GLOBSEC: Maqedonia e Veriut ka ambicie pro-perëndimore, por është e ndjeshme ndaj ndikimeve të Kremlinit dhe Pekinit
Indeksi i Vulnerabilitetit i GLOBSEC analizon cenueshmërinë e tetë vendeve të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor (Bullgarisë, Republikës Çeke, Hungarisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Rumanisë, Serbisë, Sllovakisë) ndaj ndikimit malinj të huaj në 5 dimensione: qëndrime publike, peizazh politik, administratë publike, peizazh informativ dhe hapësirë qytetare e akademike. Ky indeks, në një rangim nga 1 deri në 100, identifikon pikat e ndjeshme ndaj ndikimit të Kremlinit dhe Pekinit në secilin prej këtyre vendeve
Shkruan: Simona Atanasova
Sipas të dhënave të hulumtimit, Maqedonia e Veriut mund të klasifikohet si më rezistentja në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor të analizuara nga Indeksi i Vulnerabilitetit i GLOBSEC . Analiza tregon se edhe përkundër këtij rezultati, shoqëria maqedonase është e polarizuar në kampe politike antagoniste dhe mbetet vulnerable.
Ndërkohë që shumica e popullsisë ende mbështet procesin e planifikuar të pranimit në BE që nga viti 2005, një rol të rëndësishëm luajnë edhe qëndrimet që anojnë nga sundimi autoritar i Kremlinit dhe Pekinit. Këto qëndrime përforcohen nëpërmjet hapësirës informative, e cila kryesisht i nënshtrohet ndikimit të huaj, nëpërmjet pronësisë së fshehtë dhe të hapur të mediave, dhe programeve dhe individëve të caktuar që promovojnë interesat e Kremlinit. Peizazhi mediatik gjithashtu vuan nga mungesa e pikëpamjeve të ndryshme, sidomos për shkak se mediat janë nën presion nga fushata plot me dezinformata dhe manipulime, thuhet në pjesën e Analizës kushtuar Maqedonisë së Veriut.
Qëndrimet e publikut
Në Analizë konkludohet se mbështetja entuziaste e Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në BE dhe NATO mund të zbehet nga procesi i gjatë i pranimit në BE.
Anketa vë në dukje se 46 përqind e maqedonasve, që paraqet numrin më të madh në mesin e vendeve të anketuara, do të dëshironin që vendi i tyre t’i përkiste Perëndimit. Në përputhje me këtë qëndrim, 78 përqind mbështesin hyrjen e vendit të tyre në BE, ndërsa 72 përqind mbështesin anëtarësimin në NATO. Nga ana tjetër, ndjenjat pro-ruse janë domethënëse. Vetëm 10 përqind mendojnë se Rusia paraqet një kërcënim për Maqedoninë e Veriut, ndërsa 65 përqind besojnë se Rusia është vëllai sllav i Maqedonisë së Veriut.
Edhe pse Pekini po financon projekte të mëdha infrastrukturore në Maqedoninë e Veriut, qytetarët janë ambivalent ndaj Kinës – ata nuk e shohin atë as si kërcënim, e as si partner.
Peizazhi politik
Analiza identifikoi hapa vendimtarë të qeverisë për të kufizuar ndikimin e Kremlinit në vend, duke përfshirë vendimin për dëbimin e diplomatëve rusë në lidhje me rastin e ish-spiunit rus Sergei Skripal, si dhe dy dëbime të tjera në vitin 2021.
Sa i përket Kinës, shtytësi kryesor i bashkëpunimit është nisma „Brezi dhe rruga”, një instrument i fuqisë së butë i përforcuar nga një sërë memorandumesh mirëkuptimi midis dy qeverive. Janë theksuar shqetësime edhe për kreditë infrastrukturore që janë nën nivelin e tregut.
Administrata publike
Administrata publike në Maqedoninë e Veriut ka disa mangësi, duke përfshirë edhe përparimin e kufizuar në reformat kryesore, si dhe një nivel të lartë të politizimit, vë në dukje Analiza, duke shtuar se vetëdija për ndërhyrjen e huaj është ende në zhvillim.
Strategjia Kombëtare e Mbrojtjes është i vetmi dokument strategjik që njeh qartë veprimtarinë e shërbimeve të huaja të inteligjencës si një nga kërcënimet më serioze për vendin.
Peizazhi informativ
Keqinformimi dhe narrativet malinje kanë tendencë që të „lulëzojnë” në internet, me ç’rast shumë portale janë të regjistruara në destinacione offshore – duke shmangur kështu pasojat ligjore për abuzimet e mundshme.
Ndërkohë që aktivitetet kineze mbeten shumë të kufizuara, ndikimi rus dhe pro-Kremlinit është i një rëndësie të madhe.
Megjithëse radio stacioni lokal i Universitetit Ndërkombëtar Sllav në pronësi ruse është shembulli i vetëm i ndikimit të hapur, disa ekspertë të intervistuar theksojnë se TV Alfa dhe OFNET po përhapin narrativa pro-Kremlinit dhe anti-perëndimore, thuhet në Analizë.
Parlamenti Evropian ka shprehur gjithashtu shqetësim për narrativat e shpërndara në mediat me pronësi të huaj në vend, veçanërisht nga një grup mediash të kontrolluara nga investitorë hungarezë pranë administratës së Viktor Orbanit.
Hapësira qytetare dhe akademike
Ndikimi rus është i dukshëm edhe në nivel formal. Ambasada e Rusisë mbikëqyri formimin e rreth 30 „shoqatave të miqësisë” maqedono-ruse, me më shumë se 5.000 anëtarë që mbështesin zyrtarisht angazhimin e Rusisë në vend. Strategjia e fuqisë së butë të Rusisë ka rritur ndikimin kulturor të Moskës në Maqedoni përmes këtyre shoqatave, e sidomos të Qendrës Kulturore Ruse në Shkup.
Njëzet e tre (23) nga 28 ekspertë që kanë qenë pjesë e hulumtimit besojnë se ndikimi i Kremlinit në shoqërinë civile është i kufizuar ose inekzistent.
Nga ana tjetër, thuhet se Kina nuk ka treguar shumë interes për sektorin e shoqërisë civile në Maqedoninë e Veriut dhe ndoshta preferon të komunikojë më shumë me zyrtarë qeveritarë, sesa me sektorin joqeveritar apo bizneset private.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari