Dezinformatat për Kovidin po aq të rrezikshme sa edhe koronavirusi

Фото: Принтскрин колаж: zdravstvo.gov.mk

Jo rrallë herë në rrjetet sociale të shpërndahen narrativa për vaksinat kundër Kovid-19, të cilat jo vetëm që minojnë besimin në efektivitetin e tyre, por gjithashtu përmbajnë teori konspirative, ose pretendime të pabazuara dhe të pavërtetuara se një grup i vogël „i njerëzve të këqij” duan ta shkatërrojnë pjesën tjetër të popullatës. E gjithë kjo bëhet për përfitime për kompanitë e mëdha farmaceutike, por edhe për realizimin e planit të pretenduar për zvogëlimin e popullsisë botërore. Shumë shpesh në këto teori konspirative kundër vaksinimit, bëhet një krahasim midis vaksinave që vijnë nga Perëndimi dhe atyre që vijnë nga Rusia.

 

Shkruan: Mirosllava Burns

 

Në një kontekst të tillë, vaksinat perëndimore janë objektivi i teorive konspirative mjaft të përhapura, të cilat në të shumtën e rasteve sulmojnë vaksinën e Pfizer dhe Biontech, për të cilën në një mënyrë tendencioze pretendohet se shkakton një sërë problemesh shëndetësore dhe madje edhe e ndryshon kodin gjenetik.

Gjatë disa protestave kundër vaksinimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, mund të dëgjohej se vaksinat ishin „eksperimentale”, edhe pse kjo nuk është e vërtetë. Të gjitha vaksinat kundër Kovidit të cilat aplikohen në vend janë të miratuara për përdorim dhe i nënshtrohen proceseve të kontrollit dhe testimeve klinike. Gjithashtu thuhej  se „Shteti i thellë” – si sinonim i organizimit të pretenduar politik të të gjitha fuqive botërore – dëshiron të bëjë depopullimin masovik të planetit, të vendosë kontroll mbi popullsinë dhe ta skllavërojë atë.

Në luftën për pushtet ndaj mendjes së shëndoshë të qytetarëve, u përhapën konspiracione për përdorimin e nanoçipave nëpërmjet të cilëve, gjoja, do të vendoset një kontroll mbi jetën e përgjithshme shoqërore të popullatës, edhe pse në dozën e vaksinës nuk ka vend për të futur një çip. Lëngu anti-koronavirus që ka shpëtuar mijëra jetë dhe ka reduktuar efektet e sëmundjes ndaj shëndetit të popullsisë së botës, në fakt u kthye në një zënkë virtuale gjeopolitike midis lobit kundër vaksinimit dhe pjesës tjetër të botës që vendosi të vaksinohet. Shpesh herë ajo pjesë e popullsisë së vaksinuar keqprezantohej si e skllavëruar, e detyruar dhe e manipuluar.

 

GLORIFIKIMI I SPUTNIK-ut NË DËM TË PFIZER-it

Fakti që vaksina ruse Sputnik V nuk është miratuar për përdorim në shumë vende perëndimore u keqpërdor për të lëvduar efikasitetin e saj në dëm të efikasitetit të vaksinës Pfizer.

Printscreen eeas.europa.eu

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Azerbajxhan ka bërë një listë me dezinformatat më të shpeshta pro-Kremlin që mund të hasen në rrjetet sociale dhe ato nuk dallojnë aspak nga ato që tashmë janë përhapur në Maqedoni.

Narrativat kryesore që vihen re tek këto dezinformata janë se vaksinat janë joefikase dhe të dëmshme, teoritë e konspiracionit rreth Bill Gates dhe „ndërhyrjes së shtetit”, glorifikimi i dominimit dhe suksesit rus, pretendohet se Perëndimi po e diskrediton vaksinën ruse si dhe komplote të tjera për „Perëndimin e Keq” dhe Big Pharma.

Një shembull i qartë i propagandës kundër vaksinave perëndimore, sidomos ndaj asaj të prodhuar nga Pfizer, është se për shkak të teknikës së saj të ndryshme të veprimit me mekanizmin mARN, në mënyrë të rreme dhe të pavërtetë u pretendua se ajo është toksike për trupin, madje rekomandohej edhe një agjërim 40-ditor vetëm me ujë për të bërë „detoksifikimin” të organizmit.

Për dallim nga vaksina Pfizer, për të cilën vazhdimisht thuhej se për të shpëtuar jetën pas vaksinimit duhej të përdoreshin jo vetëm „pije magjike”, por edhe ilaçe të rrezikshme, për vaksinën ruse Sputnik nuk ka pasur kurrfarë fushate negative (pavarësisht se është e bazuar në teknologji të tjera).

 

PËRHAPJA E PASIGURISË, FRIKËS DHE MOSBESIMIT

Komunikologu Sead Jigal për „Vërtetmatësin” tha se dezinformimi për Kovid-19 dhe vaksinat shpesh herë ka për qëllim destabilizimin e shoqërive ndaj të cilave drejtohen këto fushata dezinformative, duke përhapur pasiguri, frikë dhe mosbesim ndaj institucioneve të asaj shoqërie.

Pasojat për shëndetin publik janë të rënda, sepse këto dezinformata mund të polarizojnë dhe përçajnë shoqëritë, por edhe t’i dobësojnë ndjeshëm dhe t’i nënshtrojnë ato në ndikimin, varësinë ose kontrollin e një faktori të jashtëm. Në botën e sotme të rrjetëzuar dhe të integruar globalisht, termi i Manuel Castells, përplasja e interesave gjeopolitike shpesh manifestohet në të ashtuquajturat „luftëra informacioni” që janë vetëm pjesë e luftës moderne hibride, ku nuk keni nevojë ta shkatërroni fizikisht ose ta nënshtroni armikun që ta fitoni „luftën”, mjafton që nëpërmjet „intoksikimit” me dezinformata ta dobësoni dhe pastaj mund të mposhtet lehtësisht, thotë Jigal.

I pyetur se si mund të mbrohemi nga dezinformatat përmes edukimit mediatik, sidomos në rrjetet sociale, komunikologu thekson se edukimi mediatik është një faktor i domosdoshëm për zvogëlimin e efekteve të dëmshme të dezinformatave, që përforcon „imunitetin tonë informativ”, pra aftësinë për ta mbrojtur veten nga manipulimet dhe abuzimet me informacione të rremë.

Edukimi mediatik rrit ndërgjegjësimin për rreziqet nga dezinformata dhe ndihmon në zhvillimin e aftësive specifike për t’u mbrojtur nga ato, siç është vërtetimi i informacionit, njohja e përmbajtjeve manipuluese në media përmes praktikimit të mënyrave të sigurta për të kërkuar dhe përdorur informacionin, shpjegon ai.

 

KOVID DEZINFORMATAT NGA SERBIA TË PASQYRUARA NË MAQEDONINË E VERIUT

Fakti që gjuha serbe kuptohet lehtësisht nga shumë qytetarë e Maqedonisë ka kontribuar që dezinformatat nga hapësira serbe të transmetohen dhe pranohen lehtësisht në vend. Sipas një hulumtimi të Univerzitetit të gazetarisë në Novi Sad,  i mbështetur nga Akademia e Deutsche Welle në Serbi, dezinformatat që këshillojnë gabimisht se si të kuroni koronavirusin përbëjnë deri në 33 përqind të të gjithë dezinformatave në Serbi.

Edhe në vendin tonë u pasqyruan po ato narrative se Kovidi nuk është një sëmundje e rrezikshme por një mashtrim, si dhe se shërohet duke shpërlarë gojën e ujë dhe sodë, me hudhra dhe me ujë me kripë.  Në listën e ilaçeve popullore magjike u gjet edhe soda e bukës , e gjithashtu  pretendohej edhe se nëse pini raki edhe reçel pelini ju do e „vrisni koronën“. Megjithatë, nuk mund të vlerësohet me saktësi rreziku për shëndetin publik nga ndjekja e mesazheve të tilla për pasigurinë e koronavirusit, ndaj nuk dihet se sa prej qytetarëve kanë rënë pre e kësaj propagande.

Lidhur me këto këshilla për trajtimin „efikas” të koronavirusit që ishin të pranishme në Serbi, e më pas si me indigo u përsëritën në Maqedoninë e Veriut, në analizën e lartpërmendur të Universitetit të gazetarisë në Novi Sad (në faqen 24) thuhet se kur një person përballet me një rrezik potencial (koronavirus), atëherë tek ai aktivizohet instinkti i urgjencës që e detyron atë për një veprim të menjëhershëm”.

Të udhëhequr nga ky instinkt, shumë qytetarë kanë dhënë këshilla joefektive dhe madje të rrezikshme për parandalimin e koronavirusit. Një këngëtare i këshillon qytetarët që si masë paraprake të pinë një kombinim të rakisë dhe ferveksit, ndërsa në Viber dhe Whatsup u përhap e ashtuquajtura „recetë izraelite” sipas së cilës limoni dhe soda e bukës, të përziera me ujë të nxehtë, „vrasin virusin menjëherë”. Alkooli, temjani, avujt e ujit dhe të tjera u përmendën si një masë parandaluese ose kurë e mundshme. Këshillat e tilla qytetarët ia përcollën njëri-tjetrit, me qëllimin më të mirë, duke shpërfillur origjinën e atyre këshillave dhe kundërindikacionet e mundshme, thuhet në analizën e dezinformatave në Serbi.

Sa  i përket  shpërndarjes së lajmeve të rreme gjatë pandemisë me Kovid, shefi i Departamentit Politik të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviq thotë se është pothuajse po aq e rrezikshme sa edhe përhapja e koronavirusit.

Lajmi i rremë njerëzve u vjen gjashtë herë më shpejt se ai real dhe në kohë krize vihet re tendenca e një pjese të popullatës që të besojë më shumë në thashethemet sesa në informacionin zyrtar, e gjithë kjo si pasojë e reagimit emocional ndaj frikë.

Kështu, informacioni vazhdon të përhapet, dhe megjithëse shumica e bëjnë këtë pa qëllim të keq dhe thjesht për shkak se nuk janë të informuar sa duhet për të dalluar informacionin e paverifikuar, ai ende mund të shkaktojë probleme në të gjithë shoqërinë. Kur informacioni i rremë dhe dezinformata përsëriten dhe thellohen, rreziku i vërtetë është që informacioni i bazuar në të vërtetën të ketë një ndikim të kufizuar, thekson Kapetanoviq.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.