Është restauruar “Kulla e Sahatit” në Dojranin e Vjetër

Фото: Вистиномер

Premtimi: Restaurimi i monumenteve kulturore dhe historike “Kulla e Sahatit” dhe “Banja Turke” në Dojranin e Vjetër

 [Burimi: Programi zgjedhor i kryetarit të komunës Ango Angov “Jetë për të gjithë në Dojran” fq. 16; data: tetor 2017]

 

ARSYETIMI:

Një nga premtimet e kryetarit të Komunës së Dojranit, Ango Angov në fushatën zgjedhore në 2017 ishte rindërtimi i monumenteve kulturore dhe historike “Kulla e Sahatit” dhe “Banja Turke” në Dojranin e Vjetër. Këtë premtim elektoral të tij, e vlerësojmë si të përmbushur. Në gusht të këtij viti, plotësisht u restaurua “Kulla e Sahatit”, ndërsa është bërë edhe konservim i “Banjës Turke”.

Këtë projekt Angov e premtoi në kuadër të programit të tij zgjedhor në pjesën e projekteve lokale për Dojranin e Vjetër (fq. 16), në mënyrë që ta përmirësojë ofertën turistike të Dojranit. Për realizimin e këtij projekti, Komuna e Dojranit aplikoi për fonde nga Programi IPA i Bashkëpunimit Ndërkufitar me Bullgarinë fqinje. Në gusht 2019, u njoftua se fondet ishin ndarë për atë qëllim përmes projektit “Ringjallja e simboleve të përjetshme të Dojranit dhe Nevestinos“, me vlerë prej 499,477 euro, ndërsa BE siguroi 85% të vlerës për projektet në Dojran dhe Nevestino nga Bullgaria fqinje.

Në maj të vitit 2020, kryetari i Komunës së Dojranit, Angov, njoftoi se kishte tender për rindërtimin e “Kullës së Sahatit” dhe “Banjës Turke” në kuadër të projektit me Nevestinon nga Bullgaria, ku atje duhej të restaurohej “Kadin Most”.

Do të bëhen punime konservimi dhe restaurimi në “Banjën Turke” ose “Banja e Qytetit” në pjesët e vjetra të lokacionit, si dhe pastrimin dhe rregullimin e zonës përreth vendit në mënyrë që të ruhet origjinaliteti i banjës. Shtigjet ekzistuese që lidhin “Kullën e Sahatit” dhe “Banjën Turke” do të shtrohen me gur të zakonshëm (kalldrëm), ndërsa e njëjta do të bëhet edhe në shtigjet ekzistuese që lidhin “Kullën e Sahatit” me rrugët lokale, tha atëherë kryetari i komunës Angov.

Puna në terren filloi në dhjetor të të njëjtit vit. U fillua nga ndërtimi i shtigjeve për këmbësorë në këto dy monumente historike në gjatësi prej 530 metrave. Atëherë kryebashkiaku Angov shprehu shpresën se ky projekt do të kontribuojë në rritjen e numrit të vizitorëve në këtë vend turistik.

Kjo do të thotë kthim i gjendjes origjinale të të dy ndërtesave siç ishin para Luftës së Parë Botërore. Ne jemi duke punuar në to në bashkëpunim dhe nën kontrollin e Institutit dhe Muzeut në Strumicë me miratime konservimi … Unë mendoj se fryma e vjetër do të kthehet në lagjen e vjetër në Dojran, tha Angov në fund të vitit të kaluar. (nga minuta 1.32 deri 1.47).

Pas ndërtimit të shtigjeve për këmbësorë, Komuna e Dojranit njoftoi në pranverë se kanë filluar punimet e restaurimit të “Kullës së Sahatit” dhe “Banjës Turke” dhe se realizimi i këtij projekti po ecën sipas dinamikës së planifikuar dhe do të përfundojnë brenda afatit të planifikuar.

Në gusht, përfundoi projektiRingjallja e simboleve të përjetshme të Dojranit dhe Nevestinos” nga Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Në Dojran, në “Kullën e Sahatit” u vendos orë siç ishte para Luftës së Parë Botërore, u ndërtuan shtigjet për qasje në të, por edhe në banjën turke, është bërë konservim edhe i “Banjës Turke” (nga minuta 14.28 deri 15.00).

Kulla e vjetër e Sahatit, e cila daton nga shekullin 14, është gati dhe hapësira përreth saj po rregullohet. Shpresoj se së shpejti do të jetë e hapur për vizitorët për të cilët tashmë janë vendosur tabela, ndërsa janë rregulluar edhe shtigjet për këmbësorë për qasje më të lehtë. Ka përfunduar edhe konservimi i hamamit të vjetër, tha Angov për “Mojaopstina.mk” (nga minuta 15.00 deri 15.26).

Duke pasur parasysh që “Kulla e Sahatit” është restauruar dhe punimet e konservimit janë kryer edhe në hamamin e vjetër, gjegjësisht në “Banjën Turke”, vlerësojmë se ky premtim i Angovit i dhënë për zgjedhjet lokale katër vjet më parë, është përmbushur.

 

BURIME:

 

 


Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre


 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.