Të pavërtetat e binomit KOVID19 dhe duhanpirësit

Në prill të vitit 2020 u përhap një teori e sipas së cilës pretendohej se duhanpirësit janë imun ndaj KOVID19, ose edhe nëse ndodh që të infektohen duhanpirësit e kalojnë më lehtë sëmundjen. Edhe pse kjo teori u hodh poshtë nga qarqet shkencore në opinion publik në vendin tonë kjo teori vazhdon të shpërndahet dhe të besohet edhe pas kaq shumë kohësh. Edhe mjekët hedhin poshtë këtë teori ndërsa OBSH akuzoi industrinë e duhanit se po përdor pandeminë për të rritur fitimet e tyre personale, shkruan Portalb.mk.

Në opinionin publik qarkullon teoria se “duhanpirësit janë imunë ndaj KOVID19” ose se edhe nëse ndodh të infektohet një duhanpirës ai shumë lehtë do e kalojë sëmundjen. Teoria në fjalë argumentohet duke shpjeguar një proces të palogjikshëm, i cili thotë:

“Duhanpirësit nuk mundet të infektohen nga KOVID19 sepse mushkëritë e tyre veç më janë të dëmtuara nga duhani. Në këtë rast virusi e ka vështirë të gjejë qeliza të shëndosha që të mundet të zhvillohet sëmundja”.

Ky pretendim mohet kategorikisht nga mjekët të cilët duke u bazuar në fakte shkencore theksojnë se duhanpirësit jo vetëm që mundet të infektohen me KOVID19, njëjtë si gjithë të tjerët, por kanë tendenca që të zhvillojnë simptoma më të rënda të sëmundjes.

“Nuk ekziston asnjë studim shkencorë që vërteton pretendimet se duhanpirësit e kalojnë infektimin me Covid 19 më lehtë se personat që nuk konsumojnë duhan. Dy studime të cilat kishin për bazë anketimet e personave të shtrirë në spital që tregonin se vetëm afërsisht 10% e të shtruarve në spital janë duhanpirës nxiti gjendje alarmi në OBSH. Pirja e duhanit zvogëlon kapacitetet e mushkërive dhe rrit mundësinë e shfaqjes së infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes. Studimet e ndryshme shkencore kanë vërtetuar lidhshmërinë e pirjes së duhanit me shfaqjen e sëmundjeve të mushkërive, dhe kjo situatë vështirëson simptomat dhe pasqyrën klinike të infeksionit me Covid 19 tek duhanpirësit“, deklaroi Dr. Adhurim Fazliu.

Në fakt, një teori e tillë mori hov në prill të vitit 2020 kur u publikua një studim francez. Studimi pretendonte se duhanpirësit janë më të mbrojtur nga KOVID19. Megjithatë, kjo teori u hodh poshtë nga OBSH, një përmbledhje e studimeve nga ekspertët e shëndetit publik të mbledhur nga OBSH-ja zbuloi se duhanpirësit kanë një rrezik më të lartë të kontraktimit të sëmundjes fatale. Rezultatet e studimit treguan se “pirja e duhanit dëmton funksionin e mushkërive duke e bërë më të vështirë për trupin të luftojë koronavirusin dhe sëmundjet tjera”.

Lidhur me pretendimet e shpërndara në publik OBSH akuzoi industrinë e duhanit se po përhapin propagandë të rrejshme për ti rritur përfitimet e tyre.

Lobistët e duhanit janë përpjekur të manipulojnë politikë-bërjen #COVID19 me qëllim që dyqanet e duhanit të renditen si ‘thelbësore’ si dhe duke ofruar shpërndarje falas të produkteve të duhanit për njerëzit në karantinë. Duhanpirësit mundet të përballen me simptoma më të rënda nëse infektohen, duke çuar në hospitalizim dhe vdekje të parakohshme”, u theksua në reagimin zyrtar të OBSH-së.

Reagim i OBSH-së pas pretendimeve se duhanpirësit janë të mbrojtur nga KOVID19

Sipas OSHB-së, duhanpirësit janë më të ndjeshëm ndaj KOVID19, sepse akti i duhan-pirjes përfshin kontakt të gishtave (dhe eventualisht të cigareve të ndotura) me buzët, që rrit mundësinë e transmetimit të virusit nga dora në gojë. Duhan-pirja me gypa uji, të njohura si „nargile“, shpesh përfshin prekjen e gojës që mund të lehtësojë transmetimin e virusit KOVID-19.

Të gjithë e dimë se duhanpirja është e dëmshme për shëndetin. Duke marrë parasysh rreziqet për shëndetin që i shkakton përdorimi i duhanit, OSHB rekomandon  shmangien e përdorimit të duhanit.

“Lënia e duhanit do tu ndihmojë mushkërive të bardha dhe zemrës të punojnë më mirë që nga momenti kur do të ndaleni”, theksohet mes tjerash në rekomandimet e OBSH0-së.

Dr. Fazliu sqaron për Portalb.mk se duhani është një ndër faktor që përcakton se si do jenë kushtet e një individi për ta shfrytëzuar oksigjenin në trupin e tij. Në rrethanat kur zvogëlohet kapaciteti i përdorimit të oksigjenit individi është më afër rrezikut për të gjeneruar pasqyrë klinike më serioze të një sëmundje.

Kushtet që rrisin nevojat e oksigjenit ose zvogëlojnë aftësinë e trupit për ta përdorur atë si duhet, do t’i bëjnë pacientët të ekspozohen ndaj një rreziku më të madh të gjendjeve serioze të mushkërive siç është pneumonia. Shtetet më të zhvilluara evropiane po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së masave restriktive për shitjen dhe blerjen e duhanit, madje duke vendosur ndalesa në konsumimin e duhanit në vende publike të mbyllur“, thekson Dr. Adhurim Fazliu.

Që nga fillimi i pandemisë në të gjithë botën deri më 19 dhjetor janë regjistruar më shumë se 270 milion raste me KOVID19 prej të cilave më shumë se 5 milion raste kanë përfunduar me vdekje. Sa i Përket Maqedonisë së Veriut, që nga fillimi i pandemisë në vendin tonë janë identifikuar 221.285 raste me KOVID19, prej të cilëve 7.815 persona e kanë humbur luftën me këtë sëmundje. Aktualisht në Maqedoni ka 5.522 raste aktive me KOVID19.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të Projektit për përballim të shpejtë të dezinformatave rreth vaksinimit, të zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis. Ky artikull fillimisht është botuar në Vërtetmatës, ndërsa është mundësuar me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci, projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA-ve (BTD – The Balkan Trust for Democracy, a project of the German Marshall Fund of the United States). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Metamorfozis, FBD-së ose bashkëpunëtorëve të tyre.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.