Vdekja e pilotëve të British Airways nuk lidhet me vaksinat kundër Covid-19 dhe nuk ka bisedime krize me qeverinë

Informacioni se katër pilotë të British Airways vdiqën është i vërtetë, por nuk është e vërtetë që vdekja e tyre kishte të bënte me vaksinën kundër Covid-19 dhe se linja ajrore është në disa biseda kritike me qeverinë nëse do të lejojë pilotët e vaksinuar të fluturojnë. British Airways i tha Reuters se asnjë nga vdekjet nuk kishte të bënte me vaksina dhe mohoi pretendimet se kompania ishte në bisedime të tensionuara me qeverinë.

 

PostimiFacebook e keqinformon publikun se pasi katër pilotë të British Airways (BA) vdiqën pasi morën vaksinën kundër kovidit, kompania është në bisedime krize me qeverinë nëse duhet të lejojë pilotët e vaksinuar të fluturojnë. Kompania mohon një informacion të tillë dhe shton se vdekja e pilotëve nuk ka të bëjë me vaksinimin.

BRITISH AIRWAYS humbi 4 pilotë këtë javë (pasi u vaksinua) dhe tani British Airways është në bisedime me qeverinë nëse do të lejojë pilotët e vaksinuar të fluturojnë. Problemi është se rreth 80-85% e pilotëve të British Airways janë vaksinuar. Kështu që vetëm 10% e pilotëve do të jenë në gjendje të fluturojnë, thuhet në postimin në Facebook.

Në mbështetje të këtij pretendimi, u botua një fotografi e asaj që duket të jetë katër libra ngushëllimi, me fotografi të kornizuara të katër burrave në një sallon me një poster në murin e British Airways.

Historia e pilotëve të British Airways dhe bisedimet e pretenduara të krizës me qeverinë, vijnë nga një regjistrim audio që qarkullon në mediat sociale në të cilin një burrë i paidentifikuar tha se ai kishte biseduar me një “mik i cili është një pilot BA” dhe shpjegoi se “gjërat po çmenden” pasi vdiqën tre shokë pilotë.

Ata e humbën pilotin e tretë BA në shtatë ditët e fundit, po? “Një pilot i tretë vdiq në javën e fundit”, tha burri në regjistrim. “Dy djemtë e parë ishin në të dyzetat dhe të pesëdhjetat; ky djalë, në mes të të tridhjetave, në formë të përsosur, pa ndonjë sëmundje. Ai mori dozën e tij të dytë të vaksinës dhe tashmë ka vdekur brenda pak ditësh, ashtu si dy të parat. Për shkak të kësaj, British Airways tani është në bisedime krize me qeverinë nëse do të lejojë pilotët e vaksinuar të fluturojnë. Problemi, sipas mikut tim të British Airways, është se rreth 80%, 80-85% e pilotëve janë vaksinuar.

Burri pastaj vazhdoi duke thënë se vetëm “10% e pilotëve do të jenë në gjendje të fluturojnë”, duke e quajtur atë një “çështje serioze”.

Një pjesë e kësaj bisede tregohet në një nga fotot poshtë postimit që po analizojmë.

Nga “British Airways” për Reuters thanë se pretendimet se kompania po zhvillonte bisedime krize me qeverinë ishin të pabazuara dhe i mohuan ato. Zëdhënësi, megjithatë, konfirmoi vërtetësinë e katër librave me ngushëllime.

Mendimet tona janë me familjen dhe miqtë e tyre,” thanë nga “British Airways” për Reuters, duke shtuar se asnjë nga vdekjet nuk kishte të bënte me vaksinat.

Në një deklaratë për Reuters, Agjencia e Mbretërisë së Bashkuar për Barnat dhe Produktet Shëndetësore (MHRA) gjithashtu mohoi çdo bisedë krize me kompaninë ajrore britanike.

“Ne nuk jemi të informuar për vdekjet e pilotëve pas pranimit të vaksinës kundër Covid-19 dhe nuk kemi folur me British Airways ose linja ajrore të tjera në lidhje me parandalimin e fluturimit të pilotëve pas marrjes së vaksinës. Aktualisht nuk ka kufizime në aviacionin ose industri të tjera dhe aktivitetet pas vaksinimit. Këshilla jonë mbetet që përfitimet e vaksinës i tejkalojnë rreziqet për shumicën e njerëzve. Është ende jetësore që njerëzit të paraqiten për vaksinën e tyre dhe dozën e dytë kur të ftohen ta bëjnë këtë“, tha dr. Sarah Branch, drejtor i Departamentit të Vigjilencës dhe Menaxhimit të Rrezikut në MHRA.

Nga e gjithë kjo mund të konkludohet se informacioni se katër pilotë të British Airways vdiqën është i vërtetë, por nuk është e vërtetë që vdekja e tyre kishte të bënte me vaksinën kundër Covid-19 dhe se linja ajrore është në disa bisedime krize me qeverinë nëse të lejojnë pilotët e vaksinuar të fluturojnë. Prandaj, ne mund të vlerësojmë se ky postim në tërësi është keqinformim.

 

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.