Tetovë, Metamorfozis prezantoi hulumtimin: Përballja me dezinformatat dhe ndikimet keqdashëse nga shtetet tjera nuk i tangon vetëm mediat, i prek të gjithë

Фото: Фисник Џелили, Порталб.мк

Drejtori për partneritete dhe zhvillim të resurseve nga Metamorfozis, Filip Stojanovski sqaroi se qëllimi kryesor i këtij raporti është të nxjerrë në pah dezinformatat dhe ndikimet keqdashëse të jashtme në vend dhe në rajon dhe mënyrat se si ato shfaqen dhe ndikojnë te publiku.

 

Edlira Palloshi Disha nga Instituti Max van der Stoel theksoi se ngjarja dhe prezantimi i sotëm u bë për të rritur vetëdijen për dezinformatat dhe ndikimet keqdashëse në Maqedoninë e Veriut. Ndërkaq për këtë përgëzoi Metamorfozis si një ndër të parat që kanë filluar luftimin e dezinformatave.

Duke folur mbi raportin, Stojanovski theksoi se fushatat e dezinformimit dhe përhapja e manipulimeve të lidhura me median nuk janë vetëm problem mediatik, por edhe problem sigurie.

“Ato destabilizojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, duke minuar besimin në institucionet demokratike dhe duke penguar realizimin e objektivave të tyre më të rëndësishme strategjike”, theksoi Stojanovski.

Prezantimi i raportit hulumtues “Perspektiva gjeopolitike e rrjedhave të dezinformatave në Ballkanin Perëndimor” në Tetovë nga Filip Stojanovski – Fondacioni Metamorfozis. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb..mk

Duke folur për interesat strategjike të vendeve të Ballkanit Perëndimor lidhur me pjesëmarrjen në NATO dhe BE, ai theksoi se Ballkanit Perëndimor si rajon i rëndësishëm gjeopolitik paraqet cak për Rusinë, Kinën, Turqinë, Iranin të cilat kanë interesa të ndryshme për rajonin.

Stojanovski theksoi se propaganda ruse është prezente në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon si dhe sqaroi format se si ajo zhvillohet.

“Serbia është një nga kanalet kryesore përmes të cilës influenca të ndryshme keqdashëse vijnë në Ballkan”, tha Stojanovski i cili theksoi se kjo shpesh bëhet përmes mediave dhe lajmeve të cilat fillimisht shpërndahen në mediat serbe dhe më pas kalojnë në rajon më gjerë.

Stojanovski theksoi se aktorët e huaj të ndikimeve keqdashëse në Ballkan përdorin dezinformimin si mjet për të shkaktuar ndarje midis vendeve, dhe se efektet e kampanjave dezionformuese kanë ndikim në rritjen e euroskepticizmit në rajon.

“Rusia e ka të lehtë të ndërhyjë në narrativet anti-perëndimore dhe anti-BE në Ballkanin Perëndimor, sepse ato tashmë kanë qenë të njohura për një kohë të gjatë në rajon”, theksoi Stojanovski.

Ai mes tjerash përmendi edhe ndikimin e Turqisë dhe se ky ndikim është i pranishëm në rajon edhe përmes fuqisë së butë dhe diplomacisë, që nuk janë keqdashëse.

“Këto dezinformata dhe kampanja janë të krijuara edhe për të matur reagimet e publikut”, tha Stojanovski.

Stojanovski mes tjerash theksoi se sa të rëndësishme dhe të dëmshme janë dezinformatat edhe për të rinjtë në rrjetet sociale, duke nënvizuar propagandat politike. Pasi siç tha, nëse ata marrin përmbajtje të mira, do të marrin edhe vendime të mira.

“Një nga zgjidhjet që ne propozojmë është rritja e përmbajtjes edukuese në media”, tha Stojanovski.

Prezantimi i raportit hulumtues “Perspektiva gjeopolitike e rrjedhave të dezinformatave në Ballkanin Perëndimor” në Tetovë nga Filip Stojanovski – Fondacioni Metamorfozis. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb..mk

Ngjarja u organizua nga Media Literacy & Disinformation Research Cluster në Institutin Max van der Stoel në përputhje me iniciativat për të rritur bashkëpunimin me sektorin civil dhe palët e interesuara në këtë fushë.

Diskutimi mes tjerash u fokusua edhe në pikëpamjen akademike ndërkaq u hap edhe debat i frytshëm ku pjesëmarrësit diskutuan aspekte të ndryshme të dezinformatave dhe ndikimeve të huaja në vend por edhe në rajon.

Ata u pajtuan se vetëm verifikimi i fakteve nuk është i mjaftueshëm dhe se duhet më shumë punë dhe forcim i kapaciteteve institucionale për të luftuar dezinformatat e huaja dhe ndikimet keqdashëse. Ata mes tjerash theksuan se për këtë, duhet edhe mendim kritik i cili është pjesë e edukimit mediatik.

Pjesëmarrësit theksuan se edukimi mediatik nuk duhet të jetë vetëm për studimet e mediave, por edhe për degët e tjera, pasi disa nga dezinformatat shpërndahen pikërisht nga mungesa e edukimit bazik.

Pjesëmarrësit në fund u pajtuan se luftimi i dezinformatave dhe ndikimeve keqdashëse është shumë kompleks dhe se veprimet nuk duhet të jenë vetëm nga mediat dhe organizatat joqeveritare por dhe nga shteti dhe akademia.

Përndryshe, raporti “Perspektiva gjeopolitike e rrjedhave të dezinformatave në Ballkanin Perëndimor” u përgatit në kuadër të projektit rajonal “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: zbulimi i ndikimeve të rrezikshme përmes gazetarisë vëzhguese”, i mbështetur nga Mbretëria e Holandës.

Analiza tregon se dezinformimi dhe lajmet e rreme janë problem serioz i sigurisë që mund të pengojnë realizimin e objektivave strategjikë më të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor. Ndërkaq se është e domosdoshme që të gjitha vendet e rajonit të vendosin bashkëpunim të ngushtë të ndërsjellë dhe të kenë qasje në ekspertizën e BE-së dhe të NATO-s në krijimin e strategjive të rezistencës dhe reagimit ndaj ndikimeve të huaja keqdashëse.

Sipas hulumtimit, vitet e fundit, ndikimi i huaj keqdashës në Ballkanin Perëndimor i ka intensifikuar përpjekjet e tij për minimin e zhvillimit demokratik të rajonit. Presionet e jashtme të dëmshme i shfrytëzojnë zhvillimet dhe ngjarjet kryesore politike brenda vendeve, por gjithashtu manipulojnë me çështje globale.

Raporti hulumtues i harton tendencat dhe modelet kryesore në shpërndarjen e dezinformatave në të gjithë rajonin në periudhën janar- dhjetor 2022, si dhe interesat e huaja të përhapura përmes propagandës dhe fushatave të ndikimit të para përmes lenteve gjeopolitike.

Raporti hulumtues i vëzhgon specifikat e rajonit në tërësi dhe veçmas për secilin vend. Ai fokusohet në fenomenin e lajmeve të rreme, dezinformatave dhe propagandës së huaj të shpërndarë nëpër mediat publike dhe rrjetet sociale që po fiton potencial të madh për ndikim gjeopolitik dhe kthehet në kërcënim për sigurinë.

Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.