Titull sensacional që ka për qëllim dezinformim dhe jo informim

Nuk është aspak e vërtetë se në dimër do të shfaqet variant i ri i COVID19 dhe se ekspertët po bëjnë një njoftim urgjent. Varianti më i ri i SARS-COV-2 është Omicron, edhe pse ky variant është shpërndarë në shumë vende të botës në vendin tonë akoma nuk është identifikuar asnjë rast me Omicron. Apeli i vetëm që bëjnë ekspertët është që njerëzit të vaksinohen, të mbajnë maska dhe ti shmangin grupimet në ambiente të mbyllura, shkruan Portalb.mk.

Bëhuni gati për këtë dimër po vjen varianti i ri, ekspertët japin urgjent njoftimin, ja çka na pret…  është titulli i përmbajtjes që dezinformon. Kjo përmbajtje është publikuar në portalin News19post, faqe kjo  e cila edhe më herët ka shpërndarë informacione të rreme dhe jo-profesionale.

Në përmbajtjen që recensojmë pretendohet se në dimër do të ketë një variant të ri të COVID19, ndërsa në titull pretendohet se japin një njoftim urgjent duke e alarmuar dhe dramatizuar opinionin. Që të dy pretendimet janë të rrejshme dhe lehtë mundet të verifikohen.

Nuk ka asnjë informacion zyrtar se pritet të shfaqet variant i ri gjatë dimrit

Në mediat dhe institucionet ndërkombëtare nuk figuron asnjë informacion zyrtar se gjatë dimrit pritet të shfaqet ndonjë variant i ri i COVID19. Aktualisht bota po përballet me një variant të ri të COVID19 dhe ai është varianti OMICRON. Ky variant për herë të parë u identifikua në Afrikën e Jugut më 24 nëntor të këtij viti. Varianti Omicron mundet të përhapet më lehtë sesa virusi origjinal SARS-CoV-2 por ende nuk dihet se sa lehtë përhapet Omicron në krahasim me variantin Delta.

Nga Ministria e Shëndetësisë në vendin tonë thonë se në vendin tonë akoma është regjistruar asnjë rast me variantin Omicron dhe se vazhdon të mbetet dominant varianti Delta.

“Në botë ka mijëra variante të ndryshme të virusit SarsCoV2, pasi është karakteristikë e një virusi që të ndryshojë me kalimin e kohës. Në vendin tonë deri më tani janë zbuluar vetëm disa variante të Covid 19, aktualisht varianti Delta i SarsCov2 është dominues. Pavarësisht nëse shfaqet apo jo një variant i ri, sistemi ynë shëndetësor është i gatshëm t’u përgjigjet siç duhet pacientëve” – njoftojnë nga Ministria e Shëndetsisë.

Nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se aktualisht, situata epidemiologjike në vendin tonë është stabile dhe epidemiologët konstatojnë rënie të numrit të të infektuarve pozitiv me Covid19, si dhe ulje të numrit të rasteve aktive. Rënie ka edhe numri i pacientëve që marrin trajtim spitalor, pra në vend janë shtruar gjithsej 408 pacientë me Covid 19.

Sa i përket gripit sezonal, në vendin tonë nuk vërehet rritje e rasteve të të sëmurëve me grip krahasuar me vitet e kaluara.

“Për situatën me gripin, analizat tregojnë të njëjtin nivel krahasuar me kurbën tipike sezonale të vitit të kaluar. Të infektuar janë raportuar nga gjashtë QSHP/PE, në Dibër – 58, në Gostivar – 31, në Ohër – 17, në Tetovë – 16, në Kumanovë – 10 dhe në Prilep – 2 – theksuan nga Ministria e Shëndetsisë.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Kontrolli i fakteve për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE -së, i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Artikulli, i botuar fillimisht në Vërtetmatës, është mundësuar nga mbështetja e fondacionit jofitimprurës amerikan NED (National Endowment for Democracy). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorphosis, NED ose bashkëpunëtorëve të tyre

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.