Valuta digjitale e euros nuk do të jetë e programuar dhe nuk do të jetë e kufizuar për sa i përket qëllimit të përdorimit

Илустрација на ЕЦБ

Nuk është e saktë ajo që thuhet në postim se “Banka Qendrore Evropiane është një kartel privat”. Banka Qendrore Evropiane (BQE) është politikisht e pavarur dhe kjo shihet nga fakti se as institucionet dhe organet e Bashkimit Evropian, as bankat qendrore kombëtare, e as ndonjë anëtar i organeve të tyre vendimmarrëse, nuk kanë të drejtë të kërkojnë apo të marrin udhëzime nga ndonjë institucion apo organ i BE-së, nga ndonjë qeveri e një shteti anëtar të BE-së apo nga ndonjë trup tjetër!

 

Po shqyrtojmë një postim të publikuar në rrjetin social Facebook, ku thuhet:

Fakte të dokumentuara.
Janar 2026, fillon valuta digjitale ruse me urdhër të Putinit.
Tetor 2025, valuta digjitale e BE-së sipas njoftimit zyrtar të Bankës Qendrore Evropiane (të ashtuquajturit kartel privat). Të gjitha vendet perëndimore janë në fazën përfundimtare të zbatimit të valutës digjitale.
Valuta digjitale do të jetë E PROGRAMUAR – e kufizuar për nga qëllimi i përdorimit, me afat kohor dhe do të jetë E KONTROLLUAR nga shteti.

Nuk është i saktë pretendimi i paraqitur në postim se “Banka Qendrore Evropiane është një kartel privat”. Banka Qendrore Evropiane (BQE) është politikisht e pavarur, gjë që dëshmohet nga fakti se as institucionet e Bashkimit Evropian, as bankat qendrore kombëtare dhe asnjë anëtar i organeve vendimmarrëse të tyre nuk kanë të drejtë të kërkojnë apo të marrin udhëzime nga ndonjë institucion apo organ i BE-së, nga ndonjë qeveri e një shteti anëtar të BE-së apo nga ndonjë trup tjetër. Pikërisht kjo pavarësi e BQE-së është një garanci për ruajtjen e stabilitetit monetar, e mbështetur nga analiza teorike të gjera dhe prova empirike për rëndësinë e pavarësisë së bankës qendrore. Pavarësia e BQE-së është e përcaktuar qartë në kornizën institucionale për politikën monetare unike dhe në statutin e saj.

Pavarësia politike e BQE-së është thelbësore për qëllimin e saj parësor – ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Kjo është themeli i sistemit monetar të eurozonës. Si ruajtëse të stabilitetit të çmimeve, bankat qendrore krijojnë bazat për një ekonomi të shëndoshë dhe të qëndrueshme. Nëse qeveritë do të kishin kontroll të drejtpërdrejtë mbi bankat qendrore, politikanët mund të tundoheshin të manipulojnë normat e interesit për përfitime të përkohshme politike ose të përdorin fondet e bankës qendrore për të financuar politika popullore afatshkurtra, gjë që do të dëmtonte seriozisht ekonominë në plan afatgjatë. Për të siguruar që BQE-ja të veprojë në interesin më të mirë të qytetarëve evropianë, ajo është themeluar si një institucion i pavarur. Marrëveshja për Funksionimin e Bashkimit Evropian i jep BQE-së një mandat të qartë dhe të kufizuar: të ruajë stabilitetin e çmimeve në eurozonë. Kështu, BQE-ja është në gjendje të udhëheqë një politikë monetare që nxit rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës në Evropë.

Statuti i BQE-së mbron pavarësinë personale të anëtarëve të Bordit Ekzekutiv të saj. Ata emërohen për një mandat tetëvjeçar dhe mund të shkarkohen nga detyra vetëm në rast të sjelljes seriozisht të papërshtatshme. Kjo u mundëson të marrin vendime të përgjegjshme dhe objektive. Përveç kësaj, BQE-së i ndalohet të japë hua drejtpërdrejt për sektorin publik. Kjo e mbron atë nga presioni i autoriteteve publike.

Euroja digjitale nuk do të jetë një valutë e programuar

Në postim gjithashtu pretendohet se “në tetor 2025 do të hyjë në përdorim valuta digjitale e BE-së dhe se të gjitha vendet janë në fazën përfundimtare për këtë”. Thuhet gjithashtu se “valuta digjitale do të jetë e programuar, e kufizuar për përdorim, me afat kohor dhe do të kontrollohet nga shteti”.

Ky pretendim nuk është i saktë. Euroja digjitale nuk do të jetë e kufizuar për përdorim. Ajo do të bashkëekzistojë me paranë fizike dhe nuk do të ketë kufizime mbi mënyrën se si mund të shpenzohen paratë, sipas raportimeve të medias si “Forbes”. Qëllimi i saj është të ofrojë një mjet pagese modern dhe të sigurt për qytetarët, jo të zëvendësojë apo kufizojë paranë ekzistuese.

Ne po bashkëpunojmë me bankat qendrore kombëtare të eurozonës për të shqyrtuar mundësinë e emitimit të euros digjitale. Kjo do të ishte një valutë digjitale e bankës qendrore – ekuivalente elektronike e parasë fizike. Ajo do t’i plotësonte kartëmonedhat dhe monedhat, duke u dhënë qytetarëve një mundësi shtesë se si të paguajnë. Euroja digjitale do të ishte një formë digjitale e parasë fizike, e emetuar nga banka qendrore dhe e qasshme për të gjithë në eurozonë, thuhet në faqen zyrtare të Bankës Qendrore Evropiane për euron digjitale. 

Nga aty njoftuan fazën e dytë të përgatitjeve për euron digjitale deri në tetor 2025, që nuk do të thotë se ajo do të jetë e disponueshme në atë muaj. Eurot digjitale jjanë para të Bankës Qendrore në formë digjitale, të disponueshme për çdo pagesë elektronike në dyqane, në internet apo person më person.

Në postim pretendohet në mënyrë të pasaktë se euroja digjitale do të ishte “e kontrolluar nga shteti”, që mund të kuptohet si kontroll mbi mundësinë për të paguar ose jo, në kuptimin që shteti do të disponojë ose do të menaxhojë paratë tuaja, gjë që absolutisht nuk do të ndodhë.

Euroja digjitale ka shumë përfitime për ata që vendosin ta përdorin. Pra, kur të jetë e disponueshme (nuk ka konfirmim që do të jetë në 2025, ndryshe nga ajo që thuhet në postim), do të jetë opsionale dhe nuk do të zëvendësojë pagesën me para fizike, por është menduar të funksionojnë së bashku. Nëse dikush nuk dëshiron të përdorë euro digjitale, nuk është i detyruar ta bëjë këtë. Për më tepër, eurot digjitale, si para të Bankës Qendrore Evropiane, do të jenë një pasuri publike e disponueshme për të gjithë.

Përdoruesit do të mund të mbajnë vetëm një shumë të kufizuar eurosh digjitale në llogarinë e tyre. Kjo do të sigurojë që valuta digjitale të jetë një depozitë e sigurt e vlerës, e ngjashme me paratë në dorë, duke ruajtur stabilitetin e sistemit tonë financiar dhe duke parandaluar largimin e depozitave bankare, madje edhe në kohë krize. Lidhja e portofolit të tyre digjital me llogarinë bankare do t’u mundësojë përdoruesve të kryejnë pagesa mbi kufirin e disponueshmërisë dhe menjëherë të mbulojnë çdo mungesë, pa pasur nevojë të ngarkojnë paraprakisht portofolin e tyre digjital (me kusht që të kenë fonde të mjaftueshme në llogarinë bankare të lidhur), sipas shpjegimeve të dhëna.

Për pyetjen nëse euroja digjitale do të jetë një valutë alternative brenda Eurosistemit, përgjigjja e Bankës Qendrore Evropiane është negative.

Jo. Euroja digjitale do të jetë një mënyrë shtesë pagese me euron, monedhën tonë unike në Evropë. Ajo mund të konvertohet një për një me kartëmonedhat. Euroja digjitale do t’u përgjigjet preferencave në rritje të njerëzve dhe bizneseve për pagesa digjitale, theksojnë nga BQE-ja.

Në postimin që po rishikojmë thuhet se “euroja digjitale do të jetë e kufizuar në qëllimin e përdorimit”, por kjo nuk është e vërtetë.

Euroja digjitale kurrë nuk do të jetë valutë e programuar (programmable money). Paratë e programuara janë një formë digjitale e parasë që përdoret për qëllime të përcaktuara paraprakisht, si vauçer me kufizime për ku, kur dhe me kë mund të përdoren. Në draft-ligjin e paraqitur para Komisionit Evropian është theksuar se euroja digjitale nuk do të jetë valutë e programuar, por mund të ndihmojë për pagesa automatike nëse PËRDORUESIT ZGJEDHIN TË PËRDORIN KËTË FUNKSION. Për shembull, përdoruesi mund të zgjedhë pagesa automatike mujore për miqtë ose anëtarët e familjes, thuhet në shpjegimet në faqen e Bankës Qendrore Evropiane (pyetja 19). 

Në lidhje me informacionin për Rusinë, nga 1 tetori 2025 rubla digjitale do të përdoret në formë të kufizuar vetëm për shpenzime qeveritare, të cilat do të rregullohen ndërmjet Bankës Qendrore Ruse dhe qeverisë.

Nga janari 2026, shpenzimet federale buxhetore do të mund të paguhen me rubla digjitale pa u kufizuar në një listë specifike, ndërsa nga korriku 2027, është parashikuar që rubla digjitale të lejohet për përdorim kudo, përfshirë shpenzimet nga buxhetet rajonale dhe komunale, buxhetet për mbrojtje sociale dhe sigurimin shëndetësor të detyrueshëm.

Për shkak të këtyre fakteve të përmendura më sipër, postimi që po rishikojmë e vlerësojmë si pjesërisht i pasaktë. 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.