Nuk jepet asnjë vaksinë që shkakton komplikime e që duhet urgjentisht të ndalohet

Edhe pas pothuajse dy vite luftë me pandeminë globale COVID19, vazhdon të jetë i lartë intensiteti i përhapjes së dezinformormimit online. Produkte mediatike jo-profesionale përhapin frikë, stres dhe kaos në opinion duke shpërndarë informacione të pa-verifikuara. Shembull konkret i një produkti të tillë është përmbajtja të cilën po e recensojmë.   

Titulli “Sipas studimit të fundit, urgjent duhet të ndaloni të mos e merrni këtë vaksinë sepse do të…” , është tendencioz dhe sensacional i cili ka për qëllim vetëm të grumbullojë klikime duke shkaktuar frikë dhe stres te lexuesit. Përkundër titullit bombastik, përmbajtja e materialit që recensojmë është shumë e varfër me informacion dhe nuk thotë asgjë konkrete që ka lidhshmëri me titullit e po të njëjtit material.

Përmbajtja e cila është publikuar në portalin “Ingazeta”, na informon se kompania gjermane CureVac, ka tërhequr kërkesën nga Agjencia Evropiane e Barnave për të miratuar një vaksinë të tyre kundër COVID19. Pra në treg nuk është dhënë asnjë vaksinë e cila pasi është aplikuar te njerëzit është kërkuar urgjentisht të ndalohet. Vet autori i këtij produkti mediatik bie në kundërshtim me atë që thotë në titull dhe atë që shpreh në përmbajtje.

Çfarë është CureVac dhe nga burojnë materiale të tilla?

CureVac është një kompani bio-farmaceutike gjermane që zhvillon terapi të bazuara në ARN. Kompania është pionierë në zhvillimin e një klase krejtësisht të re barnash që parimi bazë është përdorimi i ARN-së si një bartës të dhënash për informacion, me ndihmën e së cilës vetë trupi mund të prodhojë substancat e veta aktive për të luftuar sëmundje të ndryshme.

Një javë më parë kompania njoftoi se kanë tërhequr aplikimin e tyre në Agjencinë Evropiane të Barnave për miratimin rregullator të vaksinës së tyre të parë anti-COVID19. Nga kompania njoftuan se provat e vaksinës në fazën e tretë ishin zhgënjyese, me normë prej 48 % të efikasitetit të përgjithshëm. Testimet deri në këtë fazë bëheshin te kafshët, testimet në njerëz duhej të fillonin gjatë muajve në vijim, bënë të ditur Reuters.

Miratimi më i hershëm i CVnCoV kishte mundësi të ndodhte në tremujorin e dytë të vitit 2022, kur kandidatët nga programi i vaksinave të gjeneratës së dytë pritej të përparonin në zhvillimin klinik të fazës së vonshme.

“Në tranzicionin e vazhdueshëm nga pandemia akute në endemike, vendimi ynë … reflekton ndryshimet e pritshme në nevojat e shëndetit publik që brezi ynë i dytë potencialisht mund t’i trajtojë,” tha Shefi Ekzekutiv i CureVac, Franz-Werner Haas

CureVac dhe Kompania farmaceutike britanike GlaxoSmithKline do të përpiqen të zhvillojnë një vaksinë që mund të kap më shumë variante të koronavirusit në të njëjtën kohë dhe po synojnë të prodhojnë një vaksinë të përbashkët të koronavirusit dhe gripit.

Përderisa kompania ishte kandidate për miratimin e vaksinës së re nga Agjencia Evropiane e Barnave, kishte lidhur marrëveshje me Bashkimin Evropianë për shitjen e vaksinës së re në vendet anëtare të BE-së. Marrëveshja për furnizime me doza të reja vaksine në luftën kundër Koronavirusit u anulua pas tërheqjes së kompanisë CureVac nga kërkesa për miratimin e vaksinës së tyre.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.