Video e paqartë përhap dezinformata se vaksinat kundër Covid-19 përmbajnë oksid grafeni

Фото: Принтскрин видео

Videoja është e paqartë dhe nuk ka informacion se kur dhe ku është bërë regjistrimi, për cilin pacient bëhet fjalë. Nuk ka asnjë fakt për të mbështetur pretendimin se personi, mushkëritë e të cilit janë në incizim, është vaksinuar kundër Covid-19 dhe se janë gjetur gjurmë të oksidit të grafenit. Vaksinat kundër Covid-19 nuk përmbajnë oksid grafeni, përbërja e vaksinave është shpallur publikisht në ueb-faqet zyrtare të prodhuesve të tyre, e të njëjtat në formë të dokumenteve gjenden edhe në ueb-faqen kovid19vakcinacija.mk.

 

 

Një postim në Facebook pretendon në mënyrë të pabazuar se vaksinat kundër Covid-19 përmbajnë oksid grafeni. Postimi shoqërohet me një video që thuhet se tregon incizim të mushkërive të një personi të vaksinuar kundër kovidit, në të cilat u konstatua prania e oksidit të grafenit.

“Tmerr… Oksidi i grafenit në mushkëritë e një personi të ‘vaksinuar’ me ‘vaksinat’ e supozuara kundër koronavirusit të supozuar – Covid-19”, thuhet në postimin që e analizojmë.

Videoja poshtë postimit, e cila pretendohet se tregon skanim në mushkëri është e paqartë, gjegjësisht nuk ka informacione se kur dhe ku është bërë skanimi dhe për cilin pacient bëhet fjalë. Nuk ka asnjë fakt për të mbështetur pretendimin se personi, mushkëritë e të cilit janë në skanim është vaksinuar kundër Covid-19 dhe se janë gjetur gjurmë të oksidit të grafenit. Në video mund të dëgjohen vetëm zëra të paqartë në gjuhën ruse.

Kohën e fundit, fokusi i dezinformatave, nga sëmundjet dhe reagimet nga vaksina, është zhvendosur tek përbërja e vaksinave dhe performanca e tyre. “Vërtetmatësi” deri tani disa herë i ka zbardhur lajmet që pretendojnë se oksidi i grafenit është i përfshirë në përbërjen e vaksinave kundër Covid-19.

Vaksinat kundër Covid-19 nuk përmbajnë oksid grafeni dhe kjo mund të kontrollohet thjesht duke parë përbërjen e vaksinave, që publikohet në faqet zyrtare të prodhuesve të tyre, dhe e njëjta në formë dokumenti gjendet në faqen kovid19vakcinacija.mk. Siç mund të shihet, oksidi i grafenit nuk është aspak pjesë e përbërjes së vaksinave.

Akuzat për oksid grafeni në përbërjen e vaksinave i drejtohen kryesisht prodhuesit “Pfizer”, nga ku zyrtarisht janë deklaruar dhe i kanë mohuar akuzat e tilla.

Një përfaqësues i “Pfizer”, për “Associated Press“, tha se vaksina e tyre nuk përmban oksid grafeni. “Vërtetmatësi” ka shkruar tashmë se studimi, me të cilin tentohet të “mbështeten” pretendimin se vaksina Pfizer përmban oksid grafeni, nuk është shqyrtuar (nuk është peer-reviewed) nga komuniteti mjekësor dhe as nuk është mbështetur nga Universiteti në Spanjë, Almeria.

Kit Longli, menaxheri shkencor i “Pfizer”, për “Associated Press“, tha se ky përbërës nuk është në vaksinën e tyre. Të njëjtën gjë e kanë konfirmuar edhe ekspertë kimikë dhe mjekësorë, të cilët nuk kanë lidhje me kompaninë “Pfizer”.

Nuk është në listën e përbërësve dhe nuk ka asnjë mundësi që të jetë i pranishëm në vaksinë, deklaroi Allen Majerson, profesor i inxhinierisë kimike në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets.

Eksperti për vaksina, Pol Ofit, nga spitali i fëmijëve në Filadelfia, ka thënë se ky pretendim (se vaksinat përmbajnë oksid grafeni), është çmenduri e pastër.

KORONAVIRUSI ËSHTË REALITET

Më tej, postimi shpërndan dezinformata se Covid-19 nuk ekziston, gjegjësisht thotë “gjoja” koronavirusi. Edhe ky pretendim nuk është i vërtetë. Fatkeqësisht, koronavirusi është realitet që ka marrë miliona jetë deri më tani.

Koronavirusi është izoluar në laborator, me çka është dëshmuar ekzistenca e tij. Virusi u identifikua nga autoritetet kineze më 7 janar 2020, pas çka u izolua materiali gjenetik i tij ARN. Vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) konfirmon se virusi është izoluar më 7 janar 2020, edhe në njoftimin e radhës. Ky izolim i koronavirusit përmban udhëzime për prodhimin e proteinave virale që përbëjnë bazën e vaksinave Pfizer dhe Moderna.

Statistikat e fundit të Institutit për Shëndet Publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, tregojnë se deri më tani në vend janë kryer gjithsej 1.396.992 teste për Covid-19. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Covid-19 në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 204.416, numri i të shëruarve është 189.947, numri i vdekjeve është 7.194, dhe numri i rasteve aktive është 7.275 (gjendja për 04.11.2021). Të gjithë këta numra nuk janë vetëm statistika, por njerëz të vërtetë. Është e pamundur të manipulosh kaq shumë njerëz të infektuar, nëse kovidi nuk ekziston.

Nga e gjithë kjo mund të përfundojmë se postimi që po analizojmë përhap dezinformata se koronavirusi nuk ekziston dhe se vaksinat kundër Covid-19 përmbajnë oksid grafeni. Prandaj e vlerësojmë si të pavërtetë.

 

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari