Vdekja e vajzës së Duginit u keqpërdor për të përhapur gënjeshtra dhe teori konspirative

Фото: Принтскрин видео

Nuk është e vërtetë që Dugin është një luftëtar kundër fashizmit neoliberal, ai nuk është krijuesi i idesë së Euroazisë dhe BRICS (megjithëse është mbështetës i tyre). Në mënyrë arbitrare pretendohet se vrasja e vajzës së Duginit është urdhëruar nga George Soros dhe se Soros është krijuesi i Satanizmit. Promovuesit e teorisë së konspiracionit Kju Anon, pa bazë dhe pa argumente e lidhin Sorosin dhe hebrenjtë e tjerë të shquar si familja Rothschild me konsumimin e gjakut dhe rrëmbimin e fëmijëve duke hedhur retorika dhe narrativa që përfshijnë fjalën “Satanizëm”. Gjithashtu nuk ka asnjë provë që Kadyrov është në kërkim të pasardhësve të Sorosit për hakmarrje, as që Rusia përmes një zyrtari të lartë në ushtri ka paralajmëruar arsenal bërthamor në përgjigje të vrasjes së Daria Dugina.

 

Recensojmë një postim të publikuar në rrjetin social Facebook në të cilin, duke komentuar vdekjen e vajzës së Aleksandar Duginit, Darja Dugina, autori thotë se “Aleksandar Dugin është krijuesi i idesë së Euroazisë dhe BRICS”, se “Dugin është luftëtar kundër fashizmit neoliberal”, më tej përmendet hakmarrja ndaj satanistëve, se “vrasja është urdhëruar nga Soros” dhe se “Soros është krijuesi i Satanizmit”. Në postim thuhet se “Kadyrov po kërkon pasardhësit e Soros për të shkelur kokën e antikrishtit” dhe duke iu referuar një deklarate të supozuar të një përfaqësuesi të lartë të Shtabit të Përgjithshëm rus, autori shton se “hakmarrja ndaj nazistëve ukrainas do të jetë pa menduar dhe me rrënjë të thella, pa përjashtuar dhe arsenalin bërthamor”.

Nuk ekziston një gjë e tillë, si “fashizmi neoliberal”

Neoliberalizmi është model politik që bashkon politikën dhe ekonominë. Neoliberalizmi tenton të zhvendosë kontrollin e faktorëve ekonomikë nga qeveria në sektorin privat, me një angazhim për funksionimin efikas të tregut të lirë dhe kapitalizmit dhe fokus në kufizimin e shpenzimeve qeveritare, rregullimin dhe pronësinë publike. Politikat e neoliberalizmit zakonisht mbështesin shkëmbimin e lirë të mallrave, privatizimin dhe kufizimin e shpenzimeve qeveritare. Shpesh ky model lidhet me politikat ekonomike të Margaret Thatcher në Britaninë e Madhe dhe Ronald Reagan në Shtetet e Bashkuara. Kritikat ndaj këtij modeli lidhen me rreziqet e mundshme për të drejtat e punëtorëve, si dhe se u jep korporatave shumë pushtet që rrit pabarazinë ekonomike. Megjithatë, iniciativat neoliberale që lidhen me tregun e lirë, derregullimin e industrive, taksat, uljen e taksave kanë mbështetje. Në përgjithësi, neoliberalizmi është i lidhur me politikat e çlirimit ekonomik, duke përfshirë privatizimin, derregullimin, globalizimin, tregjet e lira dhe shkurtimet e shpenzimeve qeveritare për të rritur rolin e sektorit privat në ekonomi dhe shoqëri. Nga ana tjetër, fashizmi është krejtësisht i kundërt me këtë. Është një mënyrë e organizimit të shoqërisë në të cilën një qeveri e udhëhequr nga një diktator kontrollon jetën e njerëzve dhe ata nuk lejohen të mos pajtohen me qeverinë.

Kjo ideologji politike u bë e spikatur në Evropë në vitet 1920 dhe 1930 nga shekulli i kaluar. Shembujt më famëkeq të sundimit fashist janë ato të Partisë Nacional Fashiste të Benito Musolinit në Itali nga viti 1922 deri në 1943 dhe të Adolf Hitlerit nga 1933 deri në 1945. Fashizmi është autoritar dhe promovon nacionalizmin me çdo çmim. Profesori i filozofisë në Universitetin Jejl dhe autori i librit “Si funksionon fashizmi”, Jason Stanley, thotë se fashizmi është pikëpamje sipas së cilës anëtarët e një grupi të caktuar etnik dominojnë politikisht, kulturalisht dhe ushtarakisht, se fashizmi bazohet në ndarje etnike “tonët” dhe “tuajit”, etnonacionalizmi ekstrem dhe nostalgjia për të kaluarën mitike, në të cilën pjesëtarët e një grupi të caktuar etnik kishin “perandori” që është humbur në të tashmen. Sipas Departamentit të Historisë në Kolexhin Mbretëror në Pennsylvania, termi “fashizëm” u krijua nga Musolini në 1919. Fjala vjen nga italishtja “fascio”, që do të thotë pako ose grup dhe konsiderohet term për një vëllazëri militante. Fjala “fasces” do të thotë sëpatë e lidhur fort me shkopinj, një imazh që u bë simbol i lëvizjes fashiste, sipas Departamentit të Historisë në Kolegjin Mbterëror (hapet në skedën e re) në Wilkes-Barre, Pennsylvania. Robert Pakston, profesor në Universitetin Columbia në Nju Jork, e përshkruan fashizmin si praktikë politike që në shekullin e 20 solli entuziazëm popullor duke përdorur teknikat e propagandës.

Sipas Pakston, fashizmi përdor propagandën për të promovuar anti-liberalizmin, kërcënimet ndaj të drejtave individuale, lirive civile, demokracisë dhe sipërmarrjes së lirë, promovon përjashtimin e grupeve të caktuara, shpesh përmes dhunës, dhe nacionalizmin që tenton të rrisë ndikimin dhe fuqinë kombëtare. Profesori Kris Rajt, nga Universiteti i “Siti” në Nju Jork, shkruan se fashistët historikisht e kundërshtuan modernizimin kur i referohej liberalizmit, demokracisë, individualizmit dhe feminizmit dhe mbështetën modernizimin kur ai nënkuptonte përparimin teknologjik dhe ekonomik, epërsinë ushtarake, produktivitetin dhe glorifikimin e makinave dhe shpejtësisë. Pra, termat neoliberalizëm dhe fashizëm janë të kundërta me njëri-tjetrin. Fashistët e shihnin liberalizmin si armikun e tyre. Fjala “fashizmi neoliberal”, i përdorur në postimin që po e recensojmë, nuk ekziston në literaturën politike dhe filozofike, aq më pak në realitetin e sistemeve politike apo të tregut ekonomik.

Soros nuk është krijues i satanizmit dhe nuk ka urdhëruar asnjëfarë vrasje

Në postim rrejshëm pretendohet se George Soros është “krijuesi i Satanizmit” dhe se ai “urdhëroi vrasjen e vajzës së Aleksandar Dugin“. Soros është mbështetës i fuqishëm dhe me ndikim i kauzave sociale liberale, një filantrop dhe aktivist, sukseset e të cilit si investitor e bëjnë atë një nga njerëzit më të pasur në botë. Në vitin 1984, Soros përdori disa nga fitimet e tij për të formuar Fondacionet “Shoqëria e Hapur”, një organizatë filantropike që përfshin një rrjet fondacionesh. Puna fillestare u fokusua në Evropën Lindore, fillimisht në Hungari ku u dhanë grante, mbështetje teknike për të modernizuar shkollat ​​dhe bizneset. Promovuesit e teorisë së konspiracionit Kju Anon pa bazë dhe pa argumente e lidhin Sorosin dhe hebrenjtë e tjerë të shquar si familja Rothschild me konsumimin e gjakut dhe rrëmbimin e fëmijëve duke hedhur retorika dhe narrativa që përfshijnë fjalën “Satanizëm”. Satanizëm, gjegjësisht interpretimi i tij filozofik i figurës qendrore të së keqes, shfaqet zyrtarisht në vitin 1960, kur Kisha zyrtare Sataniste u formua nga Anton Lavej. Para shekullit të 20-të, Satanizmi nuk ekzistonte si fe e organizuar reale, por kishat e krishtera e përmendin atë. Satanizmi dhe George Soros nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin. Siç njoftoi CNN:

Shërbimet ruse të sigurisë fajësuan Ukrainën për vrasjen e Daria Dugina, vajzës së Aleksandër Duginit.

Ukraina i hodhi poshtë këto akuza, duke i quajtur fiktive.

Nuk kemi asnjë lidhje me vrasjen e kësaj vajze. Kjo është puna e shërbimeve speciale ruse, tha Oleksij Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës.

Ndryshe nga të pavërtetat e paraqitura në postim, ende nuk është bërë e ditur në asnjë media se Soros është porositësi i vrasjes së Duginës. Në postim thuhet gjithashtu se “Kadyrov po kërkon pasardhësit e Soros për të shkelur kokën e antikrishtit”. Meqenëse pasardhësit e Soros janë të njohur – “Reuters” në vitin 2012 raportoi se Soros ka pesë fëmijë, nuk ka asnjë arsye për të “kërkuar” atë, megjithëse është e qartë se postimi e përdori këtë si kërcënim. Në postim pretendohet edhe se “hakmarrja ndaj Nazistëve ukrainas do të jetë e qartë dhe radikale, duke mos përjashtuar arsenalin bërthamor” (deklaratë e një përfaqësuesi të lartë të Shtabit të Përgjithshëm rus), por nuk thuhet se cili përfaqësues i lartë i Shtabit të Përgjithshëm rus e ka thënë një gjë të tillë.

A është Aleksandar Dugin krijuesi i idesë së Euroazisë dhe BRICS?

Organizata politike ndërkombëtare BRICS përfshin Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Republikën e Afrikës së Jugut. Në shtator 2006, diplomatët nga katër anëtarët fillestarë të BRIC, përkatësisht Brazili, Rusia, India dhe Kina, u takuan në Nju Jork, ndërsa në tërësi anëtarët e organizatës u takuan për herë të parë më 16 maj 2008 në Ekatrinburg, Rusi. BRICS ka mbajtur një samit vjetor që nga viti 2009. Sipas “Deutsche Welle”, akronimi BRICS u krijua në 2001 nga analisti Jim O’Neill nga banka kryesore amerikane e investimeve Goldman Sahs. Aleksandar Dugin nuk figuron askund si krijuesi i idesë BRICS. Sipas Ambasadës Kineze në Afrikën e Jugut, ideja e BRIC (Brazil, Rusi, Indi dhe Kinë) u konceptua për herë të parë në vitin 2001 nga Goldman Sahs si pjesë e një ushtrimi ekonomik për të parashikuar tendencat ekonomike globale gjatë gjysmëshekullit të ardhshëm. Akronimi BRIC u përdor për herë të parë në vitin 2001 nga Goldman Sahs në Dokumentin Ekonomik Global nr. 66 me titull “The World Needs Better Economic BRICs”. Lëvizja Eurasia është një lëvizje politike ruse e themeluar në vitin 2001 nga Aleksandar Dugin. Organizata ndjek ideologji neo-euroaziane, e cila adopton përzierje të patriotizmit rus, besimit ortodoks, anti-modernizmit dhe ideve bolshevike. Organizata kundërshton vlerat amerikane si liberalizmi, kapitalizmi dhe modernizmi. Partia Eurasia është parti politike ruse e regjistruar nga Ministria e Drejtësisë më 21 qershor 2002, një vit pas fillimit të lëvizjes Eurasia e themeluar nga Aleksandar Dugin. Dugin dhe partia parashikojnë konflikt botëror midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Perandoria e re Evaziane do të themelohet mbi parimin themelor të armikut të përbashkët, refuzimit të atlantizmit, kontrollit strategjik të SHBA-së dhe refuzimit për të lejuar që vlerat liberale të dominojnë mbi ne. Ky impuls i përbashkët qytetërues do të jetë baza për një bashkim politik dhe strategjik, tha Dugin.

Më 26 mars 2022, në “Security Science Journal” u botua një artikull nga disa profesorë ku thuhej se termi euroazianizëm e kishte origjinën nga komuniteti i emigrantëve rusë të viteve 1920 si reagim ndaj humbjes së ushtrisë së Carit në Luftën e Parë Botërore. Më 5 gusht 2021, në “Georgia Today”, shkruhet se Euroazianizmi është lëvizje politike, pasuesit e së cilës besojnë se Rusia nuk i përket as qytetërimit evropian e as aziatik dhe është shprehje e konceptit gjeopolitik të Euroazisë. Rusia përdor në mënyrë aktive idetë euroaziatike në politikën e jashtme, veçanërisht në marrëdhëniet me vendet fqinje. Në tekstin e “Georgia Today”, shkruhet se Dugin nuk është autori i idesë origjinale të Euroazisë.

Ka një sërë paraqitjesh të gabuara, për shembull se euroazianizmi është doktrinë e lindur në Rusinë e Putinit ose se i përket Aleksandër Duginit si një ide origjinale. Pra, ne do të shohim rrënjët historike të kësaj lëvizjeje politike për ta kuptuar atë. Euroazianizmi si një lëvizje politike lulëzoi në vitet 1920 kur emigrantët u larguan nga Rusia (atëherë Bashkimi Sovjetik) si rezultat i Revolucionit Bolshevik dhe Luftës Civile Ruse. Ndër udhëheqësit e lëvizjes janë gjuhëtari dhe historiani i famshëm princi Nikolai Trubetskoi, filozofi Piotr Savitsky, muzikanti Piotr Souçinski, përkthyesi Dimitri Sviatopolsk Mirsky dhe avokati Konstantin Tsugajev. Mendimi i tyre ishte se Rusia nuk është pjesë e kulturës evropiane. Ndryshe nga emigrantët e tjerë, euroazianistët e konsideronin regjimin sovjetik një fazë të nevojshme zhvillimi dhe besonin se ai mund ta transformonte Rusinë në një shtet ortodoks jo-evropian, thuhet në artikullin e “Georgia Today”.

Organizata e Duginit quhet “The Eurasian Youth Union (ESM; ndërsa në rusisht, Евразийский союз молодёжи)”. Kjo paraqet një organizatë politike tradicionaliste dhe departamenti rinor i Partisë Eurasia, i kryesuar nga Aleksandar Dugin në Rusi. Në vitin 2011, qeveria e Ukrainës e vlerësoi këtë organizatë politike si organizatë ekstremiste, anti-ukrainase dhe e ndaloi atë në Ukrainë. Partia Eurasia është parti politike ruse e regjistruar në vitin 2002 nga Dugin. Sipas librit të Dugin, “Themelet e gjeopolitikës”, kalaja e re euroaziatike do të ndërtohet mbi parimin themelor të armikut të përbashkët, pra duke refuzuar kontrollin strategjik të SHBA-së dhe vlerat liberale. Partia quhet nga kritikët si neo-fashiste, gjë që Dugin e mohon. Presidenti i parë i Kazakistanit, Nursultan Nazarbajev, propozoi idenë e krijimit të Unionit Euroaziatik si një bllok tregtar rajonal. Unioni inkurajon lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve dhe parashikon politika të përbashkëta në transport, ekonomi, industri, bujqësi, energji, tregti të jashtme dhe doganat. Shihni afatin e plotë se si u krijua Bashkimi Ekonomik Euroaziatik në këtë link. Përsëri Dugin nuk është në të. Megjithatë, Dugin është një mbështetës i Unionit Ekonomik të Euroazisë. Më 10 tetor 2014, ai deklaroi:

Vetëm pasi të rindërtojmë Rusinë e Madhe, gjegjësisht Bashkimin Ekonomik Euroaziatik, mund të bëhemi lojtar i besueshëm global.

Dugin atëherë gjithashtu pohoi se Shtetet e Bashkuara duan të bëjnë luftë kundër Rusisë jo me duart e veta, por përmes duarve të ukrainasve, narrativë që është përjetësuar nga pala ruse deri më sot, pasi Rusia pushtoi Ukrainën. Për të gjitha faktet e mësipërme, postimin që po e recensojmë e vlerësojmë si të pavërtetë. Nuk është e vërtetë që Dugin është luftëtar kundër “fashizmit neoliberal”, ai nuk është krijuesi i idesë së Euroazisë dhe BRICS (megjithëse është mbështetës i tyre). Nuk është e vërtetë që vrasja e vajzës së Duginit është porositur nga George Soros dhe as që Soros është krijuesi i Satanizmit. Gjithashtu nuk ka asnjë provë se Kadyrov është në kërkim të pasardhësve të Sorosit për hakmarrje, as që Rusia përmes një zyrtari të lartë në ushtri ka shpallur arsenal bërthamor në përgjigje të vrasjes së Daria Dugina.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Promovimi i qasjes në lajme të besueshme për të luftuar dezinformatat, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.