigurimin e një qasjeje të hapur, të sigurt dhe të barabartë në informacione të cilave mund t’u besohet, si online ashtu edhe off-line, në këto kohë kritike.

Me rastin e ditës së sotme Ndërkombëtare të Lirisë së Medias – 3 majit, Sekretari i Përgjithshëm i KB-ve, Antonio Guterres bëri thirrje për mbrojtje më të madhe të gazetarëve, duke theksuar se ata ofrojnë një antidot për pandeminë e dezinformatave që e shoqëron krizën e shkaktuar nga përhapja e koronavirusit.

Siç thekson UNESCO-ja këtë vit, sfidat kryesore me të cilat përballet gazetaria janë dezinformatat në lidhje me koronavirusin.

Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është aspak imune ndaj zhvillimeve të tilla, përkundrazi, fluksi i dezinformatave në lidhje me Covid-19 është jashtëzakonisht i lartë në mediat, por edhe në rrjetet sociale të Maqedonisë së Veriut. Në atë masë sa që mund të çojë në përhapjen e infeksionit dhe të shkaktojë viktima të panevojshme në mesin e atyre qytetarëve që u besojnë dhe i ndjekin këshillat e pabazuara dhe joshkencore nga kuazi-mjekë të ndryshëm, të cilat shpërndahen përmes mediave joprofesionale dhe mijëra profileve në rrjetet sociale.

Fondacioni Metamorfozis që moti i ka vënë re pasojat negative që mund të vijnë nga fluksi i dezinformatave dhe nevojën për informacion të saktë, të verifikuar dhe të besueshëm, që në kohën e pandemisë Covid-19 u tregua se ishte jashtëzakonisht e rëndësishme. Gjatë dekadës së fundit, Metamorfozis zhvilloi një program të pasur mediatik, që në vitet e fundit është rritur në një pjesë të veçantë të punës së fondacionit, të shënuar si Media për Demokraci. Qëllimi është të sigurojmë informim të publikut të bazuar në fakte. Kjo e përfshin punën në fushën e edukimit për shkathtësi mediatike dhe zhvillimin e të menduarit kritik përmes Krithink-ut, pastaj verifikimin e fakteve në media përmes verifikimiifakteve.mk, llogaridhënien dhe transparencën përmes vertetmates.mk, si dhe raportimin e saktë dhe të verifikuar, analizën e të dhënave dhe vizualizimin përmes meta.mk dhe portalb.mk.

 

Megjithëse liria e mediave në vend sipas matjes së organizatës ndërkombëtare joqeveritare “Reporterët pa Kufij” në vitet e fundit është përmirësuar, gjegjësisht nga vendi i 118 në botë, Maqedonia e Veriut u ngjit në vendin e 92-të këtë vit, megjithatë, mbetet edhe shumë punë për t’u bërë dhe shumë reforma mediatike për ta arritur qëllimin e dëshiruar.

Hulumtimi për reformat në sektorin e mediave, të cilin e realizoi Fondacioni Metamorfozis, i identifikoi problemet në reformat e mediave në katër fusha kryesore:

  • Nuk ka strategji për sektorin e mediave dhe nuk janë shprehur synime për përgatitjen e një strategjie të tillë;
  • Nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik te të gjithë aktorët relevantë politikë, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, për t’u distancuar plotësisht nga ndikimi mbi politikën redaktuese të mediave;
  • Reformat në sektorin e transmetuesit publik, para së gjithash në transmetuesin publik RTM/RTN dhe në agjencinë rregullatore ASHAAM, nuk zbatohen, megjithëse parakushtet ligjore për këtë u realizuan më shumë se një vit më parë;

Kërkimi nga vetë mediat, transmetuesit e mëdhenj privatë, por edhe gazetat dhe portalet, që të marrin në mënyrë joselektive financa ose subvencione të tjera direkt nga buxheti, nga vetëqeverisja lokale ose nga ndërmarrjet publike ose shoqëritë aksionare në pronësi shtetërore ose të përzier.

 

Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, në kuadër të angazhimeve për media të lira, të pavarura dhe profesionale, konsideron se dhënia e drejtpërdrejtë e mjeteve publike i vë mediat në një pozicion që çon në minimin e pavarësisë redaktuese dhe të lirisë mediatike, në prishjen e integritetit dhe rritjen e ndikimit politik. Ndihma financiare shtetërore për mediat nuk duhet të bëhet përmes dhënies së drejtpërdrejtë të mjeteve, por ndihma duhet të jepet nëpërmjet mënyrave të tjera, siç është zvogëlimi i përqindjeve tatimore dhe lirimi nga pagesa e taksave gjatë punësimit të gazetarëve dhe ajo të jetë e dedikuar vetëm për gazetarinë cilësore profesionale, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për media të shkruara, elektronike apo media onlajn.