Ambasada ruse në Shkup i është përgjigjur përmes Facebookut ministres së Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska

Фото: Мета.мк

Ambasada ruse në Shkup dje ka komentuar deklaratat e ministres së Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska. Ambasada kundërshton qëndrimet që po mban Maqedonia e Veriut ndaj zhvillimeve në Ukrainë dhe rreth saj, raporton Meta.mk.

Ata reagojnë pas intervistave të ministres në televizionin Telma dhe TV 24, në të cilat ajo theksoi se vendi mbështet plotësisht përpjekjet që po bëhen në kuadër të Aleancës NATO dhe OSBE-së për tejkalimin e zhvillimeve me Ukrainën. Ministrja Petrovska tha se vendosja e forcave të armatosura në kufijtë e Rusisë është një veprim provokues dhe destabilizues që në fakt e zvogëlon sigurinë e kontinentit evropian.

“Ne i kushtojmë vëmendje deklaratave absolutisht të qarta të udhëheqjes ruse – Rusia nuk e ka kërcënuar kurrë popullin ukrainas askund dhe nuk ka ndërmend të ndërmarrë ndonjë veprim agresiv. Me fjalë të tjera, ne nuk do të sulmojmë, pushtojmë apo godasim Ukrainën. Sa i përket trupave ruse, ato lëvizin nëpër territorin e tyre dhe kanë çdo të drejtë ta bëjnë këtë”, tha Ambasada e Federatës Ruse në Shkup përmes një postimi në Facebook dje.

Qëndrimi i Rusisë i shprehur përmes ambasadës në vend është se Ukraina është një palë që vazhdon të shmangë me kokëfortësi detyrimet e saj sipas Marrëveshjeve të Minskut, të cilat përfshijnë në veçanti vendosjen e një dialogu të drejtpërdrejtë me Donetsk dhe Luhansk dhe përcaktimin në Kushtetutë të një statusi të veçantë të Donbas.

“Zbatimi konsistent dhe i plotë i Paketës së Minskut të vitit 2015 nga Minsku si bazë jo-alternative për zgjidhje është kusht i domosdoshëm për zgjidhjen e krizës brendaukrainase”, thuhet në një deklaratë të Ambasadës Ruse në Shkup.

Ata shtuan se shohin një rrezik nëse Ukraina bëhet më e integruar në NATO, edhe pa fituar statusin zyrtar të anëtarësimit. Ata shtojnë se kjo është ajo që prek drejtpërdrejt interesat e sigurisë së Rusisë.

Në të njëjtën kohë, Ambasada ruse i dërgoi mesazh përmes Facebookut ministres së Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska që të marrë parasysh situatën reale në përcaktimin e prioriteteve për punën e ministrisë me të cilën udhëheq ajo.

Vlerësimet aktuale janë se Rusia ka sjellë rreth 100,000 trupa në kufirin me Ukrainën, ndërsa në shkurt ushtria ruse në Bjellorusi do të kryejë stërvitje të përbashkëta ushtarake me forcat bjelloruse pranë kufirit ukrainas. Në të njëjtën kohë, Rusia pushtoi gadishullin e Krimesë në vitin 2014, duke shkelur kështu integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.

Ndryshe, reagimi zyrtar i Ambasadës Ruse është vetëm i fundit nga një sërë ngjarjesh që kanë ndodhur ditët e fundit në vend në lidhje me ngjarjet në Ukrainë. Më 20 janar, dhjetra njerëz organizuan një protestë para Ambasadës së Ukrainës në Shkup nën moton “Kundër glorifikimit të nazizmit në Ukrainë. Me atë rast ka reaguar ambasadorja e Ukrainës në vend Natalia Zadorozhnyuk, e cila theksoi se Rusia aktualisht po bën luftë kundër Ukrainës në të gjitha frontet, përfshirë edhe atë informativ.

Për ngjarjet në Ukrainë ka reaguar edhe partia pro-ruse Maqedonia e Bashkuar, e cila në zgjedhjet e fundit lokale e ka mbështetur bllokun opozitar të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, duke i quajtur deklarata të një kukulle, deklaratat e ministres Slavjanka Petrovska.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.