Virusi korona në burgje, panikë e panevojshme, autoritetet përgënjeshtruan por gazetari heshti
Në situatë krize dhe në situatë të jashtëzakonshme si kjo në të cilën ndodhemi tani, qytetarët janë më të prirur të qëndrojnë “të lidhur” pas mediave për t’u informuar në kohë për të dhënat e fundit. Arsyeja kryesore është frika për shëndetin e tyre. Media, në asnjë rast, nuk guxon të publikë informacione që e shtojnë këtë frikë dhe të cilat janë të pakonfirmuara, për të pasur senzacion.
Linku deri te artikulli origjinal: Raufi për Zhurnal: Ka të burgosur me koronavirus dhe shteti e fsheh këtë gjë
Data e publikimit: 24.03.2020
Data e recensionit: 26.03.2020
Recensues: Fatlume Dervishi
Në datën 24 mars, media, publikimin e të cilës e recensojmë, nëpërmjet një video-materiali ngriti alarmin për të infektuar me virus korona në burgjet e vendit. Informacioni i atribuohej avokatit Naser Raufi, deklarata e të cilit citohej. Në këtë material, gazetari në fjalë nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta verifikuar këtë informacion, nuk janë kontaktuar institucionet kompetente, përgjegjësit e burgjeve, Drejtoria për zbatimin e sanksioneve dhe as Ministria e Shëndetësisë e cila posedon informacione për gjendjen e përgjithshme.
Ky informacion gjysmak por në dukje alarmant shton frikën dhe panikun e lexuesve. Thënë nga një avokat, ajo mund të duket e besueshme në sytë e lexuesve por gjithsesi mbete informacion i pakonfirmuar që do të thotë se gazetari nuk e ka kryer punën duke ndjekur rrugën profesionale të informimit.
Raportim zinxhir
Ky publikim pasohet nga një tjetër, në po të njëjtën media. Në tekstin me titull “Të burgosurit konfirmojnë lajmin e Zhurnal: Gjendja në burgjet është katastrofale, për shkak të njërit mund të infektohemi gjithë me virus” autori përcjellë një qëndrim të të burgosurve. Edhe në këtë tekst nuk është bërë kujdes me respektimin e parimeve etike. Gazetari citon një letër për të cilën thotë se të burgosurit e kanë nisur në portalin “Kurir”. Nëse hapim lajmin e “Kurir” nuk ka asnjë të dhënë për dërguesit e letrës dhe asgjë që vërteton autenticitetin e saj.
Në fund të publikimit të dytë, autori thotë se ka tentuar të vendosë kontakt me zv/drejtorin e burgut të Idrizovës por nuk ka pasur sukses. Personi në fjalë është përgjegjës për një pjesë të të burgosurve në vend dhe nuk paraqet përfaqësues të “palës së dytë” në tekst. Ai përfaqëson vetëm një nga disa institucione të dënimit-përmirësimit kurse avokati Raufi nuk e ka potencuar saktësisht se bëhet fjalë për të burgosur në burgun e Idrizovës. Natyrisht mund të jetë burim i dorës së dytë dhe të tretë por jo burim kryesor për konfirmimin e informacionit.
“Lajm” i përgënjeshtruar
Institucionet kompetente, ato të cilët duhet t’i kishte kontaktuar gazetari për verifikim para publikimit të lajmit, nuk vonuan ta përgënjeshtrojnë informacionin. Një ditë më vonë, në datën 25 mars, lajmi u përgënjeshtrua nga Drejtoria për zbatimin e sanksioneve dhe nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Drejtoria për zbatimin e sansioneve dëshiron ta njoftojë opinionin e gjerë në lidhje me deklaratën e avokatit Naser Raufi në portalin “Zhurnal.mk” dhe më pas ajo e pranuar edhe nga portali “Kurir”. E përgënjeshtrojmë informacionin për të dënuar dhe të burgosur të sëmurë nga virusi korona, të cilët janë duke vuajtur dënimin me burg ose masën e paraburgimit në institucionet e dënimit-përmirësimit në vendin tonë.” – reaguan nga Drejtoria për zbatimin e sansioneve.
“Për të burgosurit, nuk kam dëgjuar deri tani se ka persona të sëmurë.” – deklaroi shkurt në konferencën për media ministri Shëndetësisë Venko Filipçe.
Edhe pas 24 orësh nga përgënjeshtrimi i informacionit nga Drejtoria për zbatimin e sanksioneve, media që publikoi informacionin, nuk e ka publikuar përgënjeshtrimin. Ajo ua ka mohuar lexuesve të drejtën e informimit të drejtë.
Gazetari do të përpiqet të garantohet publikimi i korrigjimit, demantit dhe përgjigjes, në rast kur do të vërtetohet pasaktësia e informatës. – shkruan në Kodin etik të gazetarëve.
Teknikat e manipulimit
Nëpërmjet teknikës që në Doracakun e Crithink-ut sqarohet si thirrje në autoritet, gazetari shfrytëzon deklaratën e avokatit për të bërë senzacion. Gjithashtu dëshmitë selektive dhe injorimi i institucioneve, e bën teksti manipulues.
Për lexuesit
Gjithmonë, por sidomos në këtë periudhë të jashtëzakonshme, lexuesit duhet të kenë kujdes që informacioni të cilin e lexojnë të jenë i konfirmuar nga institucionet përgjegjëse. Lajmet duhet të kenë sa më shumë të dhëna dhe të mos jenë në drejtim të shpërndarjes së frikës dhe panikut.
Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari