Të huajt që luftojnë për Ukrainën nuk janë mercenarë
Një postim në Facebook po përhap propagandë ruse se të huajt që luftojnë për Ukrainën janë mercenarë, por ata nuk plotësojnë përkufizimin e mercenarëve sipas ligjit ndërkombëtar, por janë ushtarë të rregullt ukrainas me kontratë. Ashtu si ata nga Kievi apo Kharkovi, me të cilët kanë të njëjtat të drejta dhe detyrime dhe në Rusi ka edhe ushtarë me kontratë, mes të cilëve ka të huaj. Postimi gjithashtu manipulon se Rusia po bën luftë në Ukrainë kundër polakëve dhe të ardhurve të tjerë, të cilët nuk duhet të kapen, por të ekzekutohen dhe se Rusia është humane ndaj ukrainasve dhe këtu është shpërndarë edhe një video, origjina dhe besueshmëria e të cilit janë të paqarta.
Një postim në rrjetin social Facebook shpërndan një klip të shoqëruar me përshkrimin e mëposhtëm:
“Urdhërat janë që të mos lihet asnjë mercenar gjallë.”
Ky ushtar rus shpjegon se si mercenarët polakë janë vrarë.
Postimi është marrë dhe përkthyer në mënyrë të ngathët nga ky kanal i huaj Telegrami dhe kjo videeo kinse përmban një dëshmi nga një ushtar rus për “mercenarët” e huaj që luftojnë për Ukrainën. Por kjo është thjesht propagandë e agresorit rus për të denigruar Ukrainën dhe të huajt që luftojnë për të. Ata nuk janë mercenarë dhe nuk plotësojnë kriteret për t’u konsideruar si të tillë. Ajo është e përcaktuar në të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare, e cila bazohet në Konventën e Gjenevës. Ekziston edhe një Konventë e veçantë e OKB-së që përcakton mercenarizmin dhe është e drejtuar kundër tij.
Ukraina është nënshkruese e asaj konvente dhe nuk rekruton mercenarë. Të huajt që luftojnë për Ukrainën përfshihen në forcat e saj të rregullta (me kontratë, nënshkrim, vulë, etj.), kështu që, për shembull, një luftëtar nga SHBA ose Britania ka të njëjtin status si një ushtar nga Kievi, Kharkovi, Lviv ose Odessa.
Këta të huaj kanë të njëjtat të drejta dhe detyrime si ushtarët ukrainas dhe nuk marrin paga më të larta se ata, siç është tipike për mercenarët. Fakti që këta të huaj marrin rrogë nuk i bën mercenarë. Është normale të ekzistojnë ushtarë profesionistë dhe ne i kemi edhe këtu, por nuk i quajmë mercenarë. Në Rusi ka edhe ushtarë me kontratë (kontraktniki), mes të cilëve ka edhe të huaj.
Ukraina lejoi të huajt të shërbenin ligjërisht në forcat e saj në 2016 dhe në 2022 krijoi Legjionin Ndërkombëtar, duke treguar qartë se nuk janë mercenar. Shumë prej legjionarëve janë nga vendet perëndimore, ku mund të fitojnë më mirë, ndaj motivimi i tyre nuk është paraja, por respekti për Ukrainën. Mercenarët, nga ana tjetër, luftojnë për atë që paguan më shumë. Ata marrin pjesë në konflikte në të cilat vendi i tyre nuk është palë ndërluftuese dhe nuk janë ushtarë të rregullt të vendeve për të cilat luftojnë.
Disa nga këto kritere për mercenarët gjenden në ushtrinë private ruse Wagner. Këta janë shtetas rusë të cilët, për para, luftojnë në konflikte në të cilat Rusia nuk është ndërluftuese (në Afrikën Qendrore, Mali, Sudan dhe Libi). Kremlini e fshehu për një kohë të gjatë se ishte pas Wagner-it, që do të thoshte se ata nuk konsideroheshin si një ushtri e rregulluar nga qeveria ruse, e cila më vonë ndryshoi. Rezulton se rusët janë të përfshirë në një lloj aktiviteti mercenar dhe po moralizojnë Ukrainën për këtë. Megjithatë, Wagner nuk i plotëson të gjitha kërkesat për t’u konsideruar organizatë mercenare, kështu që statusi i tyre është disi i paqartë.
Përveç kësaj, ka ushtarë me kontratë në ushtrinë e rregullt ruse. Formalisht nuk janë mercenarë, por motivi i tyre është ende kryesisht financiar. Mes tyre ka të huaj nga Nepali, Sri Lanka, India, Somalia, Kuba dhe vende të tjera të varfra. Ushtari rus në klipin në postim mund të jetë gjithashtu një kontraktor. Ai dëshmon sesi eliminoi “mercenarët” e huaj që luftonin për Ukrainën, por është pak e paqartë nëse e bëri këtë në betejë apo i ekzekutoi fshehurazi, megjithëse mund t’i kishte kapur të gjallë.
Në mënyrë konfuze, thuhet se ishte urdhëruar që të mos linte kurrë gjallë mercenarët, gjë që është një krim lufte. Në të vërtetë, konventat nuk ofrojnë të njëjtat të drejta për ushtarët dhe mercenarët, por edhe këta të fundit duhet të trajtohen në mënyrë njerëzore dhe nuk duhet thjesht të vriten nëse mund të kapen. Nëse kapen nga një shtet i caktuar, ai mund t’i gjykojë për shërbim mercenar, nëse kjo është e dënueshme sipas ligjeve të tij, por nuk mund t’i dënojë pa gjyq.
Klipi përhap propagandë se Rusia po lufton polakët dhe të ardhurit e tjerë në Ukrainë, kështu që ushtari thotë (megjithëse ai e pranon se nuk është i sigurt) se “mercenarët” flisnin polonisht, jo gjuhën ukrainase (që, meqë ra fjala, ai e quan “Khokhlovsky”, që është gjuhë e urrejtjes). Rusët zotërojnë dobët gjuhët e huaja (as edhe ukrainisht), siç dëshmohet nga sondazhet e Levada, qendra analitike më e famshme në Rusi dhe ata “mercenarë” mund të kenë qenë ukrainas, por për ushtarin ata dukeshin si polakë. Konfuzion krijohet edhe nga fakti se ka një ngjashmëri leksikore prej 70 për qind midis gjuhëve ukrainase dhe polake. Afërsia është veçanërisht e madhe në dialektet e Ukrainës perëndimore.
Qëllimi i njoftimit është të dekurajojë ata që do të shkonin të luftonin për Ukrainën (njerëz të tillë janë të rrallë në vendin tonë, por njoftimi është nga një burim i huaj). Ajo i dezinformon se në këtë mënyrë do të bëhen mercenarë, se do të shkelin konventat ndërkombëtare dhe se do të ekzekutohen, gjë që gjoja meritojnë mercenarët, por kjo nuk është e vërtetë. Në njoftimin për të thuhet:
Kjo është në kundërshtim me Konventën e Gjenevës, ndaj mos shkoni të luftoni në Ukrainë!
Toni propagandistik i njoftimit duket edhe në fjalët e mëposhtme:
Trajtimi më i mirë dhe miqësor që rusët u bëjnë ukrainasve të mobilizuar me forcë. Shumë prej tyre madje mund të marrin nënshtetësinë ruse dhe të shkojnë të jetojnë jetën e tyre jashtë luftës.
Rusia nuk i trajton ukrainasit në mënyrë miqësore, por përkundrazi kryen agresion, masakra, shkatërrime dhe krime të tjera lufte kundër tyre. Një prej tyre është mobilizimi i detyruar në ushtrinë ruse të ukrainasve nga territoret e pushtuara, të cilat Rusia i aneksoi ilegalisht. Ushtarët ukrainas që kthehen nga robëria ruse dëshmojnë për torturat inkuizitore dhe disa as nuk janë kapur, por janë ekzekutuar në mënyrë të pabesë.
Pjesa më e madhe e postimit është e pavërtetë dhe sa i përket videos, nuk na tregon se kush është autori dhe burimi kryesor i tij, kur është filmuar, apo nëse ka qenë në Ukrainë apo në rajonin e Kurskut të Rusisë, ku ka edhe luftime. Ne as nuk e dimë se kush është ushtari që flet atje, çfarë detyre kryen, apo nëse ngjarja që përshkruan është e vërtetë. E vetmja gjë që shohim është se ai mban një distinktiv të kuq në krahun e djathtë nga grupi ushtarak Otvazhnye. Videon e gjetëm në vende të tjera (këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu), por asnjë informacion të detajuar për të.
Këtu kemi një situatë të paqartë dhe të dyshimtë, ndaj nuk na mbetet gjë tjetër veçse të japim një vlerësim të përgjithshëm se njoftimi është i pavërtetë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari