France24 : Vaksina kundër Kovid-19, këto video virale nuk tregojnë oksid grafeni

Photo by Artem Podrez from Pexels

Videot që pretendojnë të tregojnë grafen ose oksid grafeni-materiale që disa njerëz besojnë se janë në vaksinat Covid-19, duke i bërë ato toksike,kanë qarkulluar në mediat sociale gjatë ditëve të fundit. Të gjitha videot tregojnë një material të errët që lëviz në mënyra të çuditshme, ndonjëherë në formë të një magneti. Por rezulton se këto video nuk tregojnë fare grafen, shkruan France24.

Është rritur entuziazmi rreth përdorimeve të mundshme të grafenit – një material që është tepër i lehtë, përçues dhe i zhdërvjellët, që është gjithashtu më i fortë se çeliku – që u zhvillua në vitin 2004. Njerëzit në fusha të ndryshme duke filluar nga biokimia deri tek elektronika kanë eksploruar përdorimet e tij të mundshme.

Për muajt e fundit, materiali gjithashtu është shfaqur në teoritë e konspiracionit rreth vaksinës Covid-19. Disa kanë thënë se grafeni është arsyeja e “magnetizmit” të supozuar të vaksinës Pfizer, pretendime që kontrolluesit e fakteve në të gjithë botën i kanë demaskuar në muajt e kaluar.

Në fund të majit, kur ky thashetheme po qarkullonte në botën spanjolle, kolegët tanë në shërbimet e kontrollit të fakteve AFP Factuel dhe Maldita.es në Spanjë vërtetuan se nuk kishte grafen në vaksinë. Ata botuan më shumë artikuj mbi të njëjtën temë në fillim të korrikut pasi një studim spanjoll bëri pretendime të rreme se vaksina Pfizer ishte e krijuar nga 99.9% grafen.

Materiali, i cili është ende relativisht i panjohur në publikun e gjerë, është bërë fiksim për konspiracionistët. Videot që pretendojnë të tregojnë “grafen në veprim” janë shumëfishuar në kanalet si Telegram të populluara nga teoricienët e konspiracioneve, si dhe në Twitter, Facebook dhe TikTok. Këto video shpesh tregojnë një material të errët me konsistencë të ndryshme që reagon ndaj objekteve të tjera sikur të ishte magnetik.

Në shumicën e videove virale thuhet që shfaqin  “oksid grafeni”, i cili nuk ka të njëjtat veti si grafeni: nuk është përçues ose i papërshkueshëm nga uji, për shembull. Shumë njerëz i ngatërrojnë ato, megjithatë, flasin për të dy materialet sikur të ishin e njëjta gjë.

Video materiali në vijim tregon topa të vegjël në një pjatë që lëvizin në një mënyrë të çuditshme dhe lidhen në një zinxhir. Kjo video u shpërnda gjerësisht në mediat sociale në fillim të javës së kaluar. Titulli pretendon se tregon “oksid grafeni” në vaksinë.

Ekipi i France24 kreu një kërkim të të imazhit dhe gjeti versionin origjinal të videos në kanalin YouTube të “Stanford Complexity Group”, i lidhur me universitetin amerikan me të njëjtin emër.

Videoja, e quajtur “Vetë montimi i telave”, tregon forma prej çeliku që notojnë në një copëz metalike. Një rrymë elektrike lëviz topat kur aplikohet tensioni mbi to, dhe ato lidhen me njëra -tjetrën. Nuk ka absolutisht asnjë grafen ose oksid grafeni në pjatë.

@suzykniser♬ original sound – Suzy Kniser

E njëjta gjë po ndodh në këtë video tjetër, e cila tregon një masë të errët që fillon të lëvizë në mënyra të çuditshme ndërsa një magnet mbahet afër tij. Titulli pretendon se kjo video tregon se si duket oksidi i grafenit.

Rezulton se kjo video është nga një artikull i botuar nga Buzzfeed në 2016 që shërben për lojrat e fëmijëve, ndërsa në internet ka mijëra receta të ngjashme, ndërsa kjo video konkrete flet për oksid hekuri (jo grafen) dhe në të shpjegohen cilësitë e tij magnetike.

Artikulli i France24 analizon edhe disa video të tjera të ngjashme që dëshmojnë se pretendimet që bëhet fjalë për oskid grafeni nuk janë të vërteta, në fakt, bëhet fjalë për dezinformata.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.