Tabela me emrin e qytetit Sevastopol është hequr nga këndi i lojërave “ruse” për fëmijë në Shkup

Këndi i fëmijëve Sevastopol, Foto: Meta.mk

Këndi i lojërave për fëmijë me tematikë ruse prapa Sallës Universale në Shkup, në ndërtimin e të cilit morën pjesë Komuna Qendër dhe Ambasada e Federatës Ruse në vend, shkaktoi një lloj skandali diplomatik. Meta.mk zbuloi se midis tabelave të vendosura me emra të qyteteve ruse, ishte futur edhe tabela me emrin e qytetit ukrainas Sevastopol. Bëhet fjalë për qytetin më të madh të gadishullit Krime në Detin e Zi, i cili është aneksuar nga ana e Federatës Ruse dhe ppër të cilin po zhvillohet kontest për shkelje të së drejtës ndërkombëtare të integritetit territorial të Ukrainës, njofton Vërtetmatësi.

Pas më shumë se dy muajve, ekipi i gazetarëve i Meta.mk ka vërejtur se tabela me emrin e qytetit Sevastopol është hequr nga këndi i lojërave për fëmijë prapa Sallës Universale, ndërsa mbishkrimet me qytetet tjera kanë mbetur. Meta.mk kontaktoi me Ambasadën e Ukrainës në Shkup, prej ku konfirmuan se ata kanë reaguar për këtë çështje edhe deri në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Qytetin e Shkupit.

“Ambasadorja e Ukrainës në vendin tonë, zonja Natalia Zadorozhnyuk, ka realizuar një sërë takimesh përkatëse në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku e ka shprehur qëndrimin për pjesëmarrjen e papranueshme të zyrtarëve nga Maqedonia e Veriut, veçanërisht të kryesisë së Komunës Qendër. në përpjekjen e palës ruse për legalizimin e statusit të territoreve të pushtuara përkohësisht të Republikës Autonome të Krimesë dhe qytetit Sevastopol si subjekt i veçantë i Federatës Ruse”, thonë nga Ambasada e Ukrainës.

Nga atje thonë se Ministria e Punëve të Jashtme e ka konfirmuar qëndrimin e prerë se Maqedonia e Veriut e mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Ata theksojnë se MPJ i ka siguruar që kjo çështje do të zgjidhet.

Nga Ambasada për Meta.mk shtojnë se Ukraina e vlerëson faktin që Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në BE, nuk e njeh përpjekjen e paligjshme të Federatës Ruse për të aneksuar Krimenë ukrainase. Ata kujtojnë gjithashtu se Maqedonia e Veriut është nënshkruese e të gjitha rezolutave në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në lidhje me përpjekjen e paligjshme të Rusisë për të aneksuar gadishullin ukrainas dhe se vendi ka marrë pjesë në Samitin e Platformës së Krimesë të mbajtur në Kiev në gusht të këtij viti.

“Duke pasur parasysh këtë, në adresimet e përmendura Ambasada u bëri thirrje autoriteteve që të marrin masat e duhura menjëherë për të korrigjuar këtë situatë dhe ta harmonizojnë sipas parimeve dhe normave të drejtës ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Ukrainës.

Këndi i fëmijëve Sevastopol, Foto: Meta.mk

Edhe ata e kanë vërejtur këtë javë se tabela me emrin e qytetit Sevastopol është hequr nga këndi i lojërave për fëmijë prapa Sallës Universale.

“Jemi të bindur se ky është rezultat i apeleve të përmendura të Ambasadës drejtuar organeve kompetente të Maqedonisë së Veriut dhe masave të duhura që janë ndërmarrë, për çka dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë për përgjigjen kompetente dhe efikase”, thonë nga Ambasada. Ata shpresojnë se situata të tilla shqetësuese nuk do të përsëriten në të ardhmen, ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve do të forcohen e zhvillohen në frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit.

Ndryshe, ish-kryetari i Komunës Qendër, Sasha Bogdanoviq në faqen e tij në Facebook më 27 shtator të këtij viti fillimisht postoi se po përfundojnë punët ndërtimore në këndin e lojërave për fëmijë prapa Sallës Universale, duke e informuar publikun se në këndine lojërave po vendosen rekuizita të reja cilësore për fëmijë me shtroje, gjelbërim të ri, si dhe banka e kosha për mbeturina.

Dy ditë para raundit të parë të zgjedhjeve lokale në vend, më 15 tetor, ish-kryetari i komunës Sasha Bogdanoviq ka postuar një tjetër postim në faqen e tij në Facebook, në të cilën ai bën me dije që së bashku me Ambasadorin Rus në vend, Sergei Baznikin, e kanë inspektuar këndin e lojërave për fëmijë prapa Sallës Universale, që është ndërtuar si investim i përbashkët i Komunës Qendër dhe Ambasadës së Federatës Ruse në vend. Pastaj postimi i njëjtë i Bogdanoviqit është ripublikuar nga Ambasada e Federatës Ruse në faqen e tyre zyrtare në Facebook.

Agjencia e lajmeve Meta ka dërguar pyetje lidhur me këtë rast në Komunën Qendër dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, si dhe në Qytetin e Shkupit.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Your email address will not be published.