Të varfër, por në shoqëri elitare?

Paradoks - më të mirë sipas ligjit, ndërsa në realitet çdo i katërti person është i varfër. Foto: Robert Anatasovski.

Sipas meje, ka disa pika problematike. Njëra prej tyre është se indikatorët sipas të cilëve bëhet rangimi i masin aspektet juridike, gjegjësisht kanë të bëjnë me anën “de jure”, e jo me atë “de facto”. Kjo do të thotë se implementimi, gjegjësisht zbatimi i kësaj rregullative nuk është përfshirë në raport. Kjo do të thotë se ndonjë vend mund, në aspekt formal-juridik, të ofrojë procedura të shpejta për hapjen e një kompanie , mirëpo është çështje tjetër se si funksionon kjo në praktikë”, thotë analisti ekonomik.

 

Shkruan: Aneta Dodevska

 

Maqedonia – një nga top vendet reformatore me klimë cilësore për biznes apo vetëm matje normative që tregon se ekonomia ka përparim formal, mirëpo jo edhe thelbësor? Kjo dilemë u hap përsëri, pasi Banka Botërore e publikoi rangimin e sivjetmë të “Doing bussines”, në të cilën përparuam për dy vende dhe jemi në pozitën e 10-të, shënohet në analizën javore ekonomike të Portalb.mk. Si ka mundësi që vendi ynë të jetë më i mirë se sa Gjermania e zhvilluar, ose se sa Kina në lindje?

 

TOP REFORMATOR ME VARFËRI TË SKAJSHME

Nga vendet që u gjendën në dhjetëshen e parë në rang listën e “Doing bussines”, Maqedonia është ekonomia e vetme që është në zhvillim, të gjitha vendet e tjera janë tashmë të zhvilluara, si për shembull, Suedia, SHBA-të, Britania e Madhe, Norvegjia, Danimarka. Pas nesh, sipas këtij rangimi janë Gjermania dhe, për shembull, Kina në lindje. Kjo matje, sipas një pjese të ekonomistëve dhe biznesmenëve, është formale, mat përparimin në aspekt të ligjeve, mirëpo jo edhe zbatimin cilësor të ligjeve, dhe për këtë arsye nuk jep pasqyrë reale për gjendjen e vërtetë me klimën e biznesit.

Vlerësimi i reformave të realizuara sipas këtij raporti nuk është asgjë tjetër përveç se një vlerësim sa i përket përmirësimit të rregullativës juridike dhe kushteve për fillimin e biznesit. Në këtë drejtim, lirisht mund të themi se Maqedonia nga aspekti i përmirësimit të rregullativës ligjore ka bërë hapa adekuatë që i mundësojnë vlerësim dukshëm më të mirë. Nga ana tjetër, për shembull, gjendja jostabile politike nuk është kriter në këtë raport, e sikur të ishte, efektet reale nga vlerësimet e këtilla do të ishin të paarritshme.  Konsideroj se raporti është shumë larg gjendjes reale me të cilën ballafaqohet komuniteti afarist. E se gjendja nuk është e shkëlqyeshme dhe se nuk përputhet me realitetin mund të shihet nëse analizohet se cilat vende janë pas nesh, si për shembull një Gjermani, deklaroi para do kohësh për “Portalb”-in, ekonomisti Arben Halili, transmeton Portalb.

Sipas analistit Branimir Jovanoviq, raporti që e rangon Maqedoninë si vend “top reformator” në botë është në kundërshtim me realitetin në ekonomi

Këtë raport e konsideroj kontrovers për shkak se nuk është e qartë se a përputhet me misionin e Bankës Botërore, i cili ka për qëllim çrrënjosjen e varfërisë. Sipas meje, ka disa pika problematike. Njëra prej tyre është se indikatorët sipas të cilëve bëhet rangimi i masin aspektet juridike, gjegjësisht kanë të bëjnë me anën “de jure”, e jo me atë “de facto”. Kjo do të thotë se implementimi, gjegjësisht zbatimi i kësaj rregullative nuk është përfshirë në raport. Kjo do të thotë se ndonjë vend mund, në aspekt formal-juridik, të ofrojë procedura të shpejta për hapjen e një firme, mirëpo është çështje tjetër se si funksionon kjo në praktikë, thotë analisti ekonomik Jovanoviq. 

Sipas qeverisë, përparimi në raportin e sivjemë është vërtetim për politikat e suksesshme dhe mirënjohje për reformat e zbatuara.

Ky rezultat historik që del nga përkushtimi i madh dhe mundi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, të gjithëve që ishin dhe janë të angazhuar për politikat ekonomike, që punuan dhe punojnë për zbatimin e një sërë reformash me qëllim që të përmirësohen kushtet për punë për kompanitë e vendit dhe të huaja në vend. Republika e Maqedonisë është radhitur në vendin e pestë në Evropë, e para nesh janë vetëm Danimarka, Norvegjia, Britania e Madhe dhe Suedia, deklaroi zëvendës-kryeministri për çështje ekonomike, Vlladimir Peshevski.

Prapa përparimit të këtillë, sipas ministrit për financa, Minovski, qëndrojnë sukseset e arritura edhe në politikën tatimore edhe në atë administrative, përcjellë Portalb.

Duke iu falënderuar reformave të vazhdueshme dhe insistimeve për përmirësim të vazhdueshëm, sot në Maqedoni biznesi zhvillohet më shpejtë dhe më lirë në krahasim me periudhën para dhjetë vitesh ose në krahasim me procedurat aktuale në vendet e Evropës, Azisë Qendrore dhe vendeve të OECD-së. Kështu, sot në Maqedoni paguhet përqindje tre herë më e lirë efektive tatimore, tre herë më shpejtë importohet dhe eksportohet malli, me ç’rast eksporti është dyfishuar, e po ashtu është zvogëluar edhe deficiti tregtar, theksoi ministri për financa, Kiril Minoski.

Për fillimin e biznesit vendi është ranguar në vendin e 4, ndërsa sa i përket procedurave për nxjerrjen e lejeve për ndërtim në vendin e 11-të. Sa i përket kriterit “furnizim me rrymë” gjendemi në vendin e 29-të, kurse për “regjistrimin e tokës” në vendin e 48-të. Sipas kriterit “miratimi i kredive”, vendi ynë gjendet në vendin e 16-të. Маqedonia prej vitit 2006 deri tani, për çdo vit shënon përparim në këtë rang listë, kështu që nga vendi i 94 në vitin 2006, sot gjendet në vendin e 10-të.

Sipas zëvendës-ministrit plotësues për financa, Kire Naumov, matja normative e Bankës Botërore nuk do të thotë se vendi është në grupin e ekonomive më të suksesshme.

Doing bussines i sheh vetëm masat normative, domethënë çka keni bërë në aspekt normativ, ligjor, a keni pasur ndonjë përparim në këto masa normative. Nga ana tjetër, Banka Botërore po ashtu kishte një raport që kishte të bëjë me Republikën e Maqedonisë, ku kishte shumë kritika, para së gjithash në zvogëlimin e investimeve private, deklaroi Naumovi.

Edhe një pjesë e biznesmenëve e potencuan përparimin normativ që e mat ky rangim, mirëpo jo edhe përmirësimin cilësor të klimës për biznes.

Nga aspekti i infrastrukturës, me të cilën kompanitë përballen për çdo ditë, ne gjithmonë insistojmë që këto investime të orientohen për përmirësimin e kushteve për biznes, shprehet për Portalb.mk kryetari i Odës ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nebi Hoxha.

Përderisa “Doing bussines” na rangon lartë, në “dhjetëshen” e parë, nga ana tjetër vendi ynë është në grupin e atyre që kanë numër më të madh të njerëzve të varfër, gjegjësisht çdo i katërti jeton nën kufirin e varfërisë, duke mos pasur mundësi që t’i plotësojë as nevojat themelore ekzistenciale. Sipas hulumtimit më të ri të Entit për statistikë, në Maqedoni, 444.500 qytetarë jetojnë nën pragun e varfërisë, me pesë dollarë në ditë, duke mos pasur mundësi që t’i plotësojnë as nevojat themelore për jetesë.

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Vërtetmatësit, projekt për rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së politikanëve dhe partive përpara qytetareve, i realizuar nga Fondacioni Metamorphosis. Artikulli mundësohet me përkrahje të fondacionit jofitimprurës amerikan (NED - National Endowment for Democracy) dhe Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States), iniciativë e cila përkrah demokracinë, qeverisjen e mirë dhe integrimet euro-atlantike në Evropën Juglindore. Përmbajtja e recensionit është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e Metamorphosis, National Endowment for Democracy, The Balkan Trust for Democracy, projekt i Fondit Gjerman të Marshallit në SHBA dhe partnerëve të tyre.

Your email address will not be published.