Vaksinimi nuk ka përfunduar për një ditë

Të mërkurën më 17 shkurt, në spitalin modular, i cili ndodhet në Klinikën për Sëmundje Infektive, filloi procesi i vaksinimit të personelit mjekësor, por nuk ka përfunduar të njëjtën ditë, siç pretendon postimi në Facebook. Sipas vlerësimit të autoriteteve shëndetësore, në këtë pikë në ditë do të vaksinohen prej 300-500 persona. Pra me këtë dinamikë në 10 ditët e ardhshme pritet që të gjithë punonjësit shëndetësor në shtet të vaksinohen me dozën e parë të vaksinave “Pfizer”, të cilat RMV i mori nga Serbia si donacion.

PostimiFacebook, plason informacion të gabuar se imunizimi me vaksinën “Pfizer”, të cilat erdhën nga Serbia, do të fillojë edhe përfundojë në një ditë. Në postim është përcjellë teksti, i cili që në titull thotë: “Të mërkurën fillon dhe përfundon vaksinimi, prej të enjten presim vaksina të reja“. Por kjo nuk është e saktë. Askush nga autoritetet shëndetësore nuk ka deklaruar se vaksinimi do të bëhet për një ditë – të mërkurën (17.02.2021). Të dielën – 14.02.2021, në kalimin kufitar “Tabanoc” arriti dërgesa e parë e vaksinave kundër COVID-19 nga Serbia – 4680, nga gjithsej 8000, të prodhuara nga Pfizer. Në pranim-dorëzimin kishte delegacion nga Serbia, i udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe delegacion nga RMV i udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev. Në një deklaratë për mediat ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, shprehu falënderim për qeverinë serbe, që ndau një pjesë nga vaksinat e tyre. Ja çfarë saktësisht tha Filipçe në deklaratë:

Kjo krizë ka treguar se solidariteti është i rëndësishëm, se nuk ka kufij, se nuk ka kombe. Dëshiroj të shpreh falënderim për Qeverinë e Republikës së Serbisë, që ndanë një pjesë të vaksinave të tyre. Ne jemi plotësisht të gatshëm t’i pranojmë ato, vaksinat tashmë rrugës për t’u vendosur në frigoriferët e duhur. Pas njoftimit të “Pfizer” të premten natën vonë, ne kemi punuar dje, kemi nënshkruar marrëveshjen trepalëshe, e cila ishte praktikisht një kusht që të ndodhte ky donacion nga Serbia dhe këtu janë vaksinat në vendin tonë sot. Procedura e rregullt në Agjencinë e Barnave do të përfundojë nesër, pas së cilës vaksinimi do të fillojë të mërkurën me punëtorët shëndetësorë në klinikën modulare në Qendrën Klinike në Shkup.

Siç mund të shihet, ministri thotë se imunizimi fillon të mërkurën, por nuk thotë se do të përfundojë të njëjtën ditë. Filipçe në këtë deklaratë nuk përmend fare se sa kohë do të duhet që të jepen vaksinat nga dërgesa e parë. Ajo që pretendohet në postimin në Facebook dhe në vetë artikullin që është i lidhur, është e gabuar. Në rastin konkret, u bë vlerësim arbitrar se 2,340 punonjës mjekësor do të merrnin dozën e parë në një ditë. Më pas, teksti i referohet “njoftimit të Filipçes dhe Qeverisë se sistemi shëndetësor ka kapacitet prej 2,000 deri në 2,500 njerëz në ditë“. Por, për çfarë lloj njoftimi të Filipçes, në të vërtetë bëhet fjalë? Më 6 shkurt, ministri i Shëndetësisë informoi në konferencë shtypi se 200 mijë vaksina për Covid-19 nga Kina do të mbërrijnë së shpejti në vend, të cilat do të sigurojnë vaksinimin e 100 mijë qytetarëve. Filipçe atë ditë njoftoi se Marrëveshja për blerjen e vaksinave do të nënshkruhet të hënën (08.02.2021) dhe tha se tashmë është përgatitur një plan për transportin, ruajtjen dhe fillimin e vaksinimit i cili do të kryhet përmes rrjetit ekzistues shëndetësor dhe pikave të vaksinimit.

Në nivel ditorë, nga vaksina Sinofarm dhe duke punuar në pikat me kapacitet të plotë, pres të vaksinojmë nga 2000 në 2500 qytetarë. Për çdo qytetar që do të marrë dozën e parë, e dyta do të duhet të rezervohet menjëherë pas 21 ditësh, që do të thotë se nga dërgesa e parë kemi dy doza për vaksinim dhe rivaksinim për 100,000 persona …, tha Filipçe

Pra, ministri atëherë flet për vaksinën kineze dhe kapacitetin e të gjitha pikave të vaksinimit në vend, ku ai pret të vaksinohet çdo ditë nga 2,000 deri në 2,500 qytetarë, dhe jo vetëm në pikën në spitalin modular në Klinikën e Sëmundjeve Infektive. Sa i përket procesit të vaksinimit të punëtorëve shëndetësorë, i cili filloi me vaksinat “Pfizer” nga Serbia, ministri Filipçe për “TV Sitel” (16 shkurt 2021) tha se në nivel ditor do të vaksinohen 300-400 persona. Më 17 shkurt, në spitalin modular filloi vaksinimi i punonjësve shëndetësor të cilët punojnë në klinikë, ndërsa me këtë rast Filipçe për mediumet tha se:

Kapaciteti i kësaj pike është 500 persona në ditë, kemi filluar me 350. Për 10 ditë maksimum, do të vaksinohen të gjithë punonjësit shëndetësorë.

Të njëjtën ditë, ministri i Shëndetësisë në një intervistë për “TV Telma” tha se kur të fillojë vaksinimi i popullatës në të gjitha pikat, 2.500 deri në 4.000 qytetarë do të vaksinohen në ditë.

Bëhet fjalë për vaksinimin e 300-500 personave në ditë vetëm në këtë pikë të Klinikës së Sëmundjeve Infektive. Për shkak se ne duam që të gjithë punonjësit që punojnë me Covid të vaksinohen dhe me atë dinamikë ne do të arrijmë shumë shpejt duke vaksinuar të gjithë punëtorët shëndetësorë që punojnë me Covid. Sistemi i vaksinimit do të shpërndahet në të gjitha pikat në vend. Kapaciteti është midis 2500 dhe 4 mijë në ditë dhe për një kohë të shkurtër një përqindje serioze e popullsisë mund të vaksinohet, thotë Filipçe.

Vaksinimi i personelit mjekësor është kryer edhe gjatë ditës së sotme, dhe sipas dinamikës aktuale, vaksinat “Pfizer” që kemi marrë nga Serbia do të vendosen për dhjetë ditë. Kështu që, pretendimi i bërë në postim është i pavërtetë.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.