Zelenski akuzohet pa bazë për organizimin e skemave për furnizimin e fëmijëve ukrainas

Фото: Wikimedia Commons

Ndryshe nga sa thuhet në njoftim, fëmijët ukrainas janë deportuar në Rusi dhe Komiteti i OKB-së akuzon Rusinë për abuzim me të drejtat e fëmijëve ukrainas. BBC ka gjurmuar një foshnjë ukrainase të rrëmbyer nga një jetimore, e cila u zbulua me një bashkëpunëtor të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin. Dokumentet e siguruara nga gazetarët e BBC-së treguan se identiteti i vajzës ishte ndryshuar në Rusi.

 

Ne analizojmë një postim në rrjetin social Facebook që thotë:

Ka shumë gjëra që ne nuk i dimë këtu për shkak të kontrollit mbi mediat. Ndryshe, në Parlamentin e BE-së ka shumë që i dinë gjërat e tyre: “Eurodeputeti holandez Marcel de Graaff kërkoi heqjen e menjëhershme të urdhër-arrestit për Putinin dhe lëshimin e një urdhërarresti për Zelenskin, i cili organizoi skema për furnizimin me fëmijë ukrainas”.

Njoftimi citon pretendimet e eurodeputetit holandez Marcel de Graaff, i njohur si një eksponent i propagandës ruse. Gjatë fjalimit të tij në seancën plenare të Parlamentit Evropian në mars 2024, e cila diskuton çështjen e fëmijëve ukrainas të deportuar në Rusi, ndër të tjera, pohoi se “raportet se fëmijët ukrainas po deportohen në Rusi nuk janë të vërteta, por se Rusia po shpëton refugjatët nga Ukraina që po bombardohen nga ushtria ukrainase”.

(Fjalimi i De Graaf mund të dëgjohet nga 20:56 deri në 22:16)

Ndryshe nga sa thuhet në njoftimin që po analizojmë, fëmijët ukrainas po deportohen në Rusi dhe Komiteti i OKB-së akuzon Rusinë për abuzim me të drejtat e fëmijëve ukrainas.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) ka lëshuar urdhër-arreste për presidentin Vladimir Putin dhe komisioneren e tij për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, për deportimin e dyshuar të paligjshëm të fëmijëve ukrainas në territorin e kontrolluar nga Rusia, me synimin për t’i larguar përgjithmonë nga vendi i tyre.

Që nga fillimi i pushtimit ushtarak, autoritetet ruse kanë larguar qëllimisht fëmijët nga Ukraina me qëllim që t’i kthejnë kundër atdheut të tyre, Ukrainës, shkruan The New York Times. 

Në raportin e saj emocional, New York Times interviston disa nga fëmijët që u ndanë me forcë nga nënat e tyre pasi u kapën nga ushtria ruse. Një raport tjetër zbulon se disa nëna arritën t’i kthenin fëmijët me vështirësi sepse shkuan t’i merrnin.

BBC ka gjurmuar një foshnjë ukrainase të rrëmbyer nga një jetimore, e cila u zbulua me një bashkëpunëtor të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin. Dokumentet e siguruara nga gazetarët e BBC-së treguan se identiteti i vajzës ishte ndryshuar në Rusi. Fëmija, i quajtur fillimisht Margarita, është një nga 48 që u zhdukën nga një shtëpi rajonale e fëmijëve në Kherson kur forcat ruse morën kontrollin e qytetit, thuhet në raport.

Ambasada amerikane në Gjeorgji shpjegon këtë fenomen të largimit me forcë të fëmijëve dhe ndarjes nga familjet e tyre nga Ukraina dhe dërgimit të tyre në Rusi:

Kampet ruse të “riedukimit” mbajnë mijëra fëmijë ukrainas. Rusia ka ndarë mijëra fëmijë ukrainas nga familjet e tyre dhe i ka çuar në kampe dhe institucione ku ata janë të ekspozuar ndaj mësimeve ruso-centrike. Shumë prej tyre janë ende të zhdukur. Më shumë se 6,000 fëmijë nga Ukraina nga mosha 4 muajsh deri në 17 vjeç po dërgohen në qendrat e krijuara për t’i kthyer ata në “qytetarë rusë” pas një pushtimi rus në vitin 2022, sipas një laboratori kërkimor të Yale. Kampet janë të përhapura në Krimenë e pushtuar nga Rusia dhe deri në Rusinë Lindore. Shumë fëmijë përfundimisht kthehen te prindërit e tyre, por të tjerët mbahen për muaj të tërë në këto kampe, thuhet në faqen e internetit të Ambasadës së SHBA. 

Sipas burimeve ukrainase, rreth 20,000 fëmijë janë marrë nga forcat ruse që nga fillimi i pushtimit në vitin 2022, shkruan BBC.

Studiuesit duke përdorur imazhe satelitore dhe informacione publike, si postimet në mediat sociale, kanë identifikuar kampe që strehojnë fëmijë nga Ukraina. Sipas një raporti nga Ambasada e SHBA-së në Gjeorgji, Rusia operon një rrjet prej të paktën 43 objektesh të tilla, fëmijët ukrainas janë në familje kujdestare në Rusi, disa prej tyre janë birësuar, atyre u jepet nënshtetësia dhe pasaporta ruse dhe u mohohet Shtetësia ukrainase.

Edhe media Vice arriti t’i filmojë këto kampe.

Disa fëmijë detyrohen të hyjnë në programe arsimore pro-ruse. Disave u është dhënë trajnim ushtarak dhe zyrtarë të lartë të qeverisë ruse janë të përfshirë në planifikimin, mënyrën se si funksionojnë kampet dhe si të parandalohen këta fëmijë të kthehen në Ukrainë, thuhet në raport. 

Raporti ka lokalizuar 32 kampe të quajtura “programe integrimi” që indoktrinojnë fëmijët ukrainas në historinë dhe propagandën ruse, si dhe gjuhën dhe kulturën.

Pretendimi se Putini po shpëton fëmijët ukrainas dhe se Zelenski ka organizuar një lloj rrjeti të furnizimit me fëmijë është manipulim dhe spin. Pushtimi ushtarak u nis nga Rusia, krejtësisht i paprovokuar, kështu që Rusia është agresore dhe Ukraina po mbrohet.

Vërtetmatësi ka shqyrtuar edhe dezinformata të tjera për këtë temë, përkatësisht propagandën se “fëmijët e zhdukur nga Ukraina po përdoren për trafik organesh”. Në këtë mënyrë, propaganda ruse, përmes eksponentëve të saj, përpiqet të justifikojë agresionin e saj dhe pasojat shkatërruese që ajo lë për fëmijët dhe të rriturit në Ukrainë.

Rusia dëshiron të afirmohet dhe të paraqitet si mbrojtësi kryesor në botë i traditës dhe fesë dhe kjo mund të shihet në fjalimin e Putinit më 21 shkurt 2023, dy ditë para përvjetorit të agresionit rus, në të cilin ai theksoi edhe një herë se kjo është një “luftë për të mbrojtur fëmijët tanë nga degradimi dhe degjenerimi”. Vërtetmatësi tashmë shkroi për narrativat kryesore të dezinformatave në adresën e tij ndaj publikut rus dhe botëror.

Për të gjitha faktet e mësipërme, ne e vlerësojmë këtë publikim si të pavërtetë.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.