U asfaltua rruga lokale Çegran-Tumçevisht, (Gostivar)
Projekti: Sanimi i rrugës lokale Çegran-Tumçevisht, (Gostivar)
Vlera: 13.1 milion denarë
Afati i realizimit: 2014-2015
ARSYETIM: Sanimi i rrugës lokale Çegran-Tumçevisht, (Gostivar), ishte ndër projektet që u premtua në Platformën zgjedhore të BDI-së, zgjedhjet 2014, si projekt që do të realizohet brenda mandatit 2014-2018. Si afat i fundit për realizimin e projektit u premtua viti 2015. Deri më tani (04.12.2016), ky premtim është i plotësuar.
Punimet për sanimin e rrugës lokale Çegran-Tumçevisht nisën më 04.03.2014, kur edhe Komuna e Gostivarit kishte njoftuar fillimin e aksionit për sanimin e rrugës lokale që lidh Çegranin me fshatin Tumçevisht, me gjatësi afër 3 kilometra.
“Është bërë rrafshimi i rrugës dhe janë krijuar kushte më të mira për lëvizje të banorëve të kësaj ane sidomos banorët që merren me bujqësi dhe blegtori do të mund të qarkullojnë më lirshëm me makineritë e tyre të punës”. (burimi: aktuale.mk, 04.03.2014)
Punimet po zhvilloheshin sipas dinamikës që ishte paraparë. Më 09.10.2014 nga Komuna e Gostivarit ishte njoftuar se asfaltimi i rrugës Çegran-Tumçevisht do të ishte gati brenda katër ditëve (më 12/13 tetor).
“Deri më tani është asfaltuar gjysma e rrugës, ndërsa brenda katër ditëve duhet të përfundoje komplet rruga. Asfaltimi i rrugës ishte një premtim parazgjedhor, por edhe një kërkesë dhe pritje e kamotshme e banorëve të fshatit Çegran”. (burimi: Shërbimi për Informim, Komuna e Gostivarit, 09.10.2014)
Rruga nuk u përfundua në afatin e paralajmëruar nga Komuna e Gostivarit. Megjithatë, punimet përfunduan disa ditë më vonë, gjegjësisht më 24.10.2014.
“Ne sot vejmë në përdorim rrugën të cilën banorët e kësaj ane, banorët e Çegranit dhe Forinës e kanë pritur mbi 50 vite. Kjo rrugë është me distancë afër 3 kilometra që ka kushtuar mbi 300 mijë euro, mjete të cilat janë siguruar nga buxheti komunal. Prej sot kjo rrugë do ti lidhe të gjitha vendbanimet të cilat janë afër me Çegranin, do lidhen me komunat fqinjë Vrapçishtin, Bogovinën dhe komunën e Tetovës“. (burimi: KohaNews, 24.10.2014)
Projekti për sanimin e rrugës lokale Çegran-Tumçevisht, (Gostivar) ishte një nevojë e kahmotshme e banorëve të këtyre dy vendeve. Punimet janë zhvilluar sipas dinamikës së paraparë dhe kanë përfunduar në afatin e premtuar. Sipas asaj që kemi mundur të vërtetojmë, mundë të përfundojmë që premtimi për asfaltimin e rrugës lokale Çegran-Tumçevisht, (Gostivar) është i plotësuar.
BURIME:
- Platforma zgjedhore e Bashkimit Demokratik për Integrim, Zgjedhjet 2014 (faqe 258/109);
- |04.03.2014| GOSTIVAR, NIS SANIMI I RRUGËS ÇEGRAN – TUMÇEVISHT (Aktuale.mk, shikuar më 04.12.2016);
- |09.10.2014| Drejt përfundimit asfaltimi i rrugës Çegran – Tumçevishtë, rruga gati javën e ardhshme (Shërbimi për Informim, Komuna e Gostivarit, shikuar më 04.12.2016);
- |24.10.2014| U asfaltua rruga lidh Çegranin me autostradën Gostivar – Tetovë, projekti mbi 300 mijë euro (KohaNews, shikuar më 04.12.2016);
Vlerësoi: Rabie Abazi
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari