Telegrami: Parajsa e kanaleve pro-ruse, tema e Kosovës mobilizon nacionalistët serbë pro-rusë

Viteve të fundit, në aplikacionin Telegram janë shtuar kanalet që përcjellin narrativa pro-serbe e pro-ruse në Ballkanin Perëndimor. Në Kosovë nuk ekziston ndonjë afinitet ndaj Rusisë dhe nuk janë vënë re grupe pro-ruse që synojnë t’i mobilizojnë shqiptarët e Kosovës. Por, Kosova vazhdon të jetë një ndër temat kyçe që mbledhë qindra e mijëra anëtarë serbë, përfshirë ata të Kosovës, nëpër kanale pro-ruse që nxisin ndjenja nacionaliste për rikthimin e “Serbisë së Madhe” dhe kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

Autorë: Gentiana Paçarizi & Uran Haxha

Krizat e njëpasnjëshme në komunat me shumicë serbe në Kosovë që nga viti 2021, kanë shërbyer veçanërisht për aktivizimin e përmbajtjes nacionaliste në këto kanale. Këto kanale shërbyen edhe hapësira për mobilizimin e bllokadës së fundit me barrikada të pikave kufitare të Kosovës me Serbinë në fillim të shtatorit.

Kanalet që shpërndajnë përmbajtje rreth Kosovës mbështesin njëra-tjetrën duke rishpërndarë postimet e njëra-tjetrës, duke rritur kështu vizibilitetin e përmbajtjes. Përveç Kosovës, ato kanë përmbajtje të ngjashme edhe në tema tjera: sukseset e Rusisë në luftën në Ukrainë; aksionet “terroriste” të Ukrainës kundër Rusisë; propaganda kundër NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Bashkimit Evropian (BE), shteteve perëndimore dhe Ukrainës.

Një hulumtim i publikuar në qershor të këtij viti nga Detektor veçoi 23 kanalet më të njohura në kanaleve Telegram në gjuhët serbe dhe ruse që ndiqen nga audiencat e Ballkanit Perëndimor. I dyti më i ndjekur, “Bunt je stanje duha” [në shqip, Rebelimi është gjendje shpirtërore], ka Kosovën si një nga temat kyçe të postimeve.

Burimi: Telemetrio, të dhënat janë nxjerrë më 8 shtator 2024
Burimi: Telemetrio, të dhënat janë nxjerrë më 8 shtator 2024

Sipas këtij hulumtimi, këto kanale shënuan rritje të madhe në numrin e anëtarëve pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Pushtimi i Ukrainës duket se ishte pikë kthese për intensifikimin dhe rritjen e ndjenjës nacionaliste për “Serbinë e Madhe”.

Sipas Stefan Janjić, profesor i gazetarisë në Novi Sad dhe kryeredaktor i verifikuesit të fakteve në Serbi “Fake News Tragac”, pas pushtimit rus të Ukrainës, kur qarqet rusofile në Serbi besonin se presidenti Vladimir Putin do të pushtonte Kievin brenda disa ditëve, ekzistonte ideja se “pozicionet e fuqisë gjeopolitike po ndryshonin” dhe se një “epokë e re” do të mundësonte kthimin e Kosovës brenda kufijve të Serbisë. “Megjithatë edhe ata që përhapnin këtë ide nuk besonin në të, por ajo përshtatej shumë mirë me narrativat e mëparshme për një rend të ri, me Trump, Putin, Orban dhe Le Pen si liderë të rinj”, tha Janjić.

Burimi: Telemetrio, të dhënat janë nxjerrë më 8 shtator 2024
Burimi: Telemetrio, të dhënat janë nxjerrë më 8 shtator 2024

Pothuajse secili kanal të cilin e kemi analizuar: “Bunt je stanje duha”, “Koridor”, “Bunker”, “Srpska Sparta-info” — përbëhet me individë me prirje të forta nacionaliste, një lidhje të thellë me narrativat historike të viktimizimit dhe një besim në madhështinë e natyrshme të Serbisë. Shumë prej tyre lidhen me ideologjitë konservatore ose fetare, duke e parë veten si mbrojtës të kulturës dhe besimit të tyre kundër kërcënimeve të jashtme të perceptuara, veçanërisht nga Perëndimi dhe kombet fqinje.

Burimi: Telemetrio, të dhënat janë nxjerrë më 8 shtator 2024
Burimi: Telemetrio, të dhënat janë nxjerrë më 8 shtator 2024

Mobilizimi për “Serbinë e Madhe”

Me mbi 36,000 postime, rreth 20 në ditë, 160 në muaj, kanali BUNT — “Bunt je stanja duha” [në shqip: Rebelimi është gjendje shpirtërore] shpërndan fotografi, video e njoftime rreth Kosovës, Serbisë, Ukrainës, Rusisë, e ndonjëherë edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Narrativet janë konsistente: mohimi i shtetit të Kosovës, justifikimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, mobilizimi kundër Perëndimit, promovimi i vllazërisë serbo-ruse dhe “Serbisë së Madhe”. Siç përsëritet në kanal slogani kohë pas kohe: “Gjithçka është Rusi, përveç Kosovës, Kosova është Serbi”.

“Kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Fotografia e marrë nga kanali “BUNT”.
“Kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Fotografia e marrë nga kanali “BUNT”.

Sipas Telemetrio, katalog i kanaleve të Telegramit, në shtator, kanali “BUNT” pati rreth 86,500 anëtarë teksa postimet e tyre arrinin deri në 18,000 shikime në 24 orë e mesatarisht 700 persona reagojnë në postimet e tyre. E po sipas Telemetrio, rreth 916 kanale e kanë përmendur këtë kanal apo kanë ripostuar përmbajtje nga “BUNT”. Kjo dëshmon për një rrjet shumë më të gjerë të kanaleve që janë të ndërlidhura mes vete dhe mirëmbajnë narrativa të ngjashme se sa që mund të gjurmohen në këtë pikë.

Duke e pozicionuar kanalin si një vend ku nuk ka censurë, postimet e përditshme rreth Kosovës sillen rreth disa temave kyçe: lidhja shpirtërore me Kosovën, që sipas tyre, është lidhja e tyre me parajsën; rikthimi i ushtrisë dhe Serbisë në Kosovë; e pretendimi për persekutimin e komunitetit serb në Kosovë nga “terroristët shqiptarë”. Ky kanal bëhet veçanërisht aktiv rreth Kosovës kur krizat politike e përfshijnë pjesën e banuar me serbë.

Në një intervistë për Klix.rs, më 7 korrik të këtij viti, një anëtar i ekipit “BUNT”, tha se “ Kosova dhe Metohia janë djepi ynë shpirtëror, kulturor, historik dhe i lidhur me qiellin. Në simbolin tonë të Buntit, tre gishtat e bashkuar të dorës së djathtë simbolizojnë Trininë e Shenjtë dhe dëshirën për të ruajtur dhe realizuar amanetin serb. Prandaj: ‘Nëse të harroj Kosovë, le të më harrojë dora ime e djathtë…’”

Një narrativë konsistente te “BUNT” e kanalet tjera është rikthimi i “Serbisë së Madhe nga Zara [Kroaci] deri në Shkodër [Shqipëri]”. Në po të njëjtën intervistë, i intervistuari thotë motivi kryesor i 10 personave të cilët qëndrojnë pas kanalit, janë “baballarët dhe gjyshërit tanë që kanë luftuar për këtë tokë, duke përfshirë të gjitha territoret serbe nga Zara deri në Shkodër… ne nuk kemi të drejtë të humbasim gjithçka”. Ai përmendi se shumica e anëtarëve të tyre vjen nga Serbia Qendrore, por një numër i madh vjen nga Kosova.

Përveç mobilizimit virtual për çështjen e Kosovës, në këtë kanal mobilizohen anëtarët edhe për aksione në Beograd e në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor me popullsi serbe në mbrojtje të komunitetit serb në Kosovë.

Për shembull, më 24 shkurt të këtij viti, kanali “BUNT” postoi fotografi nga një protestë të cilën e kishte organizuar në Beograd, në mbështetje të komunitetit serb në Kosovë. Disa dhjetra persona parakaluan rrugët e Beogradit duke mbajtur pankarta me mbishkrime të ndryshme ndërlidhur me Kosovën. Njëri mbishkrim thoshte “Nuk e japim Kosovën”, ku në fund ishte vizatuar flamuri i NATO me një vijë të kuqe ndalese sipër. Flamujt që i valvisnin paraqitnin hartën e Kosovës me ngjyra të flamurit serb, flamurin rus me shkronjën famëkeqe “Z” teksa këngët në prapavijë i këndonin Kosovës.

Simboli “Z” erdhi për herë të parë në vëmendjen ndërkombëtare, kur filloi të vizatohej në të bardhë nëpër automjetet ushtarake ruse në javët dhe muajt e parë të pushtimit të Ukrainës që filloi në shkurt 2022. Simboli “Z” vazhdon ta simbolizojë mbështetjen për presidentin rus Vladimir Putin dhe luftën e tij. Simboli i njëjtë është parë në veriun e Mitrovicës gjatë periudhës së protestave të dhunshme të majit të vitit 2023 në komunat me shumicë serbe.

Sipas Ramadan Ilazit, ekspert në Qendrën për Studime të Sigurisë (QKSS), Kosova është bërë një pikëtakimi për Rusinë dhe ekstremistët e djathtë në BE, të cilët përfaqësojnë qëndrime ksenofobike dhe raciste.

“Cenueshmëria në Kosovë dhe rajonit ndaj radikalizimit etno-politik lidhet kryesisht me mungesën e zgjidhjes së konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe mungesën e përballjes me të kaluarën, veçanërisht në Serbi. Kemi narracione krejtësisht të kundërta për të kaluarën, dhe kjo gjendje vazhdon të nxisë tensione në shoqëri”, tha Ilazi. Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është thelbësor si per integrimin euro-atlantik te Kosoves, por në nje fotografi më të madhe edhe për të zbehur ndikimin e Rusisë në rajon.

Sloganet e kësaj proteste përputhen me grafitet dhe mbishkrimet që shpërndahen në kanalin BUNT dhe në kanalet e tjera, ku një nga temat kryesore është Kosova. Po ashtu, grafitet nacionaliste dhe luftënxitëse që shfaqen në Serbi, Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë janë në përputhje me sloganet që përdorin këto kanale për të nxitur ndjenjat nacionaliste të anëtarëve të tyre. Kjo tregon qartë se aktivitetet e këtyre grupeve nuk mbeten vetëm në botën virtuale të Telegramit, por shfaqen edhe në jetën reale.

Më 28 korrik, kanali “Храбро за Космет!”, publikoi grafitin “Çështja është e vështirë, por duhet të ndodhë. Nga qyteti i Prizrenit deri në Republikën Serbe”. Më 12 gusht, postimin e të cilit e ndau “BUNT” dhe kanali tjetër, “Bunker Srb”, bëri thirrje që grafiti i ngjashëm të vizatohet në të gjitha “shtetet” serbe. Ata njoftonin, me fotografi, se tash për tash grafitet ishin vizatuar në Beograd, Bileljina, Krusevac, Prijedor, Cacak, e Paracin. Në një fotografi, krahas grafitit, dikush mbante një flamur të NATO me rrethin e ndalesës të vizatuar sipas tij dhe të shkruar “Fuck NATO”.

 

Rrjetëzimi mes kanaleve serbo-folësve me narrativa pro-serbe e pro-ruse u shfaq më së miri në koordinimin e tyre për “mbrojtjen e komunitetit serb në Kosovë e Metohi” si dhe gjatë organizimit të bllokadave të pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë me 6 shtator.

Mobilizimi për “mbrojtjen e popullit serb”

Që nga fillimi i vitit, kur qeveria e Kosovës ndërmori aksionet në komunat me shumicë serbe në Kosovës për largimin e strukturave paralele serbe, ndalimin e përdorimit të valutës së dinarit dhe së voni hapjen e bizneseve shqiptare në atë pjesë të veriut, postimet në “BUNT” e paraqesin gjendjen si gjendje lufte, ku “terroristët shqiptarë” po e “pushtojnë” veriun, po sulmojnë komunitetin serb, objektet si spitalet, shkollat e postat, me “armë të gjata”.

Sipas Ilazit, situata në veriun e Kosovës është veçanërisht e ndjeshme ndaj këtyre fushatave, të cilat mund të paraqesin ngjarje të ekzagjeruara me qëllim që të nxisin reagime të dhunshme, qoftë nga serbët, qoftë nga shqiptarët ndaj serbëve.

“Për shkak të mungesës së besimit në autoritetet e sigurisë së Republikës së Kosoves në veri dhe marrëdhënieve të dobëta të tyre me komunitetin, manipulimi dhe përdorimi i mediave sociale për qëllime destabilizimi është bërë edhe më i lehtë”, tha Ilazi.

Teksa BUNT më shumë riposton përmbajtje nga dy kanalet tjera “Bunker” dhe “Koridori” rreth zhvillimeve të përditshme në veri, këto dy të fundit, bashkë me “Srpska Sparta Info”, përmes fotografive, videove e thirrjeve për mobilizim, shërbejnë si burim i parë i përmbajtjes rreth Kosovës. Nga videot dhe fotografitë nga komunat me shumicë serbe, mund të vërehet se ato janë bërë nga aty çka tregon përfshirje aktive të qytetarëve serbë të Kosovës në këto kanale.

I themeluar në mars 2023, kanali “Bunker”, përshkrimi i këtij kanali tregon se fokusi është te “Ngjarjet aktuale me fokus në Kosovë dhe Metohi”. Sipas Telemetrio, për një vit e gjysmë ka grumbulluar rreth 17,000 anëtarë, teksa postimet e tyre arrijnë deri në 6,000 shikime në 24 orë. Me rreth 20 postime në ditë, sipas Telemetrio, rreth 167 kanale e kanë përmendur këtë kanal apo kanë ripostuar përmbajtje nga “Bunker”.

Me fokus të njëjtë në Kosovë është edhe kanali “Srpska Sparta Info”. I themeluar në maj 2023, ky kanal ka mbledhur afër 14,000 anëtarë deri në shtator, teksa postimet e tyre arrijnë deri në 4,000 shikime në 24 orë. Rreth 122 kanale e kanë përmendur këtë kanal apo kanë ripostuar përmbajtje nga “Srpska Sparta Info”.

Ndërkohë, kanali tjetër “Koridor”, relativisht më i vogël se “BUNT” dhe “Bunker”, i hapur në prill 2023, sipas Telemetrio, në shtatori pati pak mbi 7,000 anëtarë, me afër 4,000 shikime në 24 orë dhe 10 postime në ditë. Përmbajtja e këtij kanali është shpërndarë apo përmendur në 57 kanale.

Përmbajtja në “BunkerSrb” e në “Koridor” është e ngjashme si në “BUNT”, megjithatë fokusi në Kosovë është më i qëndrueshëm. Në ditët e fundit të gushtit, qeveria Kurti ndërmori aksion për mbylljen e komunave paralele serbe. Këto kanale e quajtën “pushtim” të veriut nga “terroristët shqiptarë” dhe bënë thirrje për mobilizim për “popullin e Kosovës dhe Metohisë”.

Kur me 31 gusht në mediet shqipfolëse në Kosovë, u raportua se te ura e Ibrit ishin pozicionuar karabinierët italianë të cilët kishin konfirmuar se prezenca e tyre ishte pjesë e një ushtrimi dhe jo në kontekstin e paralajmërimeve të hapjes së urës, në këto kanale u shpërndanë fotografi e video që nuk e përmendnin pjesën e ushtrimit, por i kontribuonin kornizimit të gjendjes në veri të Kosovës në gjendje lufte.

Kur bizneset në pronësi të shqiptarëve filluan të hapeshin në veri, këto kanale bënë thirrje që te bojkotoheshin masivisht nga komuniteti serb. Për më shumë, ata kërcënuan qytëtarët përmes këtij kanali, duke thënë se nëse shihen duke blerë në marketin “Meridian”, do të fotografoheshin dhe do të dënoheshin.

Por mobilizimi dhe rrjetëzimi i këtyre kanaleve u bë më i vrejtshëm kur në fund të gushtit filloi të bëhej thirrje për bllokimin e pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Në katër kanalet, “BUNT”, “Koridor”, “Bunker” e “Srpska Sparta Info”, në fillim të shtatorit u bë thirrje për mobilizim për mbylljen e pikave kufitare në Bërnjak, Jarinjë, Merdare, Konçul dhe Kula, me 6 shtator, sipas tyre, deri në “largimin në largimin përfundimtar të terroristëve të Kurtit nga pjesa veriore e Kosovës në pjesën jugore përtej Ibrit”. Thirrja u organizua nga Këshilli Organizativ për Bllokada në Serbi, megjithatë nuk mund të vërtetohet nëse adminët e këtyre kanaleve bëjnë pjesë në këtë këshill.

Në njoftim u tha se transporti do të ofrohet nga Beogradi, Novi Sadi, Smedereva, Kragujevaci, Nishi, Krushevci, Vranja dhe Rashka. Postimi bënte thirrje që të ndihmohen “vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë e Metohi”.

Në kanalin “Srpska Sparta Info”, me 3 shtator, u bë e ditur se organizuesit e bllokadës kishin parashtruar kërkesë para ministrisë së brendshme të Serbisë për mbajtjen e protestës në pikat kufitare me Kosovën. Plani fillestar i tyre ishte që protesta të fillonte në orën 18, dhe protestuesit do të ndërronin radhën çdo 12 orë, teksa do u ofrohej vend për të fjetur në një shkollë afër Merdares dhe një vakt ushqimi. Nëpër postime të ndryshme u bëhej thirrje mbështetësve të sillnin tenda, ushqim dhe çka mund të sillnin. Thirrja arsyetohej me “terrorin” nëpër të cilin po kalon komuniteti lokal serb në Kosovë. Sipas postimeve, qytetarët vendas serbë të Kosovës nuk do të merrnin pjesë për shkak të rrezikut që mund ta kenë nga Policia e Kosovës. Në protestë do të merrnin pjesë qytetarët nga Serbia qendrore, Mali i Zi dhe Republika Serbe.

Më 4 shtator, thirrja për bllokimin e pikave kufitare u bë edhe nga Rasha Rojeviq, kryetari i të ashtuquajturit “Asociacioni i Qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës”. Ndaj kësaj thirrjeje reagoi KFOR, duke bërë thirrje të shmangen veprime që mund të krijojnë tensione të panevojshme. Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që planifikojnë të kalojnë tranzit përmes territorit të Serbisë t’i shmangin pikëkalimet mes Kosovës dhe Serbisë për shkak të bllokadës së paralajmëruar.

Bllokada nisi në orën 18:00 të së premtës së 6 shtatorit. Në këto kanale u shpërndanë video e fotografi nga pikat kufitare të bllokuara, si dhe kërkesat e tyre. Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe mediat në Kosovë raportuan për persona me maska që ndalonin dhe kthenin prapa veturat e kamionët. Kosova mbylli pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Por, bllokada nuk zgjati shumë. Që të nesërmen, u liruan pikat kufitare. Një mesazh që qarkulloi në të tria kanalet ishte se organizatorët e bllokadave kishin vendosur të largoheshin pasi bllokimi i pikave kufitare do të përbënte problem për punëtorët dhe studentët që udhëtonin, si dhe qytetarët që duhej ta kalonin kufirin me Kosovën për shërbime shëndetësore. Sipas organizatorëve, ata kanë lënë 1 tetorin si afat që kërkesat e tyre të përmbushen — në rast se nuk përmbushen, do të organizonin masa më radikale për t’i bllokuar vendkalimet me 1 tetor.

Ndërkohë, më 11 shtator Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë për sulmin në Banjskë ndaj 45 personave. Më 13 shtator, në kanalin “Koridor” u postuan fotografi nga komunat me shumicë serbe ku ishin vendosur pamflete që përmbajnë mesazhe kërcënuese. Aty shfaqet fotografia e e Milan Radoiciq, që organizoi sulmin e Banjskës, së bashku me disa anëtarë të grupit .“Të gjithë jemi Milana dhe vëllezër nga Banjska. Ju okupatorë zgjoni egërsira, ju presim në veri. Komandant, vetëm thuaj, fluturojmë si plumba!”, thuhet në pamflete.

Pamfletet e shfaqura në veri të Kosovës në shtator. Fotografia e marrë nga kanali “Koridor”.
Pamfletet e shfaqura në veri të Kosovës në shtator. Fotografia e marrë nga kanali “Koridor”.

Sipas Janjić, përhapja e këtyre narrativave duket të jetë një përzierje komplekse e pjesëmarrjes vullnetare dhe përpjekjeve të koordinuara.

“Shumë përdorues serbë e gjejnë se këto ide përputhen në mënyrë të përkryer me botëkuptimin e tyre dhe kuptimin e tyre për politikën ndërkombëtare, duke i motivuar të përhapin aktivisht këto perspektiva”, tha Janjić. Por sipas tij, interesant është fakti që përhapja e këtyre ideve nuk është gjithmonë e drejtpërdrejtë ose hapur politike pasi disa individë fillimisht bashkohen në grupe ose kanale online për arsye dukshëm apolitike, si kërkimi i këshillave për mjekësinë natyrale ose diskutimi mbi temat kulturore.

“Megjithatë, këto platforma shpesh shërbejnë si porta për futjen e mesazheve politike në mënyrë të ngadaltë dhe të nënkuptuar. Përdoruesit që fillimisht bashkohen për arsye të padëmshme, mund të ekspozohen gradualisht dhe potencialisht të ndikohen nga narrativat gjeopolitike”, tha Janjic.

Narrativa anti-perëndimore

Përpos fokusit të madh në zhvillimet rreth Kosovës dhe thirrjes nacionaliste për rikthimin e “Serbisë së Madhe”, në këto kanale nxitet fryma anti-perëndimore ku minohen vlerat e BE dhe ShBA. Në përgjithësi, liderët e rajonit që kanë drejtim pro-perëndimor shihen si maketa të fuqive perëndimore dhe këto të fundit paraqiten si shtytës së një konspiracioni të madh kundër Serbisë dhe Rusisë.

Më 6 shtator, teksa po pritej që vendkalimet kufitare të bllokohen, qeveria e Britanisë së Madhe udhëzoi qytetarët e saj t’i shmangen vizitës në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Kanali “Slovenski Medvedi” që sipas hulumtimit të Detektor.ba, u identifikua si një ndër kanalet pro-ruse me rritjen më të shpejtë në Ballkanin Perëndimor, postoi këtë njoftim duke pyetur “A po zijnë diçka britanezët?” dhe duke shtuar se një zyrtar i ish shërbimit të intelegjencës në Jugosllavi, Ljuban Karan, kishte sugjeruar se fuqitë perëndimore mund të jenë prapa përshkallëzimit në rajon, pavarësisht se BE dhe ShBA i dënojnë zyrtarisht veprimet e Kosovës.

Në javën e fundit të gushtit, presidenti francez, Emanuel Macron, vizitoi Serbinë dhe u takua me presidentit serb, Aleksandar Vucic. Më 29 gusht, me një fotografi që paraqiste Macronin si kloun, BUNT njoftonte se Macron kishte deklaruar se do të insistonte për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Gjatë kësaj vizite u zyrtarizua blerja e 12 avionëve luftarakë Rafael nga Franca. BUNT, duke komentuar një postim në Twitter, tha se blerja e armëve nga Franca është “vetëvrasje nga pikëpamja ushtarako-politike”. Sipas BUNT, NATO dhe piunët e saj në Ballkan janë “armiku ynë i vetëm i vërtetë në rast lufte”.

Fotografia që shoqëronte postimin për Emanuel Macron. Screenshot nga nga kanali “BUNT”.
Fotografia që shoqëronte postimin për Emanuel Macron. Screenshot nga nga kanali “BUNT”.

Kanali tjetër “Bunker”, po ashtu, në një postim në këtë kontekst, ua rikujtoi anëtarëve të saj se më 30 gusht 1995 filloi bombardimi i NATO-s në Republikën Srpska, në të cilin mori pjesë edhe Franca. Po ashtu, duke komentuar një deklaratë të Macron ku i quante serbët “miq”, BUNT tha se Franca bombardoi disa herë Serbinë dhe popullin serb.

“Së bashku me okupatorin e NATO-s pushtoi një pjesë të territorit serb dhe e njohu atë si shtet të pavarur. Vetëm kohët e fundit ajo ishte bashkëautore e planit franko-gjerman për ‘normalizimin e marrëdhënieve me të ashtuquajturën Kosovë” dhe bashkë-sponsorizuese e rezolutës për ‘gjenocidin në Srebrenicë’. ‘Miq’”, thuhej në postimin e Bunker Srb.

Në të njëjtën linjë, BUNT postoi një fotografi me deklaratën e Macron dhe fotografi nga bombardimi i Serbisë në vitin 1999 duke shkruar “Duaje Francën aq sa ajo të do ty”.

Fotografia që shoqëronte postimin për Emanuel Macron. Screenshot nga nga kanali “BUNT”.
Fotografia që shoqëronte postimin për Emanuel Macron. Screenshot nga nga kanali “BUNT”.

Ndërkohë duke komentuar sistemin e ri të BE që pritet të hyjë nga nëntori në zonën Shengen, “BUNT” komentoi:

“Çfarë do të thotë – vendosja e regjimit të vizave për vendet “më të ulëta”, sigurisht që përfshin edhe Serbinë – ju serbët bëni gjithçka që ju thonë, shisni tokën, do ta copëtojmë, hyni në “Ballkanin e hapur”, pranoni emigrantët, dhe gjithçka tjetër që shkon me këtë, dhe për të hyrë në vendet e BE-së do të trajtoheni njësoj si emigrantë, të mos flasim për hyrjen në BE dhe kjo është miqësi e çelikut për ju dhe “vendi i Serbisë është në Evropë”. 🤡”

Sipas Janjić, këto narrativa tërheqin individë të zhgënjyer me procesin e gjatë të integrimit evropian, i cili duket i pafund. “Ato shpesh rezonojnë me njerëzit që standardi i jetesës nuk u është përmirësuar ndjeshëm gjatë periudhës së tranzicionit, si dhe ata që mbajnë ende kujtime të dhimbshme të bombardimeve të NATO-s më 1999”, tha Janjić.

Sipas tij, në një mjedis të tillë, që ndonjëherë duket dëshpërues, ekziston një dëshirë e fortë për të gjetur shpjegime për situatën aktuale.

“Kjo shpesh çon në përqafimin e idesë se ‘bota e urren Serbinë’ ose më saktë se ‘Perëndimi e urren Serbinë’. Si rezultat, shumë njerëz i drejtohen Rusisë, duke e parë atë si një alternativë ndaj strukturave perëndimore. Ata konsiderojnë mundësinë e bashkimit me BRICS dhe idealizojnë [Vladimir] Putinin dhe Rusinë, duke bazuar admirimin e tyre në aspektet reale dhe të imagjinuara të bashkëpunimit dhe historisë”, tha Janjic. Sipas tij, kjo tendencë forcohet ndjeshëm nga autoritetet serbe, të cilat, ndërsa janë të interesuara për fondet evropiane, shpesh ndihen të detyruara të “pastrojnë veten” pas çdo ndërveprimi me liderët perëndimorë. Ata e bëjnë këtë duke promovuar ide konservatore, të djathta, ose pro-ruse, duke u luajtur të dy palëve të spektrit politik.

Ndërkohë sipas Ilazit, një ndër synimet e propagandës së Rusisë në Ballkan është ta dobësojë besimin në fuqitë perëndimore duke projektuar Perëndimin si të dështuar në përpjekjet për paqëndrueshmëri dhe demokraci në Ballkanin Perëndimor.

“Qëllimi kryesor i propagandës ruse në Ballkanin Perëndimor është krijimi i ndarjeve në konsensusin shoqëror për integrimin në BE dhe NATO, duke minuar kështu mbështetjen për Perëndimin, veçanërisht për SHBA-në”, tha Ilazi.

Disa nga postimet, si nga “BUNT”, “BunkerSrb” dhe “Korridor” kornizojnë rolin e komunitetit ndërkombëtar, përfshirë KFOR dhe EULEX, si mundësues të aksioneve të qeverisë Kurti në veri me qëllim të krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. P.sh. në deklarata të KFOR dhe EULEX, ku thuhet se nuk ishin të njoftuar për veprimet që do të ndërmirreshin, këto kanale publikojnë fotografi të veturave e punonjësve të EULEX që gjenden me policinë e Kosovës në veri, për t’i demantuar deklarimet e tyre. Ndërkohë, edhe përforcimet nga NATO për KFOR, sidomos pas sulmit në Banjskë shihen si ndihmë për armatosjen e “terroristëve shqiptarë” për pushtimin e veriut.

Sipas Ilazit, qeveria e Kosovës duhet të forcojë kapacitetet e Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Brendshme për sigurinë kibernetike dhe përballjen me fushatat e dezinformimit. Por, sipas tij, në situatën aktuale, veprimet e qeverisë në veri, krijojnë terren pjellor për dezinformata ruse.

“Por në situatën aktuale, veprimet e qeverisë në veri, që perceptohen si veprime që dëmtojnë përditshmërinë e qytetarëve atje, krijojnë një terren pjellor për dezinformatat ruse”, tha Ilazi.

Ky artikull u zhvillua në partneritet me nismën rajonale Western Balkans Anti-Disinformation Hub, që zbatohet nga Fondacioni “Metamorfozis”, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e partnerëve dhe mbështetësve të projektit.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.