2 Prilli – Dita Ndërkombëtare e Kontrollit të Fakteve 

Фото: vladimirp преку DeviantArt.com со помош на DreamUP, АИ фото алатка

Komuniteti global i kontrolluesve të fakteve feston sot 2 Prillin – Ditën Ndërkombëtare të Kontrollit të Fakteve – një iniciativë ndërkombëtare që vlerson se informacioni i saktë luan një rol thelbësor në një botë të lidhur globalisht

Kontrolluesit e fakteve besojnë se ngritja e rëndësisë së fakteve nuk është detyrë vetëm e profesionistëve, por është një detyrë e përbashkët që përfshin pjesëmarrjen e publikut nga të gjitha segmentet e shoqërisë. Duke forcuar kontrollin e fakteve dhe duke promovuar burime të besueshme në raportimin gazetaresk, ne mund të nxisim një ekosistem të shëndetshëm lajmesh në të cilin dominojnë faktet. #Faktetjanëtërëndësishme (#FactsMatter) në ndërtimin e një shoqërie të informuar dhe rezistente ndaj dezinformatave kur është #DitaeKontrollitTëFakteve (#FactcheckingDay), por edhe çdo ditë tjetër.   

Dita e parë Ndërkombëtare e Kontrollit të Fakteve u lançua nga Rrjeti Ndërkombëtar i Kontrollit të Fakteve në vitin 2016 për të festuar dhe theksuar punën e kontrolluesve të fakteve në mbarë botën dhe që atëherë festohet çdo vit. Rrjeti Ndërkombëtar i Kontrollit të Fakteve filloi me një numër të vogël anëtarësh dhe sot ka më shumë se 180 organizata në mbarë botën. 

Në Maqedoninë e Veriut, anëtare e plotë dhe e certifikuar e këtij rrjeti që nga viti 2019, është Fondacioni Metamorfozis dhe portali për verifikimin e fakteve Vërtetmatësi. Që nga viti 2023, Metamorfosis dhe Vërtetmatësi janë gjithashtu anëtarë të certifikuar të Rrjetit Evropian për Standardet në Kontrollin e Fakteve të sapothemeluar me qendër në Bruksel, Belgjikë, dhe publikime të tjera të Metamorfosis – Agjencia e Lajmeve Meta dhe portali i informacionit në gjuhën shqipe – Portalb janë gjithashtu në mënyrë aktive të përfshirë në kontrollin e fakteve. 

Në vitin e kaluar, edicionet e Metamorfozës kanë prodhuar pothuajse 1000 kontrolle faktesh dhe ekspozime spinesh (manipulimesh) të shprehura nga persona që marrin pjesë në krijimin e politikave publike, partive politike, si dhe kontrolle të përmbushjes së premtimeve parazgjedhore të partive politike. Puna e Vërtetmatësit ishte veçanërisht e rëndësishme dhe gjithëpërfshirëse në verifikimin e fakteve të shpërndara në rrjetet sociale, veçanërisht pasi shumica e dezinformatave shpërndahen dhe përhapen në këto platforma online. 

Edhe pse në 12 muajt e fundit, sasia e dezinformatave rreth luftës në Ukrainë është ulur, megjithatë, ajo ende paraqet një temë të rëndësishme dezinformimi në vend, e cila shpesh shfrytëzohet nga qendrat e huaja të dezinformimit dhe shpesh dezinformimi kombinohet me lloje të tjera kërcënimesh(të ashtuquajturat kërcënime hibride), me kapacitet për të shkaktuar dëme në botën reale dhe në mbarë shoqërinë maqedonase.   

Por nëse dezinformatat rreth Ukrainës janë ulur, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për dezinformimin kundër vaksinave, përhapja e të cilave në hapësirën online është konstante, shpesh e kombinuar me lloje të tjera dezinformatash nga sfera shëndetësore, si për shembull, shitja e barnave të rreme. Vërehet gjithashtu një rënie e numrit të dezinformatave përmes të cilave përhapen mashtrimet online me qëllim vjedhjen e të dhënave personale dhe madje edhe burimeve financiare nga përdoruesit e rrjeteve sociale. Në 12 muajt e fundit, ne kemi parë gjithashtu dezinformata të përdorura për sulme ndaj Bashkimit Evropian, vendeve anëtare të BE-së, shteteve të tjera demokratike jashtë Evropës, si dhe institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, të cilat janë bazë ndërkombëtare e politikave ligjore, politike dhe financiare. Për këtë përdoren shpesh teori konspirative plot gënjeshtra dhe trillime, si dhe keqpërdoren edhe emocionet, me qëllim që në publik të ngjallin ndjenja negative si frikë, zemërim, inat, dëshpërim, mosmarrëveshje etj. 

Ajo që na pret në muajt e ardhshëm janë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut, e cila, nga ana tjetër, do të sjellë një numër në rritje të dezinformatave dhe manipulimeve (si në çdo cikël zgjedhor). Por publikimet e Fondacionit Metamorfozis janë të gatshme të punojnë në të gjitha faktet e rëndësishme gjatë zgjedhjeve në mënyrë që qytetarët të kenë informacion të saktë dhe në kohë se çfarë është dhe çfarë nuk është e vërtetë në prezantimet e kandidatëve për poste publike dhe njoftimet e partive politike. 

Pikërisht për shkak të zgjedhjeve të ardhshme, dhe me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kontrollit të Fakteve, Fondacioni Metamorfozis dhe Rrjeti Ballkanik për Luftimin e Dezinformimit organizojnë Konferencën Rajonale me temë: “Mbrojtja e demokracisë në Ballkan: Mbrojtja e integritetit të informacionit në epokën digjitale” Në konferencën, e cila do të mbahet më 2 prill, me fillim nga ora 10:00, në hotelin Holiday Inn në Shkup, ku do të marrin pjesë ekspertë nga rajoni dhe më gjerë, të cilët janë të angazhuar në kontrollimin e fakteve dhe luftën kundër dezinformatave. 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.