Zelenski nuk është Hitleri, propozimi për negociatat në Stamboll është i Putinit

Од средбата на Претседателот се сретна со граничарите и им додели државни награди

Krahasimi i Zelenskit me Hitlerin nuk qëndron. Zelenski nuk është nazist, as nuk po kryen gjenocid që të krahasohet me Hitlerin. Kjo është një propagandë e njohur mirë nga Kremlini, e cila është përhapur që nga fillimi i luftës dhe ka për qëllim të justifikojë agresionin ushtarak të Rusisë.

 

Po analizojmë një postimFacebook i cili thotë:

“Hitleri e priste Stalinin për negociata para Portës së Brandenburgut, më 8 maj 1945?

Kishte shpallur në të gjitha mediat se donte negociata, se kishte gabuar që kishte sulmuar Rusinë.

Zelenski po e pret Putinin në Stamboll, më 15 maj, nesër.

Kush vë bast mbi një kalë të ngordhur?”

Postimi përpiqet ta barazojë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski me ish-udhëheqësin nazist të Gjermanisë, Adolf Hitler, duke i krahasuar negociatat mes Hitlerit dhe udhëheqësit të atëhershëm rus, Stalinit, për përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, me negociatat e mundshme mes Zelenskit dhe Putinit për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Një krahasim i tillë është i paimagjinueshëm, pasi Zelenski nuk mund të krahasohet me Hitlerin në asnjë aspekt. Zelenski nuk ka filluar asnjë luftë dhe nuk e ka sulmuar Rusinë që tani të kërkojë ndonjë lloj negociatash.

Luftën në Ukrainë e filloi pikërisht Putini. Më 24 shkurt 2022, trupat ruse filluan sulmin ndaj Ukrainës me urdhër të presidentit Putin, i cili njoftoi një “operacion ushtarak special” në orët e hershme të mëngjesit, pavarësisht paralajmërimeve të liderëve botërorë se ky veprim mund të çonte në luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945.

Sulmit i parapriu vendimi i presidentit rus Putin, më 21 shkurt 2022, për njohjen e pavarësisë së të ashtuquajturave republika popullore e Donetskut dhe Luhanskut, të cilat që nga viti 2014 janë nën kontrollin e separatistëve prorusë. Ky vendim i Putinit i mundësoi atij të dërgonte drejtpërdrejt njësi ushtarake ruse në Ukrainën Lindore, ku tashmë ishin duke ndodhur përleshje të herëpashershme mes forcave ukrainase dhe separatistëve prorusë.

Që nga fillimi i luftës, Kremlini, për të justifikuar agresionin e vet ushtarak, përpiqet t’i shtrembërojë faktet, duke pretenduar se po zhvillon një operacion special ushtarak, ndër të tjera, për denazifikimin e Ukrainës. Në këtë drejtim, propaganda ruse nuk ndalon së krahasuari Zelenskin me Hitlerin dhe ta quajë atë nazist.

Teoricienët e konspiracionit dhe propagandistët rusë vazhdimisht përpiqen ta paraqesin presidentin e Ukrainës si neonazist ose simpatizant nazist, megjithëse Zelenski është hebre dhe tre xhaxhallarë të tij kanë humbur jetën në Holokaust.

Duke komentuar këto akuza, Zelenski ka deklaruar në një rast se Moska “po ndjek të njëjtin koncept të Goebbelsit dhe ata përdorin të njëjtën metodologji” në përpjekje për ta justifikuar luftën kundër Ukrainës.

Vërtetmatësi ka shkruar për këtë temë, kur Zelenski u krahasua në mënyrë manipuluese dhe të pabazë me Hitlerin, dhe u përhap edhe një fotografi në të cilën ai gjoja mban një fanellë me svastikë. Verifikuesit e fakteve të AFP treguan se fotografia e shpërndarë është e modifikuar në mënyrë digjitale dhe paraqet një montazh të Zelenskit.

Është shpërndarë edhe një fotografi që duket sikur është bërë pas një martese, ku të sapomartuarit duken sikur simulojnë përshëndetjen naziste, ndërsa në sfond shihet flamuri i Ukrainës. Megjithatë, verifikimi i fakteve tregoi se fotografia, në të cilën mysafirë të dasmës simulojnë përshëndetjen naziste, nuk është bërë në Ukrainë, por në Rusi.

Sa i përket negociatave mes Ukrainës dhe Rusisë, të cilat duhej të mbaheshin në Stamboll, ideja për to erdhi nga Putini, jo nga Zelenski. Ishte Putini ai që nuk e pranoi propozimin e liderëve evropianë dhe të presidentit ukrainas Zelenski për një armëpushim 30-ditor më 12 maj. Në vend të kësaj, ai i propozoi Ukrainës që negociatat direkte midis Kievit dhe Moskës të vazhdojnë “pa kushte” më 15 maj në Stamboll.

Pas kësaj, Zelenski propozoi një takim të drejtpërdrejtë me Putinin në Stamboll, gjë që Putini e refuzoi.

“Po presim një armëpushim të plotë dhe të qëndrueshëm, duke filluar nga nesër, për të siguruar bazën e nevojshme për diplomaci. Nuk ka kuptim të vazhdohet me vrasje. Dhe do ta pres Putinin në Turqi të enjten. Personalisht. Shpresoj që këtë herë rusët të mos kërkojnë justifikime,” deklaroi Zelenski.

Nga kjo mund të thuhet se Putini nuk ka ndërmend ta ndalë luftën, për çka flet edhe fakti që më 1 prill ai nënshkroi një dekret për mobilizimin pranveror, me të cilin urdhërohet thirrja e 160.000 qytetarëve për shërbim ushtarak në periudhën nga 1 prilli deri më 15 korrik – numri më i madh i rekrutëve në Rusi që nga viti 2011.

Ky mobilizim pranveror për një vit shërbim ushtarak vjen disa muaj pasi Putini deklaroi se Rusia duhet ta rrisë ushtrinë e saj në rreth 2.39 milionë ushtarë, duke përfshirë rritjen e personelit aktiv në 1.5 milionë, që është një rritje prej 180.000 trupash gjatë tre viteve të ardhshme.

Se si Putini e refuzoi marrëveshjen e paqes për Ukrainën të iniciuar nga Trump, duke vazhduar sulmet ndaj civilëve, mund ta lexoni në analizën e zgjeruar të Vërtetmatësit.

Prandaj, krahasimi i Zelenskit me Hitlerin nuk qëndron. Zelenski nuk është nazist dhe nuk kryen gjenocid që të krahasohet me Hitlerin. Kjo është propagandë e njohur e Kremlinit, e cila po përhapet që nga fillimi i luftës dhe ka për qëllim ta justifikojë agresionin ushtarak të Rusisë.

Për këtë arsye, postimi që po e analizojmë e vlerësojmë si të pavërtetë.


Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.