“Trishtimi” i gazetarit, nuk guxon të reflektojë te lexuesit, media nuk duhet të krijojë panikë

Mundohuni të qëndroni larg nga mediat, të cilat titujt e lajmeve shpesh herë i nisin kështu “Tragjike”, “E pabesueshme”, “Shokuese”, “E paparë”, “Nuk do të ju besohet” e kështu me radhë, kjo është thjeshtë një metodë sensacionaliste në mënyrë që të tërhiqen sa më shumë lexues kurioz për atë që ju premtohet në titull. Kështu ka premtuar lajmi të cilin e recensojmë, ku përmes një titulli sensacionalist ka shpërndarë panik deri te qytetarët për diçka tejet serioze, shkruan Krithink.

 

Foto nga shkrimi që e recensojmë

Linku origjinal i artikullit: Pamje trishtuese nga Tetova: Një person spërkat hyrjet e banesave me lëndë të panjohur, banorët në panik

Data e publikimit: 12.03.2021

Data e recensimit: 12.03.2021

Edhe pse bëhet fjalë për diçka serioze, për të cilën ende nuk ka epilog zyrtar nga institucionet kompetente, titulli i tekstit që e recensojmë është kështu “Pamje trishtuese nga Tetova: Një person spërkat hyrjet e banesave me lëndë të panjohur, banorët në panik”.  Kjo është mënyra jo e drejtë se si një gazetar duhet të informoje në raste të tilla, për shkak se përhap panik ndërsa në brendësi, lexuesit nuk i jep asnjë informatë se për çfarë bëhet fjalë.

Informimi në raste të tilla, ku të gjithë njerëzit i kanë “sytë nga mediet” duhet të jetë sa më i saktë, me informacione të verifikuara nga disa burime.

Në nenin 8 të Kodit Etik, thuhet kështu:

“Mënyra e informimit në rastet e fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jetë e çliruar nga sensacionalizmi”

Kur gazetari shkruan “lajm” nën efekt të panikut personal, ka rrezik që të jepet fotografi e rreme

Në momentin kur gazetari shkruan lajme duke qenë vetë i tmerruar nga një pamje konkrete, kjo nuk do të thotë se është në rregull që emocionet e tija ti “shesë” në formë të lajmit, sepse shpesh herë kur gazetarët kanë informuar nën ndikimin e emocioneve, kanë dhënë fotografi jo të saktë të ngjarjeve.

Në rastin konkret, gazetari i tekstit të cilin e recensojmë përmes titullit ju thotë qytetarëve se para një ndërtesë në Tetovë ka ndodhur diçka tmerruese dhe se pamjet janë të trishta, ndërkaq, në brendësi të lajmit, i njëjti gazetar, shpjegon se ende nuk dihet për çka bëhet fjalë.

“Rasti po shqyrtohet nga organet e rendit, dhe ende nuk ka raport zyrtar për lëndën/substancën e përdorur nga personi i pa identifikueshëm” shkruan në tekstin që e recensojmë.

Autori nuk ka kërkuar dëshmi shtesë, autori nuk ka kërkuar deklarata të burimeve të tjera, ekspertë apo dhe dëshmitarë. Autori as ka dalë vet në terren për të parë me sy të tij në mos në këtë ndërtesë është shkruar donjë shkaravinë e thjeshtë, ose është vizatuar një vijë me “spray”.
Informata nuk i përmbush kriteret e të qenurit lajm i plotë i verifikuar, por është një histeri e çuditshme e një perceptimi subjektiv të një autori.

Pandemia me Kovid-19, “ndihmesë” për të ushqyer sensacionalizmin

Aktualisht vendi gjendet në mesin e një pandemie globale, ku qytetarët kryesisht informohen nga mediet për ngjarjet më të fundit në lidhje me rrjedhën e pandemisë. Është e vërtetë se në vend veçse ekziston një panik që ka të bëje pikërisht me aspektin shëndetësor, gazetari nuk duhet ta shtoje atë, mundësisht, të kontribuoje që përmes lajmeve të sakta dhe josensacionale, të ulë panikun te qytetarët

Përveç thirrjes në emocione dhe tendencës për sensaionalizëm, gazetari në këtë rast ka përdorur konceptet e manipulimit të cilat njihen si “Arsyetim rrethanor” si dhe “Thirrje në mundësi”, me çka, ai përmes titullin mundohet të ju imponojë lexuesve se edhe pse nuk dihet çfarë realisht ka ndodhur, bëhet fjalë për diçka të keqe dhe tmerruese, dhe më pas, këto supozime nuk po ua dëshmon.

Në fund, mos klikoni në lajmet të cilat përmes titullit ngjallin një emocion frike, pasigurie apo trishtimi deri te ju, në qoftë se i gjithë fokusi i titullit është vendosur që titulli të jetë sa më sensacional, gjasat janë të mëdha që gazetari po tenton të manipulojë me ndjenjat e juaja si lexues

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.