Titulli dhe teksti nuk kanë kurrëfarë lidhshmërie

 

Shkruan: Shefkije Alasani

Po e recensojmë tekstin e publikuar në portalin Aktuale më 7 korrik, me titull: A do të thotë edhe Sela: Amelika, Amelika, Amelika. Vërtetmatësi disa herë ka vënë theksin tek raportimi i drejtë e profesional, sidomos gjatë periudhës elektorale, e megjithatë ky parim themelor i gazetarisë vazhdon të mos respektohet. Titulli i lajmit që po e recensojmë është tendencioz dhe nuk ka lidhje konkrete me përmbajtjen e lajmit. Në titull supozohet nëse edhe kreu i “Aleancës për Shqiptarët”, Ziadin Sela, në të ardhmen do të shprehet njëjtë sikur  lideri “Vetvendosjes” Albin Kurti. Titulli i këtij lajmi pa asnjë lidhje logjike është ndërlidhur me një deklaratë të Kurtit, ku ai shprehet:

“Sa herë që këtyre zyrtarëve të korruptuar qeveria e jona, e juaj e mirë iu cenon interesat korruptive, llojnë e piskasin ‘Amelika, Amelika’.E keni vërejtur se si orvaten të keqpërdorin Amerikën sa herë që ia përmend korrupsionin.”

Parimet gazetareske nuk janë respektuar as edhe në përmbajtjen e tekstit. Në paragrafin e parë të lajmit thuhet se: “Ardhja e disa figurave të larta të kësaj partie në tubimet elektorale të një koalicioni gjysëm opozitar dhe një tjetri në pushtet ka shpërfaqur reagime të shumta”. Ndërkohë autori i panjohur i këtij teksti nuk na dokumenton asnjë qëndrim të ndonjë individi, as citime të ndonjë reagimi në rrjetet sociale e as ndonjë anketim me qytetarë. Më tej autori vazhdon të komentojë realitetin politik në Maqedoninë e Veriut dhe hap enigma për lexuesin duke parashtruar dy pyetje:

  1. Nëse VV-ja ra nga pushteti shkaku i mosdëgjueshmërisë së Amerikës, a do të bëjë edhe Sela
    që të jetë po kundër Amerikës?!
  2. Por çështja thelbësore mbetet fakti që sikur Kurti të mbështeste kaq me zemër Selën, pse do që të hapë VV-në në Maqedoni?

Në parimet themelore të gazetarisë theksohet se: “Roli i gazetarëve është të transmetojnë informata, ide dhe mendime dhe kanë të drejtë të komentojnë. Duke respektuar vlerat etike dhe standardet profesionale në transmetimin e informatave, gazetarët duhet të jenë të ndershëm, objektivë dhe të saktë”. Pra, nëse ka pyetje e dilema në opinion është normale që gazetari t’i përcjellë ato por jo në mënyrë hipotetike. Në këtë rast gazetari duhet të konsultojë dhe të marrë qëndrim nga ekspertët e fushës, të cilët përmes një analize profesionale mund të vinë në përfundime faktike. Njohës të fushës të cilët e argumentojnë me fakte deklaratën dhe qëndrojnë pas asaj që thuhet.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

>Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë të politikanëve dhe partive politike përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy). .

Your email address will not be published.