Arrestimi i Pavel Durov nuk ka të bëjë me vendosjen e censurës

Павел Дуров, 2013. Фото: Wikipedia, techcrunch_disrupt_europe_berlin_2013

Arrestimi i Pavel Durov nuk ka të bëjë fare me “censurën”. Autoritetet hetuese franceze kanë lëshuar një urdhër për të si pjesë e një hetimi të veçantë për mashtrim, trafik të drogës, krim të organizuar, promovimin e terrorizmit dhe dhunë kibernetike. Sipas The Guardian, Durov akuzohet se nuk ka ndërmarrë veprime për të frenuar përdorimin e platformës së tij Telegram për aktivitete kriminale nga disa përdorues.

Po shqyrtojmë një postim në rrjetin social Facebook ku shkruhet:

Pavel Durov, drejtor i përgjithshëm dhe bashkëthemelues i Telegram, u arrestua në Francë. Imazhi tregon një postim në Twitter nga David Sachs nga muaji prill. Perëndimi po shtrëngon lakun rreth të gjitha rrjeteve sociale që nuk mbështesin censurën.

Më pas shpërndahet një foto e një postimi në rrjetin social X, në të cilin shkruhet se rrjeti social Tik Tok është eliminuar, ndërsa në listë mbeten Telegram, X dhe Rumble.

Megjithatë, nuk është e vërtetë se arrestimi i Pavel Durovit ka lidhje me “censurën”. Autoritetet hetuese franceze kanë lëshuar një urdhër për të si pjesë e një hetimi të veçantë për mashtrimin, trafikun e drogës, krimin e organizuar, promovimin e terrorizmit dhe dhunën kibernetike. Sipas Guardian, Durov po merret në pyetje nëse ka ndërmarrë apo jo veprime për të frenuar përdorimin e platformës së tij Telegram për aktivitete kriminale nga disa përdorues.

Pavarësisht se ka 550 milionë përdorues, Telegram nuk ka pothuajse asnjë moderim, duke e bërë atë platformën perfekte për organizimin e trazirave, shkruan Guardian.

Në deklaratën fillestare të së dielës në mbrëmje, kompania Telegram, nga ana tjetër, bëri të ditur:

Telegram është në përputhje me ligjet e BE-së, duke përfshirë Aktin e Shërbimeve Digjitale – moderimi është brenda standardeve të industrisë dhe po përmirësohet vazhdimisht.

Avokati i Durovit, Dmitry Agranovsky, i quajti akuzat kundër klientit të tij “absolutisht qesharake” dhe shtoi se “kjo është njësoj sikur të akuzosh një prodhues makinash për faktin se makinat e tij përdoren për aktivitete kriminale”.

Por është e qartë se autoritetet franceze nuk mendojnë kështu. Është e vërtetë që një prodhues makinash nuk mund të fajësohet kur makinat e tij përdoren për aktivitete kriminale, por si mund të fajësohen nëse rripat e sigurimit thyhen ose jastëkët e ajrit të makinave nuk funksionojnë në një aksident. Prandaj, platformat online mund të mbahen gjithashtu përgjegjëse nëse nuk ndërmarrin hapa për të parandaluar gjuhën e urrejtjes, për mos heqjen e gjuhës së urrejtjes kur një përmbajtje e tillë u vihet në vëmendje, dhe nëse nuk marrin masa për heqjen e postimeve që përdoren për trafikimin e qeenieve njerzore ose trafikimin e drogës, alkoolit ose armëve.

Platformat online mund të mbahen përgjegjëse nëse nuk e moderojnë vazhdimisht përmbajtjen për ta hequr atë kur përdoret për të ngacmuar, shantazhuar ose kryer krime të tjera. Kjo bëhet edhe më e keqe nëse një dështim i tillë për të ndërmarrë veprime ndodh në mënyrë të përsëritur dhe përsëritet për një periudhë të gjatë kohore, pavarësisht se një përmbajtje e tillë është sjellë në vëmendjen e përdoruesve ose autoriteteve të zbatimit të ligjit. Platformat online mund të mbahen gjithashtu përgjegjëse nëse disa grupe ose profile nuk hiqen dhe në një situatë kur autoritetet kanë prova se ato po përdoren për qëllime të paligjshme, si p.sh. përgatitja e krimeve ose trazirave në të cilat kryhet dhunë dhe në të cilat shkaktohen lëndime apo vdekje. Nuk po themi se Durov apo rrjeti social Telegram ka kryer ndonjë nga këto akte (nuk dihet ende), por të gjitha këto janë arsye të mundshme për arrestimin e personit përgjegjës dhe nuk kanë lidhje me censurën.

The Guardian raporton gjithashtu se “kriptimi në dukje i pamposhtur i Telegram e bën atë një strehë për ekstremistët dhe teoricienët e konspiracionit”.

Gazetarët investigativë nga faqja evropiane VSquare thonë se Telegram është mjeti i parë ku mbështeten propagandistët rusë, qofshin ata të majtë apo radikalë të djathtë, ose nëse përdoruesit synojnë të ndajnë teori konspirative si Q Anon apo të tjera. VSquare arrin në përfundimin se Telegrami është një “ekosistem për radikalizimin e mendimit”.

Aplikacioni është përdorur nga aktivistët e ekstremit të djathtë që planifikonin protesta kundër migracionit në Angli dhe Irlandën e Veriut pasi tre vajza u goditën me thikë muajin e kaluar në një klasë kërcimi. Grupi anti-racist Hope Not Hate, sipas Guardian, arriti në përfundimin se Telegram ishte bërë aplikacioni i parë i zgjedhjes për racistët dhe ekstremistët e dhunshëm dhe një kanal për përmbajtje antisemite me moderim minimal të përmbajtjes ose përpjekje nga aplikacioni për të frenuar përmbajtjet e ekstremistëve .

Gjykata franceze zgjati paraburgimin e Durovit pasi ai u arrestua.

Durov u largua nga Rusia dhjetë vjet më parë dhe në vitin 2021 mori nënshtetësinë franceze. Ai deri më tani ka banuar kryesisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ndodhet edhe zyra e kompanisë së tij.

Për të gjitha faktet e mësipërme, postimi që po shqyrtojmë nuk është i vërtetë se themeluesi i Telegram, Pavel Durov, është arrestuar për shkak se nuk mbështet censurën, por për shkak të dyshimeve se nuk ka marrë masa të mjaftueshme për të parandaluar platformën e tij për qëllime kriminal. Si në Maqedoni të Veriut, ashtu eedhe në të gjitha vendet e tjera, ligjet parashikojnë që kushdo që ka dijeni për krimet e kryera, ka detyrimin t’i ndajë këto njohuri me organet e rendit kur kërkohet.

Është e vërtetë që me platformat online nuk është aq e thjeshtë për shkak të numrit të madh të përdoruesve, si dhe për shkak të trafikut të të dhënave të enkriptuara, por kanë edhe detyrimin të bashkëpunojnë me autoritetet ligjzbatuese kur u kërkohet dhe me atë informacion që posedojnë ose mund të marrin. Në rastin konkret, sipas asaj që thonë autoritetet franceze, bëhet fjalë për neglizhencë të detyrimeve për parandalimin e veprave kriminale nga një shtetas francez, për çka edhe është arrestuar. I gjithë ky rast është në fillim dhe gjërat mund të shkojnë në shumë drejtime, ndaj edhe ai mund të shpallet i pafajshëm. Por një gjë është e sigurt – dhe ajo është se ndalimi i Pavel Durov nuk ka të bëjë fare me censurën.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.