Virologu gjerman Christian Drosten nuk ka paralajmëruar një virus të ri

Në Fejsbuk” po shpërndahet panik përmes një artikulli pa u bazuar në fakte relevante dhe pa dhënë informacione të cilat do mbështesnin “informatën” shqetësuese se “një virus i ri po fillon”. Majde, autori bën thirrje lexuesve që “të bëhen gati” për këtë. Kështu, në këtë artikull autori ka shfrytëzuar autoritetin e virologut gjerman Christian Drosten në mënyrë që të duket shkrimi sa më i besueshëm por ka nxjerrë nga konteksti deklaratën e mjekut virolog i cili asnjëherë nuk ka thënë atë të cilën e pretendon autori në lajmin që e recensojmë, shkruan Portalb.mk.

Duke marrë parasysh efektet e shtuara dhe potencialin e madh që kanë “lajmet” në kuptimin e ngjalljes së panikës dhe frikës gjatë kohërave të jashtëzakonshme, si kjo me pandeminë e Kovid-19, autori i lajmit që recensojmë ka shfrytëzuar këtë fakt dhe ka krijuar një shkrim krejtësisht sensacional dhe të pa-bazuar në asnjë burim relevant.

Titulli i këtij shkrimi ka pikëçuditëse në mesin e tij, si dhe tre shenja pikësimi në fund, kjo mes tjerash, është tregues që autori është munduar që titullin ta bëje të duket sa më sensacional edhe pse realisht asgjë e vërtetë nuk thuhet në të.

”Vr usi” i ri po fillon ! Eksperti Gjerman paralajmeron boten, behuni gati…” është titulli i lajmit që recensojmë.

Është e rëndësishme që lexuesit të shmangin lajmet të cilat kanë tituj si kjo e lartëpërmendur, sidomos ata që fillojnë kështu: “Shokuese”, “Nuk e keni ditur!”, “E jashtëzakonshme!”, “Wow!”, sepse autorët e bëjnë të qartë nga titulli se sa të rëndësishme e kanë që ju të klikoni në atë artikuj dhe ky shpesh herë rezulton të jetë qëllimi i tyre i vetëm.

Jo, virologu gjerman Christian Drosten nuk ka paralajmëruar një virus të ri

Në mënyrë që lajmi të duket sa më i besueshëm, autori ka përdorur teknikën e njohur në Doracakun e CriThink si “thirrje në autoritet”, kështu, ai ka shfrytëzuar autoritetin e virologut gjerman Christian Drosten duke ja atribuuar këtij të fundit deklaratën e rreme.

“Për hapja e variantit omik ron në fund të nëntorit çoi në një valë masive infe ksionesh në të gjithë botën e cila solli rikthimin e ras.teve të reja në shifra mjaft të larta. Christian Drosten një viro log i famshëm gjerman ka parashikuar se si do të jetë evo.lucioni i Omik ronit në javët e ardhshme dhe e ardhmja e pan demisë” shkruan në lajmin që e recensojmë. 

E vërteta është se virologu Christian Drosten për “Deutsche Welle” tre javë më herët ka folur në lidhje me mundësinë që varianti “Omicron” dhe “Delta” të kombinohen dhe kështu të shfaqet një variant më i rrezikshëm i virusit korona, por jo dhe virus i ri. Gjithashtu, ai nuk ka siguruar se kjo do të ndodhë dhe as nuk ka bë thirrje njerëzve të “bëhen gati”, ashtu siç pretendon ky artikull.

Lexojeni deklaratën e plotë të mjekut duke klikuar KËTU.

Autori i këtij artikulli ka përdorur burime dytësore por nuk ka shtuar linkun në mënyrë që lexuesit t’i jepet mundësia të verifikojë informacionin e lexuar apo të lexojë të plotë atë. Kjo sepse autori ka nxjerrë nga konteksti çdo fjalë të mjekut të lartëpërmendur dhe gjithashtu ka futur fjalë në gojën e mjekut, të cilat ai nuk i kishte thënë asnjëherë.

Ndryshe, përveç teknikës që njihet si “thirrje në autoritet”, autori në këtë lajm gjithashtu ka luajtur me emocionet e lexuesve, duke u bë thirrje atyre të “bëhen gati” për diçka të keqe, por që, fatmirësisht rezultoi të jetë e pavërtetë, doracaku i CriThink e spjegon këtë si një ndër format më të shpeshta të manipulimit gazetaresk.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.