Vendet në rajon – objektiv i ndikimit nga regjimet autoritare

Фото: wita.org, 2021 (CC BY-ND 4.0)

Qeveritë e vendeve të rajonit janë të prirura ndaj korrupsionit dhe hezitojnë të zbatojnë reforma, andaj ka dobësi politike, sociale dhe ekonomike që mund të shfrytëzohen lehtësisht nga aktorët e huaj me tendenca autoritare. Këtë e tregon analiza e “Politikal Kapital“, një institut kërkimor nga Budapesti, me temën e ndikimit të huaj në Ballkanin Perëndimor nga shtetet autoritare, si Federata Ruse, Republika Popullore e Kinës, Turqia dhe vendet e Gjirit Persik.

 

Shkruan: Simona Atanasova

 

Në analizë përpunohet natyra e ndikimit autoritar në rajonin e Ballkanit Perëndimor, konkretisht në vendin tonë, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinë duke vlerësuar pesë aspekte të hulumtuara të ndikimit autoritar: fuqia e butë fetare dhe ndikimi nëpërmjet kishave, ndikimi politik nëpërmjet politikës simbolike, ndikimi mbi opinionin publik, ndikimi ekonomik dhe teknologjik dhe ndikimi arsimor.

Hulumtimi në vendin tonë tregon se mjedisi politik në vend shpesh shërben si terren pjellor për aktorët e brendshëm dhe të jashtëm, të cilët mund të përdorin situatën për të krijuar jostabilitet.

Sektori i mbipopulluar dhe i papaguar i medias me nivele të larta polarizimi dhe përhapje të lajmeve të rreme, së bashku me nivele të ulëta të edukimit mediatik, mund të lehtësojë më tej përpjekjet e mundshme nga vendet e huaja, thuhet në analizë.

 

Fuqia e butë religjioze

Si vend laik me kushtetutë, komunitetet fetare në Maqedoninë e Veriut janë të ndara nga shteti dhe gëzojnë trajtim të barabartë në sistemin juridik. Pavarësisht karakterit zyrtar laik të shtetit, bashkësitë fetare luajnë rol të rëndësishëm në jetën shoqërore dhe kulturore, sepse qytetarët e konsiderojnë fenë të rëndësishme.

Shumica e të krishterëve ortodoksë janë të lidhur me Kishën Ortodokse Maqedonase – Kryedioqeza e Ohrit (KOM-KO) – ndërsa shumica e myslimanëve janë me Bashkësinë Fetare Islame në Maqedoni (BFI). Kjo marrëveshje u jep këtyre dy institucioneve fuqi dhe burime të konsiderueshme për të formuar marrëdhëniet sociale dhe kulturore. Megjithatë, roli i tyre në shoqëri është relativisht i kufizuar dhe udhëheqësit fetarë priren të shmangin diskutimin publik për çështje politike dhe sociale dhe të shmangin ndërhyrjen në jetën e përditshme politike.

Pavarësisht se kanë profil mjaft të ulët në diskursin e zakonshëm, fuqia e butë që mund të përdornin dhe burimet në dispozicion të tyre janë tërheqëse për një sërë aktorësh vendas dhe ndërkombëtarë.

Analiza arrin në përfundimin se, megjithatë, ndikimi nëpërmjet mjeteve fetare mund të konsiderohet i kufizuar. Mbështetje e vogël financiare arrin nga jashtë, por kjo ndodh herë pas here.

 

Ndikimi politik

analizë thuhet se i gjithë procesi i zgjidhjes së problemit të emrit ka përkeqësuar marrëdhëniet zyrtare midis Rusisë dhe Maqedonisë së Veriut, se programe të caktuara të partive politike janë në përputhje me interesat e shteteve autoritare, por që nuk ka dyshim për mbështetjen e tyre financiare.

Në këtë periudhë kohore, Rusia pretendoi se ideja përfundimtare për të ndryshuar emrin e vendit ishte sigurimi dhe përshpejtimi i pranimit të Shkupit në NATO në kundërshtim me vullnetin e popullit. Kundër kësaj, Qeveria e Maqedonisë së Veriut dënoi Rusinë për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit dhe madje dëboi një diplomat rus në mars 2018. Pas zgjidhjes së problemit të emrit dhe fillimit të procesit të ratifikimit për anëtarësim në NATO në vitin 2019, Maqedonia e Veriut u përpoq të përmirësojë gradualisht marrëdhëniet zyrtare me Rusinë, kryesisht për arsye ekonomike, thuhet në analizë.

Në raport përmenden partitë politike “Edinstvena Makedonija” (Edinstvena Makedonija), Partia Demokratike e Serbëve (PDS) dhe partia “Levica” si të vetmet parti politike me program ose narrativë që promovojnë marrëdhënie më të ngushta me Rusinë ose Kinën dhe ndryshime gjeopolitike në vend.

 

Ndikimi mbi opinionin publik

Në analizë thuhet se ndikimi i opinionit publik është një mjet i rëndësishëm për ndikim i regjimeve autoritare në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe vendin tonë.

Gjatë referendumit për ndryshimin e emrit në shtator 2018, u vunë re ngjarje polarizuese me aksione të rëndësishme politike, përpjekje të ndryshme për të ndikuar në opinionin publik përmes kanaleve zyrtare dhe jozyrtare. Nga njëra anë, ishte një fushatë e drejtuar nga qeveria që fokusohej në përfitimet e procesit. Nga ana tjetër, pati një fushatë komunikimi të udhëhequr nga partitë politike lokale, të cilat ishin kundër ndryshimit të emrit dhe kërkuan bojkotimin e referendumit si e vetmja mënyrë e mundshme për të ndaluar procesin.

Kishte një fushatë bojkotimi edhe në hapësirën e lajmeve në internet, e cila u përforcua kryesisht përmes përpjekjeve të organizuara, duke përfshirë përdorimin e robotëve të automatizuar në Twitter dhe prani artificialisht të zgjeruar në media sociale për të promovuar hashtag-un #bojkotoj.

Edhe pse nuk ka prova zyrtare për përfshirjen ruse në këtë drejtim, raporte të ndryshme dhe hetime zyrtare kanë treguar për këtë. Përveç referendumit si ngjarje kryesore, aktivitetet e dezinformimit janë pjesë e vazhdueshme dhe integrale e hapësirës informative online në Maqedoni, përfshirë edhe gjatë krizës me Covid-19, thuhet në analizë.

Ndikimi rus në shoqërinë civile është margjinal dhe vërehet kryesisht në organizatat kulturore që mbajnë profil të ulët dhe nuk janë të pranishme në media. Edhe pse raportet thonë se ekzistojnë rreth 30 organizata të miqësisë ruso-maqedonase, kryesisht të financuara nga Ambasada e Federatës Ruse në Shkup, ato nuk marrin pjesë aktive në diskursin publik.

 

Ndikimi ekonomik dhe teknologjik

Vendi ynë ka kapacitet të kufizuar për të tërhequr investime në krahasim me ekonomitë më të mëdha rajonale si Greqia, Bullgaria dhe Serbia. Pavarësisht këtyre kufizimeve, ka raste që kompani nga Rusia dhe Kina, e deri diku edhe Turqia, janë përfshirë në vend me projekte madhore, nga energjia deri te transporti.

Në analizë sqarohet se përfshirja e Rusisë në sektorin energjetik të Maqedonisë së Veriut është në masën më të madhe përmes shpërndarjes së gazit natyror. Furnizimi me gaz natyror për Maqedoninë e Veriut nuk është e diversifikuar sepse i gjithë furnizimi kalon vetëm nëpërmjet një gazsjellësi nga Rusia në Bullgari i ndërtuar në vitin 1997. Në vitin 2013, Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe Federata Ruse nënshkruan marrëveshje për përfshirje në gazsjellësin Rrjedha Jugore dhe lejuan Gazprom të mbetet operatori i vetëm i gazsjellësit. Në raportin e tij vjetor në vitin 2014, Komisioni Evropian deklaroi se marrëveshja ndërqeveritare nuk ishte në përputhje me acquis. Pavarësisht dështimit të projektit Rrjedha Jugore, marrëveshja u kritikua shumë në atë kohë. Komuniteti energjetik shprehu shqetësim për pjesëmarrjen e Maqedonisë në projektin e gazit Rrjedha Jugore. Kreu i Komunitetit të Energjisë deklaroi se projekti “nuk përputhet me marrëveshjet e Komunitetit të Energjisë, të cilat janë pjesë e rregulloreve të përbashkëta të Bashkimit Evropian; i a.q acquis”, dhe se marrëveshja është problematike sepse i lejoi Gazpromit monopol në Maqedoni që duhet të rinegociohet derisa vendi integrohet në Bashkimin Evropian. Një problem tjetër me këtë marrëveshje ishte mungesa e transparencës së saj: marrëveshja e Gazprom u nënshkrua me dyer të mbyllura, nuk përfshinte konsultime me palët përkatëse të interesit dhe nuk u bë kurrë publike. E gjithë procedura nuk kishte transparencë dhe doli të jetë e shtrenjtë për Maqedoninë. Monopoli i furnizimit i shoqëruar me infrastrukturën e kufizuar po i kushton Maqedonisë së Veriut. Në vitin 2015, çmimi i gazit natyror të importuar nga Rusia ishte 564 dollarë për 1000 metër kub, që është më i lartë në krahasim me fqinjët e saj si Serbia (457 dollarë amerikanë) dhe Bullgaria (501 dollarë amerikanë). Pavarësisht përpjekjeve për të diversifikuar furnizimet me energji, siç janë planet e ndërlidhjes së transmetimit të gazit natyror me Greqinë, Maqedonia e Veriut në afat të shkurtër do të mbetet plotësisht e varur nga Rusia, veçanërisht pasi kërkesa për gaz natyror pritet të rritet për shkak të investimeve gjatë gazifikimit dytësor.

 

Ndikimi arsimor

Studiuesit arritën në përfundimin se përpjekjet ruse në arsim janë të kufizuara nga aktivitetet që kryesisht kryhen në bashkëpunim ndërmjet Ambasadës Ruse në Shkup dhe Universitetit “Shën Kiril dhe Metodi” në Shkup, me çka në vitin 2016 në kuadër të Universitetit u hap një qendër ruse. Aktivitetet janë mjaft të rralla dhe zakonisht përfshijnë përkujtim të ditëve të rëndësishme historike, shfaqje kinemaje dhe koncerte. Një herë në vit qytetarët e Maqedonisë kanë të drejtë të aplikojnë për 40 bursa nga qeveria ruse për të studiuar në universitetet në Rusi.

 

Si deri te cenueshmëria me e vogël?

Sipas rekomandimeve që jep analiza, institucionet ndërkombëtare perëndimore, veçanërisht Bashkimi Evropian (BE) dhe Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), duhet të forcojnë komunikimin e tyre strategjik drejt rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Derisa BE-ja është partneri kryesor ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor si në eksporte ashtu edhe në importe, dhe NATO është garantuesi i sigurisë kolektive në komunitetin transatlantik, këto fakte duhet të komunikohen më intensivisht dhe në përputhje me nevojat lokale. Këto organizata duhet të përdorin më mirë kanalet e ndryshme online dhe offline për të kontaktuar qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe për të rritur ndërgjegjësimin jo vetëm për avantazhet ekonomike dhe të sigurisë së këtyre partneriteteve, por edhe për natyrën normative dhe demokratike të sistemeve të tyre, thekson raporti.

Për sa i përket vendimmarrësve lokalë, analiza thotë se, për të ndërtuar elasticitet, qeveritë kombëtare duhet të punojnë për të inkorporuar edukimin mediatik dhe digjital në programet mësimore kombëtare.

Edhe pse kjo është masë afatgjatë që do të jepte rezultate pozitive në një perspektivë më të largët, ajo është e nevojshme për ndërtimin e një shoqërie të shëndetshme demokratike dhe elastike, nënvizon analiza.

Në rekomandimet thuhet se gjithashtu qeveritë kombëtare duhet të sigurojnë financim transparent të partive dhe lëvizjeve politike, të cilat mund të parandalojnë ndikimin e huaj nga regjimet autoritare në nivel politik, ndërsa parlamentet duhet të propozojnë ligj që do të jetë mekanizëm për kontrollimin e investimeve të huaja të rrezikshme.

 

 

 

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.